E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Propozimi serb, rrezik për Kosovën"

Drejtori i Institutit për Paqen të Uashingtonit, Daniel Server, vë në dukje se nuk duhet që Brukseli dhe Uashingtoni të ushtrojnë presion mbi udhëheqjen shqiptare të Kosovës, pasi e kanë bërë një herë një gjë të tillë, kur i mbushën mendjen asaj (udhëheqjes kosovare) të pranonte Planin e Marti Ahtisarit. Kështu që, sipas tij, nuk është e nevojshme që ata ta bëjnë këtë përsëri, pra të ushtrojnë presion, që ajo të pranojë kushtet për vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë.

"Tani që Kosova është një vend sovran, përse ajo duhet të durojë përsëri ushtrim presioni", tha midis të tjerave analisti i njohur amerikan në një intervistë që i dha ditët e fundit gazetës së përditshme të Beogradit, "Gllas Javnosti" ("Zëri i publikut"). Lidhur me propozimin e ri serb prej gjashtë pikash dhe kushtet e Beogradit për vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë, Server vuri në dukje se "propozimi serb nuk ka asnjanësi statusuore, por synon të vendosë bazat për ndarjen e Kosovës dhe të kufizojë ushtrimin e sovranitetit nga ana e Prishtinës. Që ky propozim të kishte asnjanësi statusuore, ai duhet të përcaktonte qartë se Kosova është dhe duhet të mbetet një bashkësi politike e vetme nën një pushtet sovran. Kurse propozimi që unë pashë, nuk ishte i tillë", vuri në dukje Daniel Server.

Bisedime si të barabartë

"Mënyra më e mirë për të diskutuar lidhur me këtë propozim, si dhe për të tjerat, është që Prishtina dhe Beogradi të takohen dhe të bisedojnë si partnerë të barabartë, t‘i sqarojnë mosmarrëveshjet dhe të merren vesh", tha ai. Pyetjes se përse Departamentit i Shtetit të SHBA nuk i pranon kushtet serbe, ndërsa vendet anëtare të tjera të Grupit të Kontaktit i kanë pranuar ato, drejtori i Institutit uashingtonas për Paqen iu përgjigj se do të jetë më mirë të pyesnin direkt Departamentin Amerikan të Shtetit, se cili është qëndrimi zyrtar i tij për këtë çështje. "Ky propozim çon në ndarjen e heshtur të Kosovës. Ai përsëri dhe përsëri do të refuzohet. Nëse EULEX-i do të fillojë ta ushtrojë veprimtarinë e tij mbi bazën e një marrëveshjeje të re, atëherë kjo do të thoshte se kemi të bëjmë me një mision të ri dhe jo me atë që planifikoi Marti Ahtisari", tha z.Server.

Për sa i përket asaj se shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, kishte paralajmëruar mbledhjen, ditët e ardhshme, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje dhe nëse ai (Serveri) priste ndonjë përgjigje të shpejtë lidhur me të, ai tha: "Nuk e di. Do të isha i kënaqur nëse një marrëveshje eventuale do ta përjashtonte definitivisht ndarjen. Beogradi ka zhvilluar një fushatë diplomatike dhe, si rezultat i saj, UNMIK-u nuk ka kurajë të mjaftueshme të tërhiqet, kurse EULEX-i të shtrihet. A thua të përfitojnë serbët nga kjo gjë? Nuk besoj. Do të dëshiroja që EULEX-i ta ushtronte veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Kosovës", theksoi Server.

Zyrtari amerikan në Prishtinë

Zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Daniel Frid, mbërriti dje për një vizitë zyrtare në Prishtinë. Diplomati i lartë amerikan u takua me Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës. Vizita e tij zhvillohet në kuadër të bisedimeve në Prishtinë për dokumentin gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, të refuzuar nga institucionet e Kosovës. "Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm për paqen, stabilitetin, shtetin dhe të ardhmen e Kosovës, tha Kryeministri Hashim Thaçi, në prag të vizitës së zyrtarit të lartë amerikan, Frid.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›