E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Recesioni ekonomik, kërcënim për respektimin e të drejtave sociale"

Në pragun e 60-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Thomas Hammarberg, ka dhënë disa mesazhe për të shënuar këtë përvjetor. Komisioneri për të Drejtat e Njeriut thekson në mesazhet e tij se "Deklarata është një dokument simbol, i cili ka formëzuar frymën e aktiviteteve të të drejtave të njeriut në të gjithë botën". Ai thekson dy pika të rëndësishme: "Së pari, është përcaktimi më autoritativ se çfarë janë të drejtat e njeriut dhe ai që njeh të drejtat sociale dhe ekonomike si të drejta të plota të njeriut. Së dyti, legjitimiteti i tij nuk vjen vetëm nga pranimi i tij prej qeverive, por në veçanti nga mbështetja e tij nga të gjitha shoqëritë. Për këto arsye, është një burim i madh për të gjithë njerëzit të angazhuar për ta ndryshuar botën për më mirë."

Komisioneri afirmon më tej se "është ende një rrugë e gjatë për t‘u bërë për të arritur respektimin e parimeve të Deklaratës në jetën e përditshme. Shikoj devijim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vende të ndryshme: mbrojtja e të dhënave, diskriminimi, ksenofobia, mbrojtja e grupeve të njerëzve vulnerabël. Masat e antiterrorizmit kanë kontribuar gjithashtu në një zgjerim të devijimit të të drejtave të njeriut. Në veçanti, kompliciteti apo qetësia në luftën e nisur nga SHBA-ja kundër terrorit e ka çuar Evropën brutalisht mbrapa. Për më tepër, në kohët e krizës ekonomike, ka tashmë shenja se ata që janë më pak të pasur do të vuajnë më shumë nga kriza që bota po përballon. Është megjithatë thelbësore që të gjitha masat janë marrë për të siguruar mbrojtje të të drejtave të njeriut".

Komisioneri Hammarberg përfundoi duke theksuar nenet 30 të Deklaratës "që janë ende aktuale sot dhe kanë mbajtur të paprekur të gjithë potencialin e tyre për të ngritur nevojat themelore të njeriut në të ardhmen. Është esenciale që ne të përdorim deklaratën për punën bazë të riedukimit të të drejtave të njeriut dhe shpjegimit tek publiku rreth vlerave themelore. Deklarata duhet të përdoret për të frymëzuar politikat dhe sjelljet për t‘i lejuar njerëzve të drejta të pamohueshme kudo, në çdo kohë".

Tomas Hammarberg, ju jeni Komisioner i Këshillit të Evropës për Të Drejtat e Njeriut. Ky vit është dhe përvjetori i 60 i Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe ju keni përmendur shpesh se ajo është një kriter absolut për ju. Dhe që është pjesë e AND-së suaj. Mund të na thoni pse?

Është shpjegimi i parë dhe më i hershëm i asaj çka janë të drejtat e njeriut. N.q.s e lexoni, kuptoni hapësirën e shtrirjes së të drejtave të njeriut. Dhe për mua është e rëndësishme që kjo të përfshijë dhe të drejtat sociale dhe ekonomike, të cilat janë mohuar nga disa qeveri. Në radhë të parë, sigurisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, por dhe nga disa qeveri evropiane. Dhe unë mendoj se është tejet e rëndësishme që të drejtat sociale dhe ekonomike të njihen si të drejta të plota të njeriut. Kështu që kjo është e rëndësishme në vetvete. Pastaj, impakti dhe rëndësia e kësaj deklarate kanë qenë të jashtëzakonshëm. Jo sepse ajo u miratua nga rreth 65 vende në Paris rreth 60 vjet më parë, por për përgjigjen nga njerëzit e zakonshëm dhe në një shkallë jo më të vogël nga organizatat e shoqërisë civile, jo ato qeveritare. Kjo është ajo që i jep kësaj deklarate legjitimitetin e saj të vërtetë. Dhe për më tepër, deklarata përbën tani bazën e një numri traktatesh ligjorë detyrues: në Evropë, të traktateve të Këshillit të Evropës dhe gjithashtu të Konventave të Kombeve të Bashkuara.

Çfarë mendoni se i jep deklaratës këtë potencial? Që e bën atë një instrument kaq të stërholluar për të drejtat e njeriut?

Ajo është shumë e thjeshtë. Dhe arrin të përcaktojë atë që është kaq e rëndësishme për shumë njerëz. Të drejtën për të folur, të drejtën për mbrojtje nga ata që janë në pushtet, duke përfshirë të drejtën për mbrojtje nga tortura. Kështu që ajo ka prekur çështje tepër të rëndësishme për shumë njerëz. Dhe unë mendoj se kjo shkaktoi atë përgjigje kaq befasuese nga ana e shoqërisë civile, që e ka bërë deklaratën një dokument të gjallë.

Deklarata është një dokument i gjallë dhe ju e jetoni atë çdo ditë të punës suaj. A mund të më thoni se si e përdorni atë?

Është baza, së cilës i referohem kur duhet përcaktuar se kush janë dhe kush nuk janë të drejta të njeriut. Unë nuk mendoj se të drejtat e njeriut janë gjithçka. Nuk mendoj se mekanizmat e të drejtave të njeriut janë zgjidhja për çdo gjë në jetë. Por ato janë një pjesë e rëndësishme e ekzistencës së përditshme të njerëzve. Kështu që i referohem deklaratës shpeshherë, dhe e përdor atë në argumentin tim për marrjen e masave më precize në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sigurisht duke qenë brenda Këshillit të Evropës, i referohem më tepër Konventës Evropiane dhe Kartës Sociale të Këshillit të Evropës. Këto janë për mua dy dokumente bazë, sepse ato janë detyrues për ato shtete që i kanë ratifikuar.

A mund të më jepni disa shembuj ndoshta, ku këto instrumente ju kanë ndihmuar në një situatë të jetës reale për të ndryshuar gjërat?

Në fakt, gjithmonë iu referohem atyre. Kryesisht Deklaratës Universale dhe traktateve të Këshillit të Evropës kur takohem me qeveritë, sepse qasja jonë është që ne përdorim faktin që të gjitha qeveritë i kanë ratifikuar këto standarde bazë të të drejtave të njeriut dhe ne krahasojmë zotimin e qeverive me realitetin në vendet të cilave ato iu përkasin. Dhe kjo do të thotë sigurisht që monitorimi është absolutisht i një rëndësie kyçe për të nxjerrë në pah fakte nga këto realitete. Dhe me modesti them se monitorimi është ajo çka unë përpiqem të bëj gjithashtu, për ta përdorur si bazë për një dialog konstruktiv premtues me qeveritë, në lidhje me atë që ato duhet të bëjnë në të ardhmen për të arritur këto standarde.

N.q.s ju përdorni Deklaratën apo Konventën e të Drejtave të Njeriut si kriter, a do mund të thoshit se ka vende të cilat aktualisht i kanë arritur këto standarde? A mbetet ende një rrugë e gjatë për t‘u përshkuar?

Në fakt mendoj se është kështu. Një prej pikave që unë ngre gjatë gjithë kohës është se asnjë nuk është perfekt, se nuk ka arsye për vetëkënaqje madje edhe në Evropë dhe se të gjithë duhet të bëjmë përpara në mënyrë që të implementojmë plotësisht të drejtat e njeriut. Sigurisht standardet po bëhen tani gjithnjë e më strikt me zhvillimin dhe rritjen e resurseve të shoqërisë sonë. Por unë nuk besoj se ndokush ka bërë çdo gjë që mund të bëhej dhe se ka gjithnjë një betejë për të drejtat e njeriut, ndoshta do të ketë gjithnjë.

Tani mbushen 60 vjet nga dita e futjes së deklaratës dhe në 2008-ën, tabloja duket disi më ndryshe. Çfarë mendoni se do të ndodhë në të ardhmen? Çfarë do të kemi në skenë 60 vjet më vonë?

Ne filluam t‘i përshtatemi një zhvillimi gjithmonë duke ndjekur drejtimin e duhur. Në një mënyrë apo tjetër, ne presim që do të ketë një respektim gjithnjë e më të madh të të drejtave të njeriut nga qeveritë. Por në fakt, ka gjithashtu dhe disa shenja shqetësuese në horizont. Nuk jam i bindur që mënyra me të cilën qeveritë trajtuan kërcënimin terrorist pas sulmeve të 11 shtatorit, ishte premtuese. Në fakt mendoj se menjëherë pas shokut të prodhuar nga sulmet, janë bërë shumë gabime. Dhe tani ndoshta ka ardhur koha që qeveritë t‘i rishikojnë dhe ndryshojnë. Por ishte një shenjë e keqe që kur siguria jonë u kërcënua në atë mënyrë, kundërpërgjigjja ishte dhunimi i të drejtave të njeriut në një shkallë të gjerë, dhe kjo ishte e padëshiruar. Kërcënimi tjetër që shikoj, sigurisht, është se tani që bota po hyn në recesion, të drejtat sociale nuk do të respektohen plotësisht nga qeveritë. Kështu që nuk jam i sigurt se ne mund të jemi të sigurt se zhvillimi do të sjellë implementim në rritje të të drejtave të njeriut. Mendoj se do të na duhet të rikthehemi nga e para. Të edukojmë rreth të drejtave të njeriut, të rishpjegojmë pse këto standarde janë kaq absolutisht themelore për njerëzit e zakonshëm. Dhe se nuk mund të arrish stabilitet dhe të shmangësh dhunën në shoqëri n.q.s nuk respekton të drejtat e njeriut. Kështu që mendoj se beteja duhet të vazhdojë për atë çka mendonim se e kishim arritur, por nuk e kishim implementuar plotësisht.

Dhe një pyetje të fundit. A keni gjithashtu shenja optimizmi?

Patjetër. Ajo çka mendoj që është tepër premtuese është se kemi gjithnjë e më shumë organizata joqeveritare. Grupe të shoqërisë civile të cilët ngrihen për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Të cilët përfaqësojnë interesat e tyre, por dhe të personave vulnerabël të shoqërisë. Dhe për mua në punën time, bashkëpunimi me këto grupe është kaq esencial dhe mbështetës. Në fakt, në punën time, shumë gjëra i bazoj në informacionin që marr prej tyre. Sigurisht që e shqyrtoj me hollësi, sepse jam i pavarur, por ato kanë një domethënie të madhe në përpjekjet e mia. Kjo është një gjë. Tjetra është se brenda qeverive unë takohem me shumë njerëz, të cilët janë konstruktivë dhe duan të bashkëpunojnë dhe duan realisht të prodhojnë një lloj progresi në vendin e tyre. Kështu që jam optimist, por nuk jam naiv në lidhje me rreziqet, sepse edhe në të ardhmen do të ketë probleme me të drejtat e njeriut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›