Gratë, konventat dhe… plumbat
T‘i vrasim ato. Po, po. Ato të ligat, të dyshuarat. T‘i vrasim, një plumb është pak për ato të përunjurat deri në dinjitet. Nuk është e vështirë. Kjo po duket qartë. I keni parë? I gjejmë te lajmet FLASH. Janë të moshave të ndryshme, 20,30,40,50, madje edhe 60 vjeç; po po, ato janë dyshimi vetë, dobësia vetë, paudhësia vetë. Prandaj nuk e meritojnë të rrojnë, nga Veriu e deri në Jug. Burra vrastarë, me apo pa mustaqe, në kushtet e mungesës së sigurisë që jep shteti, janë bërë bashkudhëtarët tanë. Familje të tëra që na dhurojnë përditë tragjeditë e Shekspirit, po ato i mori vesh bota, ndërsa për këto të përunjurat tona, për këto gra e vajza të pafajshme, nuk flet njeri, nuk dëgjon njeri. Për to ne heshtim të tërë. Policia, ah ajo mjaftohet të thotë: Për motive të dobëta. Po, për motive të dobëta, po jo të atij, jo të asaj, as të të dyve, po për motivet tona të dobëta, të këtij shteti të dobët. Strategji pa fund, çdo ministri e institucion nga një palë. Konventat kapicë. OJF pa fund, të drejtuara nga burra e gra. Të gjithë përpiqen kush e kush të thonë nja dy fjalë nëpër kamera, të kujdesur natyrisht për kravatat dhe kostumet. Takime dhe emisione civilizuese sa të duash, me dhe pa suvenire, ku gra të zonjat në karrierë, nuk kanë harruar manikyrin nëpër gishta me rastin e daljes për vrasjen e radhës. Askush nga ne nuk i di, nuk i njeh, nuk shkon t‘i shikojë të paktën të vdekura, ato vajza e ato nëna që kanë lindur e rritur jetë, por që të tyren ua ndërpresin nisur nga forca që u jep i Paudhi. E di që duket jashtë mode, e pavlerë, e pavend, madje e nxituar fjala revoltë, sot është e natyrshme të ndodhë çdo gjë, e për çdo gjë nuk flet njeri, nuk mbron njeri. Ligji i xhunglës po vendoset edhe nëpër familje, ku më i forti është më i pagabueshmi, më i drejti, më i pacenueshmi, se ai vret dhe nuk e gjen gjë. A kemi të drejtën të pyesim ku po shkojmë? Ǒpo ndodh me shoqërinë tonë, ku janë vlerat që duhet t‘i trashëgojmë, t‘i mbrojmë e t‘i kultivojmë. Ǒpo ndodh me familjet shqiptare, ç‘po ndodh me gruan shqiptare? E kujt është detyra të na kthejë përgjigje. Kush është përgjegjësi, kujt t‘ia ngarkojmë këtë detyrë. Se e jona nuk është. Po, po e jona nuk është. Në këtë shoqëri kaq të varfëruar në vlera, pa dyshim që kështu mendojmë të gjithë. Ndryshe nuk ka sesi të mos ushtojë një zë, të jetë dikush, një grua apo një burrë, ca gra apo ca burra, apo të jemi të gjithë bashkë. KUNDËR DHUNËS. Kjo dhunë na është bërë e pranueshme, na është bërë formë të menduari, na është bërë mënyrë perceptimi. E ushtrojmë për këdo dhe e pësojmë nga kushdo. Në këtë vend, janë shtuar të përunjurit, është shtuar memecëria, janë shtuar të depersonalizuarit. Por populli ka një fjalë: Kjo është lojë për kokë. Pa dyshim që këtë ende nuk e kemi kuptuar apo nuk duam ta kuptojmë se shqetësohemi për të tjera gjëra. Shqetësohemi për pjesëmarrje, kuotizacion, përfaqësim. Po kë do përfaqësojmë, përfaqësim për çfarë. Kush do na dëgjojë. Gratë që rropaten nga mëngjesi në darkë, fushave e maleve, me kafshë e me dru, si në at‘ mot, e pasi mblidhen në shtëpi hanë edhe plumbin kokës për motive të dobëta? Kë do përfaqësojmë, cilat viktima, cilën kauzë, cilën çështje, atë që nuk e mbrojmë dot, atë që vritet në mes të kryeqytetit, se policia mbërriti me vonesë.
Na mungon çështja, na mungon kauza, na mungon dinjiteti personal për të mbrojtur çështje që s‘janë personale; janë të të gjithëve. Ka nevojë kjo shoqëri për pak kurajë qytetare. Ka nevojë për presion qytetar, për trysni, ka nevojë për protesta me pankarta: Poshtë vrasësit e vajzave e grave, Të mbrojmë nënat tona, Të mbrojmë fëmijët tanë, Ku është Policia, Çfarë bën shteti, Kështu nuk hyhet në BE. Ku është ligji. Kush e zbaton ligjin? Ka nevojë që dikush të ketë frikë dhe të mos ta përdorë atë armë të mallkuar. Shteti nis te familja. Familja jonë është në rrezik. Vrasësit ikin në drejtim të paditur…Po fëmijët mbeten në shtëpi…
Na mungon çështja, na mungon kauza, na mungon dinjiteti personal për të mbrojtur çështje që s‘janë personale; janë të të gjithëve. Ka nevojë kjo shoqëri për pak kurajë qytetare. Ka nevojë për presion qytetar, për trysni, ka nevojë për protesta me pankarta: Poshtë vrasësit e vajzave e grave, Të mbrojmë nënat tona, Të mbrojmë fëmijët tanë, Ku është Policia, Çfarë bën shteti, Kështu nuk hyhet në BE. Ku është ligji. Kush e zbaton ligjin? Ka nevojë që dikush të ketë frikë dhe të mos ta përdorë atë armë të mallkuar. Shteti nis te familja. Familja jonë është në rrezik. Vrasësit ikin në drejtim të paditur…Po fëmijët mbeten në shtëpi…