E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minas Osmani perforcimi i pare i Renoves

Nga Vullnet DAUTI
Tetovë- Minas Osmani është futbollisti i parë që ka përforcuar skuadrën e Renovës nga Xhepcishti. Drejtuesit e skuadrës së Renovës më në fund kanë arritur të sjellin një përforcim në radhët e tyre, pas tre futbollistëve të larguar (Nermin Fatiq, Goce Petrevski dhe Amir Aliu). Kryetari i K.F. "Renova", Ekrem Sadiku, deklaroi se ia dolën të realizojnë edhe blerjen e parë. "Minas Osmani ka firmosur kontratë me klubin tonë. ai do të jetë pjesë e Renovës në këtë gjysmësezon", u shpreh ai. Përvec Minas Osmanit që ka ardhur në radhët e "bardhë e kaltërve" tani pritet që të nënshkruajnë edhe dy futbollistë tjerë. "Bëhet fjalë për një mbrojtës të krahut të djathtë dhe një mesfushor. Jemi pranë marrëveshjes dhe së shpejti do t'i publikojmë emrat e tyre", përfundoi Sadiku. Trajneri Vllatko Kostov me ardhjen e Minas Osmanit (ishin bashkë në Vëllazërimi) ka fituar një lojtarë cilësor dhe pritet që Osmani të jetë një nga shtyllat e skuadrës së Renovës në pjesën pranverore të kampionatit. Përgatitjet e skuadrës së Renovës do të fillojnë më 17 janar, ndërsa sipas drejtuesve të klubit janë të hapura të gjitha variantet rreth fazës së dytë përgatitore. Pra nuk përjashtohet mundësia e përgatitjeve edhe jashtë Maqedonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›