E Shtunë, 31 Tetor 2026

Redknapp, menaxheri i sezonit

Harry Redknapp është zgjedhur menaxheri më i mirë i sezonit në Premierligës. Strategu i Tottenhamit ka marrë çmimin, pasi udhëhoqi ekipin drejt kualifikimit për në Ligën e Kampionëve, për herë të parë në histori të klubit. “Jam i lumtur për çmimin, por është punë e gjithë stafit teknik”, tha Redknapp për ueb faqen zyrtare të klubit.

“Vërtet jam vetëm pjesë e ekipit. Është meritë e futbollistëve dhe ajo që kanë arritur. U takon atyre dhe është nder i madh të pranoj këtë çmim”, shtoi ai. Redknapp mori drejtimin e Tottenhamit në tetor 2008, kur ekipi ishte në pozitën e fundit në tabelë, me vetëm dy pikë nga tetë ndeshjet e para.

Mirëpo, Tottenhami e siguroi pozitën e katërt pas fitores 1-0 në Manchester City të mërkurën mbrëma, ndërsa mund të tejkalojë edhe Arsenalin në të tretin nëse fiton në Burnley të dielën dhe Fulhami mposht Topxhinjtë. Çmimi është votuar nga një panel i ligës, që përbëhet nga Federata e Futbollit e Anglisë, mediumet dhe tifozët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›