Taksistët kundër udhëzimit për liberalizimin e licencave
Emanuela Sako
Taksistët dalin kundër udhëzimit të Ministrisë së Transporteve për liberalizimin e licencave të taksive. Sipas tyre, udhëzimi nuk përfaqëson interesat e tyre, por është një rregullore që nuk është marrë parasysh mendimi i palëve të interesit, që në këtë rast janë taksistët. Kryetari i Shoqatës së Taksistëve, Gëzim Bardhi, në një intervistë për gazetën “Albania” shprehet se taksistët nuk janë pyetur, nëse janë dakord me rregullat e reja që kërkohen të zbatohen për taksistët. Sipas tij, ky është një diskriminim që i bëhet taksistëve me licencë dhe që hap rrugë për abuzime nga ata taksistë që punojnë pa licencë. Ndërkohë që, ajo që shfaqet më problematike për ta, është se me udhëzimin e ri, licencës i bie vlera, pasi kushdo mund të marrë licencë dhe të zërë vendin e atyre që punojnë sipas rregullave. Bardhi shprehet se taksistët nuk janë dakord me një ndër pikat e udhëzimit, ku kërkohen që si taksi të shërbejnë autovetura të prodhuara vitet e fundit. Kjo pasi, do të rëndonte në kurriz të atyre taksistëve që punojnë me taksi më të vjetra. Në këtë mënyrë pretendimet e tyre qëndrojnë se duke parë kushtet e jetesës dhe nivelin e shqiptarëve, makinat e përdorura shumë nuk do të përbënin ndonjë problem. Në bazë të kësaj rregulloreje të re, Ministria ka pasur parasysh se makinat e vjetra, do të ndotnin ambientin, ndërsa klientët nuk do të ishin dakord për të hipur në një makinë në kushte që nuk mund të krahasohen me një makinë të re. Sipas, kryetarit Bardhi, shoqata e taksistëve i është drejtuar Bashkisë së Tiranës, duke i parashtruar kërkesat e tyre dhe arsyet se përse udhëzimi nuk mund të hyjë në zbatim. Për të, në radhë të parë duhet të merret parasysh mendimi i taksistëve, të cilët e njohin më mirë këtë treg pune dhe më pas të hartohet udhëzimi me konsensusin e të dyja palëve. Ndërkohë që, Bashkia ka ofruar konsensusin dhe dëgjimin e palëve të interesit, pritet që çështja të diskutohet në Këshillin Bashkiak, ku do të vendoset nëse udhëzimi do të zbatohet apo do të bëhen ndryshime në disa pjesë të tij. Për shkak të pakënaqësive se si po trajtohej “fati“ i tyre, taksistët vendosën të ngrenë “Shoqatën e Taksistëve 1 plus 4, Tirana ”, e cila u ngrit menjëherë pas daljes së udhëzimit. Shoqata përbëhet nga 200 shoferë taksisë, që përfaqësojnë të drejtat e tyre për t’i rezistuar tregut.
Pasi jeni njohur me udhëzimin e Ministrisë së Transporteve, ju keni reaguar duke e kundërshtuar. Pse jeni kundër udhëzimit më të ri i cili bën liberalizimin e taksive?
U bë një muaj që Ministria e Transporteve ka nxjerrë udhëzimin për liberalizimin e licencave, të cilin e kemi kundërshtuar, Arsyet që ne jemi kundër këtij udhëzimi, janë sepse nëpërmjet tij, ne na shkelen të drejtat tona. Për më tepër, udhëzimi lë vend për abuzime të shumta, të cilat rëndojnë mbi punën tonë.
Cilat janë pikat e udhëzimit me të cilat ju nuk bini dakord ?
Ne nuk biem dakord lidhur me pikën 1 të udhëzimit ku thuhet: ”Numri i licencave të lëshuara në shkallë vendi, për shërbimin taksi 1 plus 4 vende do të jetë i pakufizuar”. Këtë pikë ne e kundërshtojmë, pasi si taksapagues të rregullt të këtij shërbimi më shumë se 10 vjet, na bën zhvlerësimin e licencës sonë. Kështu do të bëhej një treg i deformuar ku na ka munguar tërësisht përkrahja e strukturave përkatëse të shtetit, të cilat me indiferentizmin e tyre kanë lejuar lulëzimin e konkurrencës së pandershme. Dështimin nga ana e shtetit në luftën kundër informalitetit nuk kemi pse ta paguajmë ne. Po kështu, duke qenë se shërbimi taksi 1 plus 4 ka si kriter kryesor 1 taksi për 1000 banorë, ne kërkojmë që ky numër të ulet. Nuk biem dakord edhe me pikën ku flitet për vitin e prodhimit të autoveturave.
Çfarë problemi do të kishte për ju futja në tregun e shërbimit taksi, makinat që janë prodhim i vitit të fundit?
Sigurisht që përparësi do të kenë autoveturat e reja. Por të mos harrojmë se jetojmë në një vend të varfër me të ardhura të kufizuara. Për këtë mendojmë se duhen përfshirë edhe taksitë “Pirate”, të cilat plotësojnë kushtet për pajisjen me licencë, por që fatkeqësisht janë shumë pak. Në këtë mënyrë ulet sadopak informaliteti.
Nëse rritet numri i taksive, mendoni se do të ketë probleme me vendqëndrimin?
Ky është një problem i madh dhe tepër i rëndësishëm për ne, i cili kërkon një zgjidhe. Pasi kjo pjesë nuk parashikohet në udhëzim dhe nuk është marrë parasysh nga hartuesit e udhëzimit. Pasi kemi zona si për shembull: “Komuna e Parisit”, spitalet, zona e Bërrylit, “Ali Demi”, Laprakë etj, në të cilat nuk ka asnjë vendqëndrim për taksitë. Për këtë kërkojmë një zgjidhje të menjëhershme për të mos u krijuar probleme dhe kaos në shërbimin taksi në kryeqytet.
Në udhëzimin e ri parashikohet ndryshimi i afatit për dhënien e licencave. Si e komentoni këtë pikë?
Afati i dhënies së licencave mbetet një shqetësim për “Shoqatën e taksive” 1 plus 4, e cila ka qenë 1 vjeçare dhe tani ka kaluar 1 mujore, që është një stres më vete. Duke qenë se për 10 vjet kemi treguar një korrektesë shembullore në kryerjen e detyrimeve financiare, do të ishte më mirë të na jepnin licenca të përhershme, duke paguar taksat çdo vit. Në këtë mënyrë do të shmanget burokracia e tepruar, pasi për çdo taksist Bashkia e Tiranës, disponon një mal me dokumente, të cilat vërtetojnë korrektësinë tonë ndaj saj. Një problem tjetër që na shqetëson është ai i taksive të komunave dhe i taksive false, që kryejnë shërbimin taksi brenda qytetit të Tiranë, të cilat paguhen dhe i takojnë vetëm taksive të Bashkisë së Tiranës. Për këtë, kërkojmë që Policia Bashkiake të bëjë verifikimin e licencave të taksive 1 plus 4, të cilat kanë pullën e Bashkisë te dera dhe të largojnë taksitë e komunave që kryejnë shërbim të paligjshëm në territorin e Tiranës.
A i keni shtruar kërkesat tuaja në Bashkinë e Tiranës?
Ne kemi takuar autoritetet Bashkiake dhe ata na kanë thënë se do të merren parasysh kërkesat tona. Njëkohësisht na është komunikuar që të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak kur do të diskutohet për këtë çështje. Në këtë mbledhje ne do të përfaqësojmë grupin e interesit për të mbrojtur punën tonë.
Kur është krijuar Shoqata e Taksistëve që ju përfaqësoni?
Menjëherë pas daljes së udhëzimit nga Ministria e Transporteve, të gjithë taksistët nuk ishin dakord me ktë udhëzim. Për këtë arsye, dy apo tre ditë, pas daljes së udhëzimit u mblodhëm dhe krijuam shoqatën, në të cilën janë rreth 200 taksitë. Ndërkohë që në të Tiranën janë rreth 480 taksi me licencë.
Duke u mbështetur tek udhëzimi, cilat makina do të kenë më tepër prioritet?
Më tepër prioritet do të kenë shoqëritë e taksive të cilat do të fusin në treg makina më të reja. Për shembull, makinat e tipit Masda, Skoda, Volsvagen etj.
25 Qershor 2008