E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet, kërkohej nga drejtësia italiane për trafik



FIER - Operacioni i koduar “Adriatik 2008 II”, ka vënë në pranga një të kërkuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se shtetasi Fejzi Bibo është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në banesën e tij në Levan. 50 vjeçari Bibo është dënuar nga gjykata italiane në Torino me 12 vjet burg në vitin 2003, masë e lënë kjo në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit në Torino një vit më vonë. Fejzi Bibo që prej asaj kohe kishte braktisur Italinë për tu rikthyer në vendlindje, ku prej 4 vitesh kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë. Arrestimi i tij erdhi pas një vendimi të Gjykatës së Fierit e cila kishte dhënë për të masën e arrestit me burg. Burimet policore bëjnë të ditur se Bibo pritet të ekstradohet drejt vendit fqinj ku do të vuaje dënimin për veprën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Shkëndija elektrike djeg banesën 1-katëshe

PEQIN – Një shkëndijë elektrike është bërë shkas për djegien e një banesës 1-katëshe në një lagje të qytetit të Peqinit. Burime të policisë, si dhe të repartit të zjarrfikëses bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës, rreth orës 07.30 të së martës. Flakët kanë përfshirë banesën private në pronësi të shtetasit K. S., 38 vjeç, me banim në lagjen “Xhami”. Shërbimi zjarrfikës i ndodhur menjëherë në vendin e ngjarjes, ka bërë të mundur lokalizimin e vatrës së zjarrit, me qëllim që flakët të mos përfshinin banesat që ndodheshin shumë pranë me banesën e djegur. Grupi hetimor ka konstatuar se banesa është djegur plotësisht bashkë me orenditë brenda saj. Paraprakisht dyshohet se shkak i flakëve ka qenë një shkëndije elektrike.

Frika nga shpërthimet, kontrolle në pikat e shitjes së gazit

LEZHË - Policia për Mbrojtjen nga Zjarrit në Lezhë ka ushtruar një sërë kontrollesh në subjekte të ndryshme, të cilët tregtojnë bombolat e gazit të peshave të ndryshme. Kjo, pasi tregtimi i gazit të lëngshëm pa licencë dhe jashtë kushteve të sigurisë teknike, përbën një rrezik eventual për qytetarët. Nënkomisar Zef Frani, Shef i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit për Qarkun e Lezhës, tha se “gjatë inspektimit kemi hasur në një sërë vështirësish me interesat e tregtarëve. Krahas kontrollit teknik të bombolave të gazit, grupet e inspektimit të zjarrfikësve ne Lezhë kanë vëzhguar edhe pajisjen e subjekteve me fikset e zjarrit, të cilat çdo subjekt është i detyruar me ligj qe t’i ketë pranë aktivitetit. Masat e marra në këtë drejtim vijnë në një kohë kur janë regjistruar edhe raste të problemeve të para për këtë verë.

Përplas me makinë tre vajza, vdes njëra prej tyre

POGRADEC – Një 18-vjeçar, teksa drejtonte mjetin e tij, ka përplasur tre vajza, ku njëra prej tyre ka gjetur vdekjen. Burimet zyrtare të Policisë së Qakut të Korçës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22.00 në lagjen Nr.1 të qytetit të Pogradecit. Sipas njoftimit zyrtar të kësaj drejtorie, autor i aksidentit ka qenë shtetasi Leant Gjona. 18-vjeçari po drejtonte një automjet tip "Suzuki Vitara”, kur mbrëmjen e dy ditëve më parë përplasi tre shtetaset: E.P, 14-vjeçe, B.A., 14 vjeçe dhe S. A 6 vjeçe. Vajzat po bënin shëtitje në rrugët e qytetit, kur befas janë ndodhur përpallë automjetit, që I ka goditur. 14-vjeçarja E.P., gjeti vdekjen si pasojë e plagëve të marra nga goditja. Ndërsa ndodhen në gjendje të rëndë që ndodhen në spitalin e qytetit jashtë rrezikut për jetën. Burimet policore thonë se menjëherë pas ngjarjes, është bllokuar automjeti tip "Suzuki Vitara”, si dhe është ndaluar 18-vjeçari Leant Gjona. Ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›