E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i Letërsisë, “digjen” 2586 maturante per ne universitete



Jonida Tashi

Rezultatet e provimit të Letërsisë kanë evidentuar 2586 maturantë mbetës. Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), ka publikuar dje, rezultatet e provimit të Letërsisë. Ndërkohë, sipas drejtorit të AVA-s, Edmond Lulja, zyrtarisht këto rezultate do të shpallen ditën e sotme. Brenda kësaj dite, maturantët do të njihen me rezultatet e tyre në listat që do të afishohen në shkollat përkatëse. Pas përfundimit të procesit të korrigjimit të testeve në të katër Qendrat e Vlerësimit në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Fier , ditën e hënë pasdite filloi printimi i rezultateve në nota të nxënësve dhe shpërndarja e tyre nëpër DAR/ZA-të, prej ku do të nisen për afishim në shkolla. Në provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore 2008, Letërsi dhe Gjuhë shqipe, morën pjesë 31 880 nxënës. Ndërsa kalueshmëria në shkallë vendi është 91,89 për qind. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sesionin e dytë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm.
Rezultatet
Sipas rezultateve të AVA-s, 12 483 nxënës kanë marrë nota të nivelit 5-6, e shprehur në përqindje 39,15 për qind e sasisë totale. Kanë marrë nota të nivelit 7-8 gjithsej 13 011 nxënës ose 40,81 për qind e sasisë totale. Maturantët që kanë marrë nota të nivelit 9-10 kanë qenë më të paktë në numër krahasuar me shifrat e mësipërme. Kështu, vetëm 3800 nxënës ose 11,92 për qind e totalit të tyre kanë mundur të marrin nota të larta 9-10. Drejtori i AVA-s, ka pohuar se rezultatet e arritura do të jenë objekt studimesh të mëtejshme të thelluara nga ana e AVA-s dhe e MASH-it. Megjithatë, sipas tij, në rezultatet e provimit të Letërsisë është vënë re një shpërndarje normale e notave.
Veç kësaj, po sipas Lules, rezultatet e këtij viti, në provimin e Letërsi-Gjuhë shqipe të Maturës Shtetërore, janë më të mira se ato të vitit të kaluar në cilësi. Një nga treguesit që dëshmon për këtë është rritja e numrit së nxënësve të vlerësuar me notën 10, krahasuar me vitet e mëparshme.
Rishikimi
Çdo pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit që ai ka zhvilluar, me rezultatet përkatëse të vlerësimit. Për këtë, brenda shtatë ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë KSHMSH-së një kërkesë duke paguar një tarifë prej 400 lekësh për çdo kopje të testi, në sekretarinë e shkollës. KSHMSH, pasi grumbullon të gjitha kërkesat, i shqyrton ato rast pas rasti dhe i përcjell në KMSH pranë DAR/ZA-së, së bashku me një mandat-arkëtimi të përbashkët për të gjithë kërkuesit, për llogari të AVA-s. KMSH pranë DAR/ZA shqyrton kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandat- arkëtimet përkatëse. AVA, pasi merr kërkesat, dërgon në KMSH të DAR/ZA fotokopjet e testeve të kërkuesve. KMSH e DAR-it/ZA-s i përcjell këto fotokopje tek KSHMSH, i cili jep fotokopjen e tij kërkuesit. Çdo kërkues firmos për tërheqjen e fotokopjes së testit. Nisur nga procedurat e vlerësimit të testeve, vlerësimi i shpallur nga AVA, për çdo pjesëmarrës në provime, nuk do të rishikohet.

Procesi
Ditën e diel, në AVA u krye procesi i bashkërendimit (Matching) të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve, për provimin e detyruar të lëndës Gjuhë dhe Letërsi shqipe për Maturën Shtetërore 2008. Në këtë proces morën pjesë përfaqësues të MASH-it dhe ministrit të Arsimit, drejtori i AVA-s, drejtori i APRIAL-it, (Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë) si dhe përfaqësuesit teknikë të AVA-s dhe APRIAL-it. Procesi i Matching (përputhjes ose bashkërendimit) i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve do të kryhet për të katër provimet e Maturës Shtetërore. Testet e maturantëve, pasi fillon provimi, sekretohen, pra pajisen me një bar-kod, i cili përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë, mësuesit (apo asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të bar-kodit nuk njihen me identitetin e maturantëve, dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre. Me përfundimin e vlerësimit, testet e maturantëve ç’kodohen, një proces që kryhet vetëm nga kompjuteri. Kjo do të thotë se vijat e bar-kodit me anën e një aparati (të ngjashëm me atë që përdoret në supermarkete) kthehen në shifra.

Bar-kodet

Ky proces, kryhet nga dy institucione të ndryshme AVA dhe APRIAL, njëra përmban bar-kodet e maturantëve dhe emrat, ndërsa tjetra bar-kodet e maturantëve dhe pikët, rezultatet. Pas vlerësimit të testeve, një komision i përbërë si më sipër kryen procesin e bashkërendimit të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve, pra përputhjen e të dhënave të AVA dhe APRIAL, të emrave me pikët. Anëtarët e komisionit të Matching marrin rezultatet të bashkërenduar me emrat e maturantëve në një kompaktdisk (CD), vetëm të lexueshëm, me të gjithë emrat dhe rezultatet e maturantëve. Nga një CD i tillë i dorëzohet edhe ministrit, dy zëvendësministrave, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm të MASH. Pas këtij procesi, kryhet printimi i rezultateve, i cili u shpërndahet Drejtorive Arsimore, për tu afishuar në shkolla.

Kopjimi, evidentohen pesë raste

Testet e provimit të Letërsisë që dyshohen për kopjim, nuk janë korrigjuar, pasi do të rishikohen nga komisioni i posaçëm i Ministrisë së Arsimit. Nga provimi i parë i detyruar i Maturës Shtetërore 2008, janë evidentuar pesë raste të tilla, ku nxënësit kanë kopjuar nga njëri-tjetri. Për këtë problem, drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, ka bërë të ditur se do të merren masa ndëshkuese jo vetëm për nxënësit, por edhe për administratorët që i kanë lejuar. Për këto parregullsi, MASH-i ngre grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme monitorojnë testet e vlerësuara. Këto grupe gjithashtu shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. “KOPOTED” është Komisioni i ngritur në MASH për shqyrtimin e testeve që dyshohen për kopjim. Në bazë të rregullores së Maturës, nëse maturanti merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës të tjerë, përjashtohet nga provimi ose nuk i njihen rezultatet. KOPOTED për të gjitha parregullsitë që konstaton informon Ministrinë e Arsimit, e cila merr dhe vendim përkatës për parregullsitë. Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret edhe nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore.

Të dhëna
31 880 maturantë kanë marrë pjesë në provimin e Letërsisë
2586 prej tyre kanë rezultuar mbetës në këtë provim
91,89 për qind është kalueshmëria në shkallë vendi
12 483 maturantë kanë marrë nota të nivelit 5-6
13 011 maturantë kanë marrë nota të nivelit 7-8
3800 maturantë kanë marrë nota të nivelit 9-10

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›