Formulari për punësim sezonal në Bashkinë e Tiranës
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës iu ofron mundësi punësimi sezonal në administratë studentëve që sapo kanë mbaruar studimet. Puna për të gjithë studentët do të jetë sezonale, ndërsa ata duhet t’i nënshtrohen një përzgjedhjeje. Drejtori e Menaxhimit të Strehimit dhe punësimit, ka vënë në dispozicion formularin që duhet të plotësojnë studentët për të aplikuar për punësim. Sipas burimeve pranë bashkisë, projekti “Punësimi Veror Sezonal – 2008” do të jetë pjesë e aktivitetit të Bashkisë së Tiranës edhe gjatë vitit 2008, duke i ofruar mundësi studentëve pjesëmarrës të njihen me administratën lokale. Në këtë mënyrë ata do të vënë në praktikë dijet e marra në procesin akademik, si dhe do të identifikohen si potencialë të mundshëm që pas përfundimit të studimeve të integrohen në strukturat e administratës lokale.
Formulari
Formulari që duhet të plotësojnë studentët do të përmbajë të gjitha të dhënat për secilin prej tyre. Studentët duhet ta plotësojnë me qartësi formularin, me emrin, mbiemrin, ditëlindjen, vendlindjen, universitetin, degën, mesataren e lëndëve etj. Njëkohësisht, ata duhet të argumentojnë se si e vlerësojnë këtë projekt të nisur nga Bashkia e Tiranës. Bashkëngjitur me kërkesën studentët duhet të dorëzojnë CV-në, listë notash, vërtetim nga fakulteti ku studion, një rekomandim nga një pedagog i degës, një esse me temë “Ja pse duhet të marr pjesë në këtë projekt”.
Punësimi
Vetëm pak ditë më parë, Bashkia punësoi në administratë 15 studentë të sapodiplomuar. Kështu, Bashkia e Tiranës iu jep mundësinë të rinjve të sapodiplomuar për t’u praktikuar pranë ambienteve të saj, sipas sektorëve përkatës. Në bazë të programit të ri të praktikave profesionale, 15 të sapodiplomuar kanë filluar punë me të drejtë page dhe duke iu paguar sigurimet shoqërore. Në vijim të eksperiencës së krijuar tashmë në vite, për punësimin e të rinjve për sezonin veror, këtë herë Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Punësimit, po fillon aplikimin e një programi të ri për punësim të punëkërkuesve, të cilët kanë mbaruar shkollat e tyre, brenda apo jashtë vendit. Këta studentë të sapodiplomuar do të kryejnë praktikat profesionale, sipas specialiteteve dhe profesioneve përkatëse, duke siguruar kështu mundësi për rritjen e aftësive të tyre praktike profesionale dhe duke i bërë ata të gatshëm dhe të aftë në treg. Sipas Kryebashkiakut Edi Rama, kjo nismë do të shërbejë si një model kombëtar për të gjithë të diplomuarit që kanë ambicien për t’i shërbyer shtetit shqiptar në një prej niveleve të organizimit të tij dhe nuk mundet të mbeten rrugëve të papunë. Bashkia e Tiranës, duke u mbështetur në kontributin dhe punën e gjithsecilit prej tyre, pas kësaj periudhe 6-mujore do të ketë prioritet punësimin e tyre definitiv, brenda strukturës së saj.
25 Qershor 2008