E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipti dhe paralelet me revolucionin iranian

Nga Fareed Zakaria më 09 shkurt 2011 në ora 12:15

Një fantazmë po i sillet Perëndimit. Në vitin 1979 Shtetet e Bashkuara u ndodhën para revolucionit në Lindjen e Mesme dhe panë aleatin e tyre të palëkundur, shahun e Iranit Reza Pahlavi të rrëzuar dhe të zëvendësuar nga një republikë islamike teokratike. Tani dëshmitarë të një tjetër revolucioni popullor, në një tjetër vend të Lindjes së Mesme shumë vetë duken të nervozuar nga ky kujtim. Frika e ardhjes në pushtet të islamikëve nuk është e kufizuar te Glenn Beck-u dhe parashikimi i tij se rrëzimi i Hosni Mubarakut do të çojë në lindjen e një kalifati islamik që sheh nga dominimi i botës. (Rekomandimi politik i Beckut për amerikanët ishte edhe më i krisur: “stivoni ushqime”).

Politikanë konservatorë seriozë si Mitt Romney dhe John McCain e përshkruajnë opozitën islamike të Egjiptit në terma jo dhe aq të ndryshëm nga të Beckut. Në të majtë, Richard Cohen i Washington Postit, shkruan: “Ëndrra e një Egjipti demokratik me siguri do të prodhojë një makth”.
Leon Wieseltier beson se islamikët do të tentojnë një marrje të pushtetit në stilin bolshevik. Gjithë këto gjëra mund të vërtetohen një ditë, por ka pak evidenca që mbështesin skenarët e frikshëm. Protestat e egjiptianëve kanë qenë shekullare. Vëllazëria Muslimane është një nga grupet e shumta pjesëmarrëse të cilat pa përjashtim kanë kërkesa që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Egjipti nuk është Irani dhe kjo në një duzinë formash të rëndësishme. Klerikët sunitë këtu nuk luajnë rol hierarkik apo politik siç ndodh në Iran. Ndoshta më e rëndësishmja, regjimi aktual në Iran nuk është një model popullor në botën arabe. Egjiptianët kanë provuar Mubarakun dhe mullahët dhe nuk duan asnjërin-një sondazh i Pew Center në vitin 2010 zbuloi se shumica mbështesin një qeverisje demokratike.

Paniku i kësaj të ardhmeje të imagjinuar po i heq sytë e amerikanëve nga problemi aktual në Egjipt: diktatura ushtarake. Egjipti nuk është një regjim i bazuar te një personalitet, Mubaraku, pavarësisht raportimeve për pasurinë dhe përpjekjet e tij për të instaluar të birin si pasardhës. Që nga puçi i oficerëve në vitin 1952, Egjipti ka qenë një diktaturë e ushtrisë, nga ushtria dhe për ushtrinë. Ata pak presidentë të dalë që nga ajo kohë kanë ardhur nga trupa e oficerëve; forcat e armatosura kanë buxhete të stërmëdha dhe pavarësi totale dhe janë të përfshirë me rrënjë në çdo aspekt të shoqërisë, përfshirë pronësinë mbi plantacione të mëdha toke dhe qindra kompani.
Për momentin ushtria po konsolidon pushtetin e saj. Përpjekjet e Mubarakut që nga 2004-a për të sjellë civilë dhe përfaqësues të biznesit në kabinetin e tij janë hedhur poshtë gjatë javës së shkuar-në fakt biznesmenët janë kthyer në koka turku, të sakrifikuar në mënyrë që gjeneralët të vazhdojnë të udhëheqin.

Tre njerëzit që udhëheqin Egjiptin-zëvendëspresidenti, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes-vijnë nga ushtria. Gjysma e kabinetit janë ushtarakë dhe rreth 80 për qind e guvernatorëve kanë dalë nga forcat e armatosura. Ushtria duket se ka vendosur të sakrifikojë Mubarakun, por po përpiqet për të menaxhuar procesin e ndryshimit, të sigurohet se mbetet e plotfuqishme. Egjipti, kij parasysh, ende udhëhiqet nga ligjet dhe gjykatat ushtarake.

Shumë komentatorë kanë hequr paralele me Turqinë, ku ushtria luajti një rol kyç në modernizimin e vendit. Por ushtria në Turqi e ka lëshuar pushtetin me gjysmëzemre dhe vetëm pas trysnisë së vazhdueshme të BE-së, e cila ka kërkuar dobësimin e rolit të ushtrisë në politikë. Rreziku është se Egjipti nuk do të bëhet Turqia, por Pakistani, një demokraci e rrejshme ku pushteti i njëmendtë kontrollohet në prapaskenë nga gjeneralët.

Administrata e Obamas e ka mirë që po punon për të prodhuar një tranzicion të butë. Rreziku i kaosit është real: pikëpamjet e Vëllazërisë Muslimane janë të prapambetura dhe shkatërrimtare. Pa një kushtetutë të re dhe mbrojtje ligjore, ka rreziqe për “një demokraci aliberale”, zgjedhjesh të lira dhe të ndershme nën ligjet aktuale të Egjiptit që do të çonin në rezultate të këqija për pakicat, të drejtat e njeriut dhe liri të tjera. Tranzicioni duhet të përfshijë jo vetëm Mubarakun por të gjithë sistemin e drejtuar prej tij.

Ia vlen të kujtosh se çfarë ka çuar në lindjen e ekstremizmit islamik dhe zemërimit antiamerikan në Lindjen e Mesme. Arabët e shohin Washingtonin si mbështetës të diktaturave brutale që shtypin popujt e tyre. Ata besojnë se kjo shtypje anashkalohej sa kohë që regjimet ndiqnin linjën e politikës së jashtme amerikane. Nëse Washingtoni aktualisht shihet si ndërmjetës i një marrëveshjeje që mban në pushtet diktaturën ushtarake në Egjipt, de juro apo de facto, rezultati do të jetë një pakënaqësi e thellë dhe frustrim në rrugët e Kajros. Me kalimin e kohës opozita ndaj regjimit dhe Shteteve të Bashkuara do të bëhet edhe më e ashpër, më fetare dhe më e dhunshme. Ky mund të jetë paraleli i njëmendtë me forcat që çuan në revolucionin iranian. (Washington Post)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›