Reeve:Kosova ka banda dhe elementë kriminal
Pas disa muajsh vonesë, misioni i BE-së, EULEX, ka marrë nga UNMIK-u në duart e veta misionin e ligjit dhe rendit në Kosovë. Megjithatë operacioni EULEX do të jetë një sfidë e madhe ndërsa tensionet etnike në Kosovë mbeten ende të larta. Zëvendës-kreu i EULEX-it, Roy Reeve, në një bisedë për BBC ka thënë se nivelet e larta të korrupsionit dhe krimit të organizuar janë një shqetësim shtesë për sigurinë. "Gjithnjë do të ketë një rrezik, jo aq shumë nga çështjet politike, por se këtu në Kosovë ka banda të mëdha dhe elemente kriminale", ka thënë Reeve. Megjithatë, Reeve ka potencuar se,"kushdo që përpiqet të vendosë një strukturë të sundimit të ligjit, do të përballet me kundërshtime", sepse siç u shpreh ai, "ne do t'u ndërpresim atë që po bënin dhe mund të presim një lloj reagimi ndaj kësaj," tha ai. Reeve po ashtu tha se synimin kryesor i misionit EULEX, që ka filluar operimin të martën, do të jetë krijimi i "një shërbim efikas policie që të plotësojë standardet evropiane, një sistem gjykatash, gjyqtarësh, prokurorësh, që mund të veprojnë gjithashtu sipas një standardi evropian". Ai shtoi se misioni do të veprojë në një afat të gjatë, për shkak edhe të madhësisë së detyrës që ka përpara.