E Diel, 1 Nëntor 2026

Referendum për ligjin e ish-spiunëve

22/02/2005  Cako, Ndoka dhe Berzani do të kërkojnë votim të drejtpërdrejtë për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit

Pas zgjedhjeve parlamentare do të nisë verifikimi i dosjeve të deputetëve

Iniciatorët e projektligjit të përjashtimit të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit nga administrata e lartë, kanë deklaruar se do të kërkojnë referendum popullor për miratimin e këtij drafti. Sipas tyre, në rast se seanca e ditës së enjte nuk do të pranojë këtë draft, ata do t'i bëjnë thirrje publikut, për të shprehur të drejtën e zgjedhjes me referendum. Ky reagim ka ardhur pak ditë pasi Komisioni parlamentar i Ligjeve ka rrëzuar në parim, pa diskutuar nen për nen projektligjin në fjalë. Sipas rregullores, një projektligj nuk kalon për votim në seancë, në rast se nuk miratohet nga komisionet kuvendore. Drafti përcakton se kandidatët për deputetë apo për kryetar të bashkive duhet të deklarojnë para votimeve, nëse kanë qenë ose jo bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës komuniste. Iniciatorët Nard Ndoka, Ilirian Berzani dhe Alfred Cako shprehen se propozimi i tyre është konform Kushtetutës, pasi janë zgjedhësit, ata që vendosin mbi përfaqësuesin e tyre në parlament apo në Pushtetin Vendor. Ndërsa është theksuar se një veprim të tillë e kanë ndërmarrë një sërë shtetesh ish-komuniste. Për iniciuesit, ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të fshehtë nuk mund të drejtojnë institucionet publike. Kjo sepse ata kanë qenë kundër demokracisë, apo kanë ndihmuar për dënimin e atyre që kërkonin demokracinë.

Propozimi

Në një prononcim për gazetën "Metropol", Alfred Cako shprehet se grupi iniciator do të nisë të mbledhë firmat e votuesve shqiptarë për të kërkuar referendum mbi ligjin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Cako thekson se, pasi të mblidhen firmat e kërkuara, procedura do t'i kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por, para këtij hapi, do të kërkohet rikthimi i diskutimeve në parlament, pasi rregullorja e re e pranon një veprim të tillë. "Në rast se drafti nuk miratohet në parlament, do të jenë vetë votuesit shqiptarë, që do të shprehen me referendum mbarëpopullor", tha Cako. Por, duke parë se Kodi Zgjedhor nuk lejon që referendumi të zhvillohet gjashtë muajt e fundit të mandatit të parlamentit, Cako thekson se do të përcaktohet një dispozitë e veçantë për të rregulluar këtë çështje.

Vendimi

"Në rast se projektligji miratohet me referedum, pas zgjedhjeve parlamentare, ata deputetë, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit do t'u rikthehen ballafaqimit me votë", shprehet Alfred Cako. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të arrihet që të eliminohen të gjithë anëtarët e Sigurimit të Shtetit. Sipas kësaj procedure, pas miratimit të draftit me referendum, dosjet e të gjithë deputetëve do të rishihen. Në rast se re rezulton që një parlamentar ka qenë anëtar i Sigurimit të Shtetit, në zonën ku ai ka fituar do të rizhvillohen votimet. Në këtë rast do të jetë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, që do të verifikojë deklaratat e deputetëve. Cako thotë se një pjesë e deputetëve shpresojnë që ta shtyjnë këtë projektligj për pas zgjedhjeve. Ndaj, iniciatorët kanë vendosur që për këtë të vendosin një nen të veçantë, që do të veprojë dhe për të zgjedhurit.

Përcaktimet e Kodit Zgjedhor

1. Nuk mund të zhvillohet referendum kushtetues ose i përgjithshëm gjatë periudhës nga gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, deri tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri.

2. Nuk mund të zhvillohet referendum vendor gjatë periudhës nga tre muaj para përfundimit të mandatit të organeve të qeverisjes vendore, deri tre muaj pas mbledhjes së parë të këshillave vendorë.

Nafiz Bezhani, një nga iniciatorët e projektligjit

Deputetët Alfred Cako, Ilirian Berzani dhe Nard Ndoka kanë hartuar projektligjin për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me të ndjerin Nafiz Bezhani, i cili para disa vitesh ka qenë dhe kryetari i Komisionit të Kontrollit të Figurave të parlamentit. Drafti është paraqitur në parlament, rreth gjashtë muaj më parë, por ka filluar të diskutohet vetëm një javë më parë. Në Komisionin parlamentar të Ligjeve, drafti është hedhur poshtë me shtatë vota pro dhe gjashtë kundër. Megjithatë, deputetët e të dy forcave politike janë shprehur se janë pro kësaj iniciative, por kanë votuar kundër saj, duke theksuar se ka nevojë për përmirësime të mëtejshme. Pas këtij veprimi me iniciatorët janë afruar dhe disa deputetë të tjerë, të cilët kanë kërkuar që drafti të rikthehet për t'u diskutuar në parlament. Deputetët Cako dhe Ndoka kanë theksuar se vetëm pasi parlamentarët të kenë deklaruar bashkëpunimin, që kanë pasur me Sigurimin e Shtetit, do të jenë të çliruar nga presionet që ushtrohen mbi ta. Madje, ata kanë theksuar se në parlament janë rreth 30 deputetë, që kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit. Nga ana tjetër iniciatorët kanë hedhur poshtë deklaratat e dhëna se drafti është i paplotë dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare. Ata janë shprehur se asnjë deputet nuk ka nisur diskutimin nen për nen, ndaj dhe ky argument nuk qëndron. Madje, ata janë shprehur pro kërkesave për përmirësimin e neneve që mund të jenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Nis shqyrtimi i draftit për kontrollin e Ministrisë së Rendit

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka nisur shqyrtimin e projektligjit për shërbimin e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik. Në mbledhje u ra dakord se ndyshimet në ligjin bazë për organizimin e veprimtarisë së këtij shërbimi ishin të nevojshme, pasi do të përmirësonin cilesinë e punës së shërbimit, por në të njëjtën kohë, këto amendamente kanë nevojë të rishikohen e të përcaktohen më saktë që të mos krijojnë përplasje kompetencash me shërbime të tjera paralele të së njëjtës natyrë, të respektohen të drejtat dhe liritë themelore të individit. Kjo nëpërmjet përcaktimit të saktë në ligj të objektit të veprimtarisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik, të përcaktimit në ligj të procedurave, në bazë të të cilave ai operon, të autoritetit mbikëqyrës së këtij shërbimi dhe, në fund, mënyrën e realizimit të kontrollit ndaj shërbimit si në aspektin financiar ashtu edhe atë operativ.

Ndoka: Në Kuvend do të bëhet votim i hapur

Projektligji për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit do të votohet në seancë plenare, për t'u rikthyer ose jo në komisione. Një nga iniciarorët, Nard Ndoka, shprehet në një prononcim për "Metropol" se do të kërkojë votimin nominal prej të gjithë deputetëve. Vota pro ose kundër, sipas tij, do të tregojë se cili nga parlamentarët kërkon publikimin e të dhënave për kandidatët për deputetë. Nga ana tjetër, Ndoka thekson se, deri më tani një pjesë e mirë e deputetëve kanë dhënë mbështetjen e tyre, për të votuar pro projektligjit. Reformatori Ndoka thekson se, po qe se në seancë nuk do të pranohet rikthimi i draftit për diskutime, iniciatorët do t'i drejtohen votuesve me një kërkesë për referendum.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›