E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët të votojnë aty ku punojnë

22/02/2005  Moisiu pro iniciativës të PD-së, PR-së dhe LSI-së për të drejtat e shqiptarëve jashtë atdheut

Presidenti i Republikës kërkon krijimin e një ministrie të posaçme

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka dalë në mbështetje të iniciativës së PR-së, LSI-së dhe PD-së, që emigrantët shqiptarë të votojnë në vendet, ku jetojnë dhe punojnë. Sipas tij, nuk është e lejueshme që një e treta e popullsisë përjashtohet nga e drejta e zgjedhjes. Si rrugëzgjidhje të problemeve të emigrantëve, kreu i shtetit ka parë krijimin e një ministrie të emigracionit, e cila është e parashikuar dhe në strategjinë kombëtare për migracionin. Moisiu, në këtë mënyrë, ka vlerësuar se vetëm kur emigrantët të kenë të drejtën e votës do t'u zgjidhen dhe problemet e tjera, që ata hasin në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Votimet

“Bashkohem me nismat e deritanishme, e i kërkoj pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë dhe administrativë, që të krijojnë kushtet dhe të garantojnë të drejtën e votimit të çdo qytetari shqiptar, kudo që ai ndodhet. Edhe nëse nuk arrihet për këto zgjedhje, në zgjedhjet e tjera duhet të realizohet patjetër. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më me përjashtimin nga vota të një të tretës së votuesve, e cila realisht është kontribuesja kryesore në të ardhurat financiare të vendit”, tha Presidenti Moisiu në një takim, ku është diskutuar strategjia kombëtare për migracionin. Kreu i shtetit kërkoi partneritet më të madh me shtetet fqinje në zgjidhjen e problemeve të emigrantëve tanë atje, në mënyrë që komunitetet shqiptare të shndërrohen “në faktor aktiv bashkëpunimi, zhvillimi dhe integrimi për vendet tona”. Në këtë kontekst, Presidenti tërhoqi vëmendjen e shtetit shqiptar, shteteve pritëse dhe organizmave ndërkombëtarë për problemet e krijuara vitet e fundit me emigrantët shqiptarë. “Nuk duhet lejuar që emigrantët të bien pre e shfaqjeve raciste, e dhunës dhe diferencimit. Fëmijët shqiptarë duhet të kenë kushte dhe mundësi reale, përmes shkollave dhe kurseve të organizuara, për mësimin e gjuhës amtare, për njohjen e historisë, gjeografisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Punëtorëve shqiptarë duhet t'u garantohen njohja e viteve të punës, sigurimi shëndetësor dhe i pensioneve. Ata duhet të gëzojnë mundësitë për të patur në çdo kohë konsulencë ligjore të garantuar nga konventat ndërkombëtare si dhe të trajtohen në mënyrë më dinjitoze në kufi dhe të mos ndjehen të kërcënuar nga ulje–ngritjet politike midis vendeve tona. Çdo shoqëri ka njerëz që respektojnë ligjin, por ka edhe nga ata që e thyejnë atë. Edhe kategoria e të dënuarve për vepra të ndryshme duhet të jetë pjesë e kujdesit që të mos përsëriten më raste të gjyqeve falso dhe me standarde të dyfishtë”, theksoi Presidenti Moisiu.

Zgjidhja

Kreu i shtetit shqiptar tha se parandalimi i trafikut ilegal kërkon “zbatimin konkret të strategjive, politika efektive zhvillimi, hapje të vendeve të reja të punës, luftë konkrete ndaj korrupsionit, rritjen e mundësive për studim dhe kualifikim, organizimin e emigracionit ligjor dhe liberalizimin e regjimit të vizave, si dhe me forcimin e institucioneve demokratike dhe stabilitetit të vendit”. Moisiu kritikoi pengesat në zhvillimin e biznesit dhe tha se është koha për “reformimin real të sistemit të regjistrimit dhe funksionimit të biznesit, në mënyrë që të mos dëbojmë, por të përfitojmë vende të reja pune dhe kapitale nga kjo kategori biznesmenësh të suksesshëm”. Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti Moisiu tha se është e nevojshme “krijimi i një regjistri bazë të të dhënave të plota për emigrantët shqiptarë, për studentët tanë në vende të tjera, për shoqatat dhe organizimin e tyre, për krijimin e qendrave kulturore si dhe realizimin e lidhjeve dhe transparencës informative në përputhje me sugjerimet e parashtruara në Planin Kombëtar për Veprim”.

Shpërndarja e emigrantëve

Greqi 600 000

Itali 250 000

Gjermani 15 000

SHBA 150 000

M. Bashkuar 50 000

Belgjikë 5 000

Francë 2 000

Kanada 11 500

Zvicër 1 500

Austri 2 000

Vendet e Ulëta 1 000

Turqia 5 000

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›