Referendumi, Komisioni i Venecias: Është antikushtetues
Komisioni vlerëson Kodin e ri Zgjedhor
“Amandamentet PD-PS, sipas standardeve”
Komisionit të Venecias i është dashur afro një vit për të vendosur në mënyrë të qartë dhe profesionale se një referendum për ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë është antikushtetues. Ky komision u jep të drejtë nga ana juridike dy partive kryesore në vend, PD-së dhe PS-së, që nuk lejuan një referendum për ndryshimet në Kushtetutë dhe rrëzon kërkesën e LSI-së për referendum. Madje, sipas Komisionit të Venecias, amendantet kushtetuese të miratuara me konsensus nga demokratët dhe socialistët, më 21 prill 2008, ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sipas këtij institucioni ndërkombëtar, kërkesa për referendum për ndryshimet në Kushtetutë është antikushtetuese, pasi bie ndesh me vetë nenin përkatës që përcakton të drejtën e referendumit. Në këtë mënyrë, kërkesa e disa formacioneve politike shqiptare për të çuar në referendum ndryshimet kushtetuese, pritet të marrë shumë shpejt një goditje të fortë nga Komisioni i Venecias. Kjo për faktin se janë zbardhur dokumentet konfidenciale që raporterët e Komisionit të Venecias kanë përgatitur në adresë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, së cilës iu kërkua pak muaj më parë nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës të shprehet për mohimin që iu bë kërkesës së tyre për referendum nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mësohet se raporterët e Komisionit të Venecias, në tre raporte të ndryshme dhe të pandikuar nga njëri-tjetri, dalin me të njëjtat përfundime: se kërkesa për referendum nuk është kushtetuese. Sipas raportit, rrëzimi i kërkesës nga KQZ-ja nuk bie ndesh me parimin e sovranitetin popullor, të përcaktuar në nenin 2 të Kushtetutës dhe me nenin 150 të saj, që përcakton të drejtën për referendum. Pas këtij qëndrimi që pritet të bëhet publik së shpejti nga Komisioni i Venecias, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila i kishte kërkuar këtij komisioni interpretimin e kërkesës, pritet gjithashtu të rrëzojë kërkesën për referendum, të mbështetur nga LSI. Komisioni i Venecias së shpejti do të miratojë dokumentin më të ri për Shqipërinë, kësaj radhe për Kodin Zgjedhor. Ky dokument ka në thelb të tij rekomandime të përbashkëta të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore. Në këtë rast, ky komision përmes dokumentin që do të bëjë gati, do të vlerësojë dhe punën e bërë nga partitë kryesore në vend për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Bëhet e ditur se rekomandimet përfshijnë sugjerime për ndryshime, por Komisioni i Venecias sugjeron që këto të bëhen në një të ardhme tjetër. Deri atëherë, Kodi Zgjedhor konsiderohet një bazë e mirë ligjore për një standard të ri zgjedhjesh në Shqipëri.