E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 7 prill, NATO ngre flamurin e Shqipërisë



Ceremonia, tre ditë pas anëtarësimit në NATO

Shqipëria, gati delegacionin për në Strasburg

Mes 26 flamujve të vendeve anëtare, NATO para selisë së saj në Bruksel në datën 7 prill 2009 do të ngrejë edhe flamurin kuq e zi të Shqipërisë. Tre ditë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në datën 4 prill 2009, në shenjë simbolike, NATO ka vendosur që flamurin e Shqipërisë ta ngrejë përkrah atyre të vendeve të tjera të aleancës, pikërisht në datën 7 prill. Një ceremoni simbolike nga ana e Aleancës, por që për Shqipërinë do të jetë një moment historik, pasi flamuri shqiptar do të jetë përkrah 26 flamujve të vendeve anëtare të NATO-s. Në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, pritet të valëvitet flamuri shqiptar, vetëm disa orë pas zyrtarizimit të hyrjes me të drejta të plota. Për këtë do të ketë një zhvendosje, pasi samiti do të mbahet në Strasburg/Keln, ndërsa ceremonia e ngritjes së flamurit do të kryhet në Bruksel, në selinë e NATO-s. Shqipëria pritet të përfaqësohet në këtë samit me një delegacion të zgjeruar, pasi përveç Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, aktualisht konfirmohen emrat e ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, si dhe përfaqësues nga dy grupet parlamentare PD-PS. Në momentin e anëtarësimit, pritet të jetë i pranishëm dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjithsesi pas 30 ditësh, Shqipëria do të jetë anëtarja e 27-të e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në samitin e Strasburg/Keln, që do mbahet në datat 2 dhe 4 prill, vendi ynë pritet të bëhet anëtar me të drejta të plota në NATO. Bashkë me vendin tonë, do të jetë dhe Kroacia, ajo që synon anëtarësimin e plotë, pavarësisht se është përfshirë në një konflikt me Slloveninë për shkak të çështjes së kufijve. Ndonëse anëtarësimi në NATO është një paketë e përbashkët, Shqipëria nuk rrezikon anëtarësimin e saj, përkundrazi gjatë vizitës që ministri ynë i Jashtëm, Lulzim Basha, zhvilloi para pak ditësh në Bruksel, mori garancinë e plotë nga sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, se në prill Shqipëria hyn në NATO. Kryediplomatja amerikane, pasi vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO, shprehu bindjen se në samitin e Strasburg/Kelnit, Shqipëria do të ulet si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Në të gjitha takimet që z. Basha pati atje, si dhe gjatë Plenares së Këshillit të Atlantikut të Veriut, ai mori vlerësimin e qartë të të gjithë interlokutorëve për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të arritjes së standardeve të Aleancës. Ky vlerësim ka bërë që Shqipëria të ndihet e sigurt për momentin e anëtarësimit të plotë në strukturën e Atlantikut të Veriut, pikërisht dy ditët e zhvillimit të samitit. Por simbolikisht është menduar që në datën 7 prill, të bëhet dhe ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar përkrah vendeve të tjera të NATO. Anëtarësimi i Shqipërisë është një ngjarje e rëndësishme për mbarë shqiptarët, të cilët prej vitesh aspirojnë drejt një ngjarjeje të tillë historike. Reformat e suksesshme të qeverisjes së djathtë duket se kanë përshpejtuar më tepër anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Opozita e majtë duket se nuk e sheh me entuziazëm për shkak se në qershor Shqipëria realizon zgjedhje të reja parlamentare dhe kjo ngjarje e madhe për shqiptarët mund të ndikojë në fitoren e një tjetër mandati të ri qeverisës për mazhorancën aktuale. Kjo, parë përtej interesave të ngushta të së majtës, për ta parë edhe këtë moment historik në këndvështrimin e interesave të ngushta partiake. Por nisur edhe nga fakti se në samitin e një viti më parë, kur Shqipëria u ftua të jetë anëtare në NATO, pikërisht ato ditë të samitit, opozita zhvillonte protesta në rrugët e Tiranës. Pavarësisht kësaj, mazhoranca e djathta ka kontributin thelbësor në çuarjen përpara të reformave në vend, të cilat i hapën rrugën anëtarësimit të plotë në NATO. Shqipëria pas 30 ditësh hap një faqe të bardhë të historisë së kombit shqiptar, atë të hyrjes në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›