E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Më 1 maj dyfishojmë pagat e mësuesve



“I mbajta të gjitha premtimet që bëra”

Festa, Berisha mbledh 3 mijë mësues e pedagogë

Kryeministri Sali Berisha lajmëron në datën 1 maj dyfishimin e pagave për 44 mijë mësuesit dhe pedagogët në mbarë vendin. Gjatë një takimi festiv të zhvilluar dje në Pallatin e Kongreseve me rastin e festës së 7 marsit, z. Berisha mblodhi 3 mijë arsimtarë dhe pedagogë nga gjitha shkollat dhe universitet e Shqipërisë. Ai foli para tyre për prioritetet e qeverisë në sektorin e arsimit, duke vënë theksin tek përmirësimi i kushteve në punë, kualifikimi, ndërtimi i shkollave të reja, si dhe internet në çdo shtëpi. Mes thirrjeve “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha premtoi se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, do të tregojë katër herë më shumë interes për arsimin sesa mandati aktual dhe se do të ketë rritje pagash për mësuesit. "Sot çdo mësues i këtij vendi është i sigurt se më 1 maj të vitit 2009 rroga e tij do të jetë dy herë më e lartë se në vitin 2005. Mësuesit po ndryshojnë, Shqipëria po ndryshon, për punë, kualifikim, strehim, do të jetë motoja jonë", - theksoi z. Berisha. Duke shprehur nderimin e thellë dhe admirimin më të madh edhe të qeverisë shqiptare për mësueset dhe mësuesit, pedagoget dhe pedagogët e vendit, që kontribuuan në edukimin dhe formimin qytetar të fëmijëve shqiptarë, Kryeministri vlerësoi se shkolla është vatra e dytë e ngrohtë familjare, vatra e dijes dhe e formimit profesional të fëmijëve tanë. Ai u ndal në mbajtjen e premtimit për dyfishimin e pagave të arsimtarëve brenda mandatit të parë të kësaj qeverie dhe shtoi se çdo mësues i këtij vendi është i sigurt se më 1 maj të vitit 2009, rroga e tij do të jetë dy herë më e lartë se në vitin 2005. Gjithashtu, Kryeministri garantoi se në mandatin e dytë, mësuesi do të jetë në piedestalin që i takon dhe rritja e madhe e rrogave dhe mundësitë e tjera për punë, kualifikim, strehim, do të jenë motoja jonë. “Në katër vitet që vijnë do të ketë një rritje të madhe të rrogave sesa rritja që patëm në mandatin e parë”, - tha Kryeministri. Në takimin e djeshëm, Berisha foli dhe për reformat e thella, si Matura Shtetërore, apo dhe ajo e TIK shkollave. Ai përmendi se “sot ne kemi një shkollë tjetër, sot në mbarë vendin aplikohet me sukses të plotë Matura Shtetërore e sistemit meritë-preferencë, proces i çliruar tërësisht nga korrupsioni, proces i standardeve më të mira dhe kjo dëshmi e integritetit dhe përkushtimit tuaj të madh është një arritje e madhe për vendin. Brenda mandatit të dytë ne do të arrijmë që çdo fëmijë shqiptar që mbaron klasën e 9-të të ketë mundësi të plotë të vazhdojë shkollën e mesme”. “Mbajta premtimet për rritjen e buxhetit të arsimit, vetëm në 2009 është 44 miliardë lekë”, - deklaroi Kryeministri Berisha para mbi 3000 mësuesve dhe nxënësve të pranishëm në Pallatin e Kongreseve, duke pohuar se “shkolla moderne do të jetë motoja” edhe për qeverisjen e tij të ardhshme, nëse fiton zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kreu i qeverisë u ndal dhe në arsimin e lartë si një tjetër prioritet madhor i kabinetit të tij. “Katërfishuam buxhetin e kërkimeve shkencore. Sot 150 mijë studentë numërohen në Shqipëri kundrejt 50 mijë studentëve që ishin në 2005. Sot kemi mbi 30 studentë mbi 2000 banorë. Ju garantoj se në mandatin e dytë Shqipëria do të ketë mbi 40 studentë në mbi 1000 banorë”, - theksoi z. Berisha.

“Kjo është pranvera e mandatit të ri qeverisës”

Për të djathtën shqiptare, kjo pranverë do të jetë pranvera e një mandati të ri qeverisës. Këtë bindje shprehu dje Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit të madh që organizoi në Pallatin e Brigadave me 3 mijë mësues dhe pedagogë nga gjithë vendi. “Për mua, për mësuesit, për qytetarët shqiptarë, kjo pranverë do të jetë pranverë e NATO-s, do të jetë pranvera e zgjedhjeve të lira, do të jetë pranvera e mandatit të dytë, për fëmijët tanë do të jetë pranvera e internetit, e universit të pafund të tij”, - tha z. Berisha. Mes brohoritjeve të shumta në sallë, Kryeministri vuri në dukje se këtë mars interneti do të prekë, do të funksionojë në 2200 shkolla të vendit kundrejt vetëm 38 kabineteve informatike që numëroheshin në vitin 2005. Por ai siguroi fëmijët shqiptarë se “ky është vetëm hapi i parë dhe kjo është vetëm etapa e parë e vrapit tonë në moshën dixhitale se në katër vitet që vijnë, katër herë më të mëdha do të jenë arritjet tona në këtë moshë, kompjuter në çdo shtëpi, kompjuter për çdo fëmijë do të jetë objektivi ynë, Nxënësit po ndryshojnë, Shqipëria po ndryshon”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›