Operacioni i koduar Darka Jashte, kapet gjysme toni droge ne Lazarat

Gjirokastër, 8 mars 12:49 NOA - Drejtoria Kundër krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Policisë Gjirokastër finalizuan sot me sukses operacionin e koduar “Darka Jashtë” që synonte shkatërrimin e trafikut të drogës nga Lazarati.
Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA informon se në këtë aksion u arrestuan xhaxha dhe nip, Beqir Hasan Avduli, 44 vjeç dhe Hasan Avdul Avduli, 27 vjeç, që të dy, lindur e banues në Lazarat.
“Arrestimi i tyre është bërë mëngjesin e sotëm rreth orës 05.00 në fshatin Lazarat, ku janë sekuestruar 500 kg lëndë narkotike, e dyshuar si mariuhanë”, - treguan për NOA, burime zyrtare policore.
Mësohet se një pjesë e lëndës narkotike është sekuestruar në furgonin me targa Gj 73 20 A, e bërë gati për t’u trafikuar dhe pjesa tjetër është sekuestruar në magazinën e Beqir Avdulit.
Ndaj këtyre dy personave nga Lazarati, rëndon akuza e “trafikimit të lëndëve narkotike”.
Policia tha se lënda narkotike ka qenë e destinuar për trafik jashtë territorit shqiptar, duke identifikuar Greqinë dhe Italinë, si dy vendet që synohej të kalohej droga. Sakaq, materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda.
v.d/NOA