E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Berisha veproi drejtë me shkarkimin



Ish-ministri i MTKRS-së, Ylli Pango, ka ringritur dhe një herë alibinë e tij për skandalin, i cili u bë shkak për shkarkimin e tij si ministër. I ftuar në televizionin “News24”, ai ka mbrojtur veten duke thënë se materiali i transmetuar ka qenë një montim i mirëfilltë dhe një kurth ndaj tij. Por megjithatë, ai e ka cilësuar veprimin e shefit të tij një gjest të drejtë. Kryeministri Berisha e shkarkoi nga detyra vetëm 4 minuta, pasi u transmetuan pamjet e “Fiks Fare”, ku Pango shfaqej duke kërkuar favore seksuale ndaj një vajze në këmbim të punës në ministrinë e drejtuar prej tij. “Kryeministri ka kryer një veprim të drejtë, sepse në fund të fundit ashtu siç qe përgatitur kjo skenë, patjetër që duhej dënuar, sepse në fund të fundit i takoja një force politike në pushtet dhe me çfarëdo lloj gjesti duhej që të dënohej. Ai ka reaguar menjëherë”, - tha Pango, i cili e konsideroi videon një montim të bërë me idenë e kreut të opozitës, Edi Rama. Ai ka tentuar të zbusë gjithë efektin e bisedës së tij me vajzën–gazetare në videon në fjalë, duke thënë se “të dashur njerëz nuk është dhunuar asnjë femër, nuk është rrahur, nuk ka dalë në publik i zhveshur asnjë mashkull. Ka një pjesë e cila ishte mirë të mos ishte, por është më e vogla se ç’mund të ndodhte”. Pango ka akuzuar sërish drejtuesit e emisionit në fjalë se i kanë ngritur atij një kurth të mirëfilltë dhe ka thënë se shumë mesazhe dhe biseda nuk janë transmetuar. Madje, Pango ka deklaruar se do të bëjë ai publike sms të reja, që sipas tij, janë pjesë e kurthit të ngritur nga “Fiks Fare”. Pango i ka cilësuar botimin e pamjeve “sulme barbare, një linçim politik”, madje i ka kujtuar televizionit “Top Channel” se ka mohuar vdekjen e një vajze të cilën ai e ka pasur tek zona e tij elektorale. Ai ka bërë të ditur se do të ngrejë një padi penale ndaj drejtuesve të emisionit. Ndërsa i pyetur me të ardhmen e tij, Pango është shprehur se shumë njerëz kërkojnë që ai të degradohet, por kjo gjë s’do të arrihet. Ndërsa për titullin profesor ai është shprehur se këtë titull s’ka të drejtë t’ia heqë askush, dhe botimet dhe veprat e tij do të qëndrojnë në jetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›