E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, Tadiç: I dëmshëm dhe i panevojshëm

BEOGRAD - Referendumi i serbëve në veri të Kosovës është cilësuar si i dëmshëm dhe i panevojshëm nga autoritetet e Serbisë dhe ndërkombëtarët.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç kumtoi se referendumi i serbëve në veri të Kosovës dëmton interesat e shtetit serb.
Në faqen e tij të internetit Tadiç shkruan se "ka mirëkuptim për dëshirën e popullit serb që të shprehë vullnetin e vet politik, por autoritetet lokale nuk mund të bëjnë më shumë për zgjidhjen e problemeve sesa autoritetet e shtetit të Serbisë. Ky veprim i krerëve të disa komunave në veri të Kosovës mund të zvogëlojë potencialet e Serbisë për veprim dhe nuk është në interesin e serbëve. Referendumi vetëm e pengon Serbinë në përpjekjet e saj për mbrojtjen e interesave legjitime në Kosovë", shkruan Tadiç, duke shtuar se "Serbia nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe do të insistojë që problemet të zgjidhen mbi bazën e rezolutës 1244 të KS të OKB".

Referendumin e serbëve e kanë dënuar dhe autoritetet ndërkombëtare. Raportuesja e posaçme e Parlamentit të Evropës për Kosovë, Ulrike Lunaçek theksoi se "me këtë referendum plotësisht të panevojshëm, fushata paraelektorale serbe ka mbërritur përfundimisht edhe Kosovën." Votimin në këtë referendum ajo e quan si "provokim kontraproduktiv" i cili "do të dëmtojë rëndë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nxitë forcat nacionaliste".

"Përgjigja e vetme e drejtë e qeverisë në Kosovë është forcimi i angazhimit për realizimin e projekteve të filluara në veri. Ajo duhet të bindë popullatën serbe që Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve të saj", u shpreh Lunaçek.

(er.nu/DW/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›