E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet nga burgu për sjellje të mirë, vjedh 80 mijë euro

 

Kishte marrë leje në burg për sjellje të mirë, por ditët në liri i ka shfrytëzuar për të vjedhur.
Klodian Meraja la gjurmët në vendin e vjedhjes së 80 mijë eurove, duke zbuluar jo vetëm autorin e krimit, por edhe skandalin e burgjeve. Sipas policisë, 31-vjeçari Klodian Meraja i kishte bërë mirë planet para se të përfitonte lejen shpërblyese, si pasojë e sjelljes së mirë në qelitë e burgut të Shën–Kollit të Lezhës. Pak ditë më parë, drejtuesit e institucionit të vuajtjes së dënimit kanë firmosur një leje katërditore për të, e cila duhet të mbaronte sot. Sapo ka mbërritur në Tiranë, Meraja, i dënuar me katër vjet burg për 10 vjedhje banesash, ka organizuar një nga vjedhjet më të bujshme të biznesit kryeqytetas kohët e fundit. Bashkë me të atin, Lefter Xerozi, 50 vjeç, me origjinë nga Shijaku, emigrant në Greqi; ish-shokun e burgut kryeqytetasin Jashar Meta, 23 vjeç dhe 21-vjeçaren nga Sukthi i Durrësit, Afërdita Lela, kanë kryer vjedhjen e një shume prej 80 mijë euro në banesën e një biznesmeni të një firme mermeri në Tufinë. Ndërkohë, sipas policisë, e implikuar në këtë ngjarje, paraprakisht, rezulton edhe një studente e Shkencave Sociale, inicialet e të cilës janë E.K., 21 vjeç, por për shkak të mospërcaktimit të saktë të rolit të saj, është vendosur që të ndiqet në gjendje të lirë. Operacioni për kapjen e tyre është kryer mesditën e djeshme nga efektivët e sektorit të vjedhjeve të policisë, nën drejtimin e zëvendësprokurorit të kryeqytetit. Finalizimi ka qenë vënia nën pranga e katër personave që kanë kryer vjedhjen, së bashku me pjesën më të madhe të parave që janë marrë në banesën e biznesmenit. Në njoftimin zyrtar të policisë së kryeqytetit thuhet se, arrestimi i tyre është kryer në një banesë në zonën e Malit të Robit në Durrës, pranë kompleksit turistik Mak-Albania. Pas prangosjes dhe marrjes në pyetje, hetuesit kanë zbardhur mekanizimin e kryerjes së krimit, që ka rezultuar të jetë përgatitur nga Meraja nëpërmjet kontakteve që kishte pasur me katër personat e tjerë, para se të përfitonte lejen shpërblyese nga burgu. Pas prangosjes së vjedhësve, policia ka ushtruar kontrolle nëpër banesat e tyre, ku ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një autoveturë tip “BMW” me targë TR 2747 H, si dhe një shumë kartëmonedhash prej 2 milionësh, valutë e huaj dhe shqiptare. Aktualisht pohohet se policia po punon për dokumentimin e një sërë vjedhjesh të tjera si dhe aktivitetin kriminal, për të cilat dyshohet se janë realizuar nga këta persona. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›