E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin vapa,ISHP fushatë parandalimi

Dje termometri shënoi më shumë se 33 gradë celsius. Ashtu siç e kishin paralajmëruar meteorologët, vapa tashmë ka ardhur. Por pasojat e temperaturave të larta janë shpesh të rënda për shëndetin. 

Për t’i paraprirë dyndjes në urgjenca e komplikacioneve tek të sëmurët kronikë, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur një fushatë informimi për parandalimin prej qytetarëve. Fëmijët dhe të moshuarit janë kategoritë më të rrezikuara nga vapa e madhe. Fushata ndërgjegjësuese ka nisur në qendrat shëndetësore të kryeqytetit, ku po shpërndahen fletëpalosje me këshilla për ditët e nxehta, ndërsa në rrethe do të shpërndahen udhëzime për masat që duhen marrë për mbrojtjen nga dielli. Këshillat për mbrojtjen nga i nxehti kanë nisur për fëmijët e vegjël, pasi janë më të prirur që të paraqesin probleme me shëndetin e sidomos në aparatin e tretjes e frymëmarrjes. Për të eliminuar shfaqjen e virozave stinore mjekët këshillojnë të gjithë prindërit të mbajnë fëmijët në ambiente të freskëta, duke eliminuar në maksimum daljen në temperatura të larta. Po ashtu, këshillohet konsumimi sa më shumë i lëngjeve, të cilat ndihmojnë në hidratimin e trupit, përdorimi i ujit të zier, për një higjienë më të mirë dhe në temperaturë normale të ambientit etj. Për fëmijët më të rritur, mjekët rekomandojnë që kujdesi të përqendrohet tek ushqimet që këta fëmijë konsumojnë, që kërkojnë kushte optimale për t’u tregtuar e përdorur prej tyre. Shmangia e daljeve në orët më të nxehta të ditës vjen edhe për të moshuarit. Nëse ata janë të sëmurë kronikë të zemrës duhet të kontaktojnë me mjekët specialistë për të reduktuar një pjesë të ilaçeve që kanë të bëjnë me tensionin. Urgjenca e kardiologjisë pret në sezonin e verës mesatarisht 50 të moshuar në ditë për trajtim mjekësor. Piku i tyre arrin në muajin korrik, ku numri i rasteve vetëm në kryeqytet i kalon 150 urgjenca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›