E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi për imunitetin, Berisha: Ka vështirësi, por do e bëjmë

Dështimi i seancës parlamentare të së hënës dhe mbajtja e referendumit popullor për heqjen e imunitetit kanë qenë kryefjalë e mbledhjes së sotme të qeverisë. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij deklaroi se referendumi për heqjen e imunitetit do të bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës, ndërsa shtoi se koha kur do të zhvillohet do të përcaktohet nga Komisionet përkatëse. Sipas Shefit të qeverisë, në vend ka politikanë që nuk pranojnë të heqin mburojën e imunitetit, ndërsa theksoi se ky prioritet i vendosur nga Bashkimi Evropian duhej të arrihej me konsensus të plotë.

"Kryetari socialist Edi Rama bllokoi për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Bllokimi i heqjes së imuniteit, nuk pengon dot vullnetin e qytetarëve. Rama duhet të mbrojë interesat e socialistëve dhe qytetarëve . Zyrtarët e BE na thanë bëhuni burra dhe tregoni se nuk keni frikë nga vetja juaj, hiqni imunitetin. Shqiptarët tashmë do shprehen me referendum popullor, pavarësisht vështirësive, referendumi do bëhet sipas Kushtetutës ndaj këshilli legjislativ i Parlamentit të hartojë platformën për referendumin” , tha Berisha.
 

Duke analizuar më në thellësi diskutimet e djeshme parlamentare, Kryeministri vuri në pah faktin se “pavarësisht se per variantin ishte rënë dakord mes forcave tona politike, Edi Rama dhe klubi i miliarderëve nuk pranuan dje që të votojnë atë projektligj të përgatitur në çdo gërmë me konsensus të plotë dhe me propozimet e PS”.

“Megjithëse vetë shtypi i opozitës informoi qytetarët e këtij vendi se 94% e qytetarëve ishin për heqjen e imunitetit, megjithëse socialistët në seancën e parlamentit, në komisionin e integrimit, në marrëveshjen e muajit nëntor në të gjitha rastet kishin mbështetur heqjen e imunitetit si një kërkesë kryesore për statusin e vendit kandidat por dhe si një vullnet për një nivel të ri transparence në vend. Ishte Edi Rama dhe klubi i miliarderëve që nuk pranuan dje që të votojnë atë projektligj të përgatitur në çdo gërmë me konsensus të plotë dhe në propozimet e PS” u shpreh Kryeministri.

Po ashtu në mbledhjen e qeverisë Kryeministri është ndalur edhe tek situata në hidrocentralet e vendit. Berisha u shpreh se janë me dhjetëra hidrocentarle në ndërtim e sipër, ndërsa 120 HEC-e të tjerë janë në procesin e marrjes së lejes apo në fillesat e tyre.
 

“Këtij hovi të madh në zhvillimin e tyre duhet ti përgjigjemi me mbështetje më të madhe. Energjia është përparësia jonë, është dega më e përparuar, është investimi më i shkëlqyer që bëhet për ne dhe ata që vijnë pas nesh, është shtylla më e fuqishme e zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi. Në një hark kohor të shkurtër 4-5 vjeçar, shqiptarët do kenë në prodhim prej 1420 kw shtesë energji elektrike, në një kohë që çmimi i energjisë elektrike shkon gjithnjë e në rritje, energjia nga uji mbetet energjia me koston më të ulët dhe qytetarët shqiptarë do kenë mundësi të përballojnë dhe të mbajnë çmime të arsyeshme për shkak të kostos së ulët të energjisë. Shqiptarët do kenë mundësi që kostoja e energjisë të rëndojë më pak se në të gjitha vendet e tjera në botë”, deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›