E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi për plehrat, Lubonja debat me Ristanin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Debat në KQZ për firmat e falsifikuara, por nuk rrezikojnë.

Plehrat, KQZ certifikon 50 mijë firma për referendumin.

Lubonja, debat me Ristanin: Nuk ke kredibilitet të gjykosh.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë sot një vendim lidhur me zhvillimin e referendumit për shfuqizimin e një pjese të ligjit për importin e mbetjeve.
KQZ duket se do ti hapë dritë jeshile zhvillimit të referendumit. Administrata e KQZ-së ka vlerësuar faktin se, nga 65 mijë firma të depozituara për zhvillimin e referendumit edhe pse ka falsifikime, totali i firmave mbetet mbi 50 mijë firma të rregullta. Kjo i lejon grupit nismëtar të Aleancës Kundër Importit të Plehrave që të vijojë me procedurat ligjore.
Debati
Mbledhja e djeshme e KQZ-së u mbyll pa një vendim, për shkak se kryetari Arben Ristani kërkoi më shumë kohë në dispozicion për tu konsultuar me legjislacionin për masat që do të merren ndaj falsifikatorëve të firmave të dorëzuara në KQZ për zhvillimin e referendumit. Sipas administratës së KQZ-së, dyshohet se janë rreth 8438 firma që janë hedhur nga e njëjta dorë ose me gabime në plotësim. Kryetari i KQZ-së e krahasoi falsifikimin e firmave dhe hedhjen e tyre nga e njëjta dorë me votimin familjar, që është kritikuar nga raportet e OSBE/ODIHR-it. Për Ristanin, fenomeni i falsifikimit duhet ndëshkuar dhe, si rrjedhojë, KQZ do të marrë një vendim për këtë çështje. Pse komisionerët që abuzojnë me detyrën dhe që firmosin në emër të votuesve, përfundojnë para drejtësisë dhe shkojnë në burg ose marrin gjobë me dënime, kurse në këtë rast themi çrëndësi ka?! Nuk mund të qëndrojmë me dy standarde, ose krijojmë bazë ligjore dhe rregull për të gjitha rastet dhe jo të vendosim sipas leverdisë sonë. Unë nuk besoj se është kjo rruga që duhet ndjekur. Ne do ta zhvillojmë veprimtarinë tonë për firma të hedhura me një dorë, që janë shkelje e ligjit, deklaroi Ristani. Por anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, u shpreh se rasti i falsifikimit duhej dënuar, por sipas tij shkelje ligjore është dhe dërgimi i shkresës së kryetarit të KQZ-së në adresë të laboratorit të kriminalistikës, pa marrë më parë një vendim me anëtarët e tjerë. Unë jam dakord që ne kemi detyrim ligjor si institucion të kryejmë denoncim në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ndjekje penale për firmëtarët që kanë kryer falsifikimin. Por shkelje e ligjit është dhe tejkalimi i kompetencave dhe të dyja janë vepra penale të rënda, deklaroi Lazaj.

Debatet në KQZ për referendumin
Lavdosh Ferruni:
Shqetësimi ynë kryesor është nëse 50 mijë firma, sipas relacionit tuaj, janë të vlefshme për të kaluar në fazën tjetër sipas ligjit dhe Kushtetutës.
Arben Ristani: Pra, nga verifikimi me sy i firmave, e tha dhe administrata, ndonëse ka mijëra të tjera që janë të falsifikuara, nuk na rezulton se preket shifra që parashikon ligji. Administrata është marrë gjithë kësaj kohe me verifikimin e firmave dhe materialeve të paraqitura dhe nuk dyshojmë që totali i firmave të bjerë nën numrin e 50 mijë firmave.
Njazi Kosovrasti: Në dhjetor ju keni nxjerrë një vendim, 1236, për mënyrën e plotësimit të formularit Tip-f01. Ky udhëzim në pikën katër të tij thotë se çdo nënshkrues plotëson individualisht me shkrim dore të dhënat në rreshtin përkatës, pa korrigjime. Kjo pjesë e vendimit të marrë nga KQZ-ja më 22 dhjetor 2011 është verifikuar nga ana juaj, apo jo?
Arben Ristani: Ata që kanë hedhur firmën, nuk kanë plotësuar rreshtin sipas udhëzimit tonë. Kjo pikë nuk është plotësuar. Ne kemi kërkuar nga Policia Shkencore vetëm verifikimin e firmave. Dhe nuk kemi një numër për plotësimin e rreshtit nga nënshkruesi.
Artan Lazaj: Veprimi juridik i KQZ-së për të kryer akt-ekspertimin e firmave është totalisht veprim i pavlefshëm dhe, në kuadër të të gjitha këtyre, unë ju bëj thirrje ti japim të drejtë vijimit të Referendumit.
Pandeli Varfi: Dërgimi i fletëve nga ana e KQZ-së për tiu nënshtruar kontrollit të policisë, meqë jemi në periudhë futbolli, është njëlloj sikur arbitrat të mblidhen në dhomën e zhveshjes dhe të vendosin se cila nga skuadrat do të godasë penalltitë.
Fatos Lubonja: Ne jetojmë në një shoqëri ku problem i madh është kredibiliteti i institucioneve.
Arben Ristani: Nuk jemi këtu për këtë çështje!? Ju lutem flisni vetëm për kërkesën që keni sjellë.
Fatos Lubonja: Kemi një pretendim që gjyqtari që do të na vërtetojë që janë apo jo të falsifikuara firmat, nuk ka kredibilitet dhe vërtetohet nga thënia e anëtarëve të Komisionit.
Blendi Kajsiu: Në lidhje me kërkesën e referendumit, ne përshëndesim faktin që administrata e KQZ-së ka vërtetuar publikisht që janë të vlefshme mbi 50 mijë firma për referendumin. Natyrisht keni të drejtën e debateve dhe diskutimeve, por ne këtu dëgjuam të vërtetuar dhe të legjitimuar pretendimin tonë publik që ne kemi dorëzuar në KQZ mbi 50 mijë firma të vlefshme për referendum dhe unë mendoj që këtij vullneti qytetar të mos i vihen më pengesa.
Arben Ristani: Pse, kush i ka vënë pengesa?
Blendi Kajsiu: Nuk dua të hyj në debat, por do të doja që të mos kishte më pengesa në të ardhmen, në qoftë se këto pengesa kanë qenë në të kaluarën.
Dëshira Subashi: Institucioni i KQZ-së kur vendos për procedura të tilla si ekspertimi, ato duhet ti bëjë në prani të palës së interesuar dhe ti bëjë në mënyrë publike. KQZ-ja duhet ti kishte bërë me disa rregulla dhe më transparente procedurat e ndjekura. Këtu dalin urdhra të brendshëm që duhet të firmosen nga kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së, sigurisht që një urdhër i tillë mungon prej një viti e gjysmë.
Artan Lazaj: Unë jam dakord që ne kemi detyrim ligjor si institucion të kryejmë denoncim në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ndjekje penale për firmëtarët që kanë kryer falsifikimin. Por shkelje e ligjit është dhe tejkalimi i kompetencave dhe të dyja janë vepra penale të rënda.
Arben Ristani: Nuk mund ti lejojmë vetes të qëndrojmë me dy standarde, në rast se shoqëria civile dhe ne si KQZ kemi ngritur zërin kundër votimit familjar. Çfarë kemi thënë në ato raste, kur kryefamiljari hedh firmën në emër të të gjithë fisit? Po në rastin konkret çfarë ka ndodhur? A nuk është kryefamiljari që ka hedhur firmën në emër të familjes apo fisit dhe ka firmosur me një dorë të gjitha firma e tjera?
Atëherë pse në atë rast nuk tolerohet situata, kurse në këtë rast tolerohet situata? Pse komisionerët që abuzojnë me detyrën dhe që firmosin në emër të votuesve, përfundojnë para drejtësisë dhe shkojnë në burg ose marrin gjobë me dënime, kurse në këtë rast themi çrëndësi ka?! Nuk mund të qëndrojmë me dy standarde, ose krijojmë bazë ligjore dhe rregull për të gjitha rastet dhe jo të vendosim sipas leverdisë sonë.
Unë nuk besoj se është kjo rruga që duhet ndjekur. Ne do ta zhvillojmë veprimtarinë tonë për firma të hedhura me një dorë, që janë shkelje e ligjit.

AKIP: KQZ të mos e shtyjë më referendumin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›