“Kryeprokurorja duhej të alarmohej për shkeljet në Prokurori”

Halimi: Ina Rama, jo korrekte në raportimin para komisionit të ligjeve
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e vlerësoi si aspak korrekt dhe në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që duhet të ketë mes institucioneve të drejtësisë në vend, reagimin e prokurorisë së përgjithshme Ina Rama kundër kontrolleve që ministria e drejtësisë ka realizuar pas ankesave të mbërritura nga qytetarët.
Që në krye të fjalës në komisionin Parlamentar të Ligjeve, Halimi sqaroi se institucioni i tij ka vepruar brenda ligjit. Sikundër theksoi ministri Halimi, sistemi nuk mund të funksionojë dhe për më tepër organi i akuzës nuk mund të shfajësohet në mënyrë të vijueshme, duke hedhur përgjegjësinë tek KLSH, ILDKP apo institucione të tjera.
Duke marrë shkas nga reagimi që kryeprokurorja pati gjatë raportimit ndaj inspektimit të ministrisë së Drejtësisë, deputetët e opozitës e cilësuan si të paragjykuar punën e saj, çka shkaktoi një moment debati në komision.
Ajo që Halimi vuri në dukje është se nuk mund të ketë bashkëpunim, kur prokurori i përgjithshëm nuk reagon ndaj situatës së faktuar.
“Raporti që i kemi paraqitur kuvendit dhe po e paraqitim sot këtu ka të bëj me 16 kontrolle. Këto gjetje janë të shkruara në raport. Nga këto në 6 inspektime nuk ka rezultuar shkelje. Ka në vijimësi rekomandime të përgjithshme dhe rekomandime të posaçme në fund të çdo raporti bëhen rekomandime të përgjithshme që kanë të bëjnë me përmirësime e akteve nënligjore që bazohet Prokurori i përgjithshëm me përmirësime që kanë të bëjnë me përmirësimin e dosjeve. Ka dhe rekomandime të posaçme që kanë të bëjnë me kërkesë për fillimin e procedimeve penale për prokurorët që kapen në shkelje. E gjithë raporti nuk ka të bëjë me punën e 300 e disa prokurorëve se nuk kam mundësi unë ti kontrolloj. Ai raport ka të bëj me gjetjen e 15% të prokurorëve që janë gjetur në shkelje jo me gjetjen e një prokurorie që nuk është kontrolluar. Kjo është një situatë që duhet analizuar me përgjegjësi nuk janë pak 15 % e prokurorëve të gjetur me shkelje jo se të gjithë prokurorët duhet të largoheshin nga detyra dhe prokurori i përgjithshëm duhet ti lironte nga detyra”, u shpreh Halimi.
Ministri i Drejtësisë hodhi poshtë të gjitha pretendimet e organit të akuzës, duke shtruar në mënyrë retorike para ligjvënësve pyetjen se nëse nuk inspektohet politika penale, funksionimi i saj, si do të mundët ministria t’i përgjigjet detyrimit të saj ndaj Kuvendit. “Prokurori i përgjithshëm duhet t’i merrte t’i analizonte me përgjegjësi me profesionalizëm të gjitha gjetjet mund të kishte masa disiplinore që mund të kalonin nga vërejte deri në shkarkimin nga puna. Dhe jo në refuzim kategoritë që 315 prokurorë bëjnë punë të shkëlqyer edhe unë largoi zero prokurorë nga detyra sepse kjo nuk i përputhet situatës reale. Në lidhje me politikat penale ka detyra dhe strategji ndërsektoriale që i përkasin Prokurorisë. Nëse t’i thua se e ka gabim ministri që më kontrollon sigurisht kjo në radhë të parë dekurajon prokurorët e ndeshëm i jep krah prokurorët devijant se thotë e bëri prokurori i Tiranës pse mos ta bëj edhe unë këtu. Është shumë e rëndësishme që të këtë raport të mirë me inspektimit sepse inspektimi nuk është për t’i venë minat prokurorisë jo është për t’i hapur sytë sepse nuk mundet që një institucion të kontrolloi vetveten”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.