Referendumi për plehrat, vendimi i KQZ-së përplas juristët

"Një vendim, i cili patjetër kërkon të shtyjë në kalendat greke një çështje që është e qartë. Përderisa KQZ pranoi rregullueshmërinë e mbledhjes së firmave, nuk ka asnjë arsye, asnjë dokument, asnjë ligj që të caktojë një afat më se 6 mujor", u shpreh Omari.
Por juristi, Çlirim Gjata, tha se në Kodin Zgjedhor është e përcaktuar se si veprohet në rastet e kërkesave për referendum. Ai theksoi se ky përcaktim është në kod prej disa vitesh dhe askush, as shoqëria civile, nuk është kujtuar të kërkojë riformulime.
"Mund të jenë kërkesa ligjore absurde, jo demokratike, nuk i takon institucionit ta diskutojë këtë. Shoqëria civile ti kërkojë Parlamentit ta rregullojë këtë punë. Është kërkesë ligjore që deri në mars të vitit aktul, po qe se nuk arrihet të organizohet referendumi, shtyhet automatikisht për vitin pasardhës. Ky ligj duhet të ishte marrë në diskutim qoftë dhe nga kjo shoqëri civile, nuk është hera e parë që kërkon të këtë referendum, që herët duhet të ishte kujtuar", deklaroi Gjata.
Ligji përcakton se në një vit zgjedhor nuk mbahet referendum dhe për këtë arsye, KQZ u akuzua se qëllimisht krijoi këtë situatë, kur dihet se në pranverën e vitit 2013 mbahen zgjedhjet parlamentare. Gjata hodhi poshtë këtë me argumentin se nëse do të kishte pasur një tentativë të tillë nga shumica, pakica në komision ka patur të drejtën të thërrasë mbledhje dhe të fusë në rend dite shqyrtimin e kërkesës, gjë që nuk ka ndodhur.
"Në ligj ka që, mbledhjen e KQZ me rend dite të përcaktuar e thërret kryetari por e thërrasin dhe dy anëtarë. Janë pak abuzive këto pse nuk e ka thirrur më herët pse nuk e ka thirrur më vonë, të gjitha mundësitë kanë qenë", shprehet Gjata, citon “AS”.
Nismën për referendum e ndërmori shoqëria civile pas miratimit në Parlament të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Ajo pretendon se ky ligj krijon mundësi për import të mbetjeve në Shqipëri, kurse përfaqësues të qeverisë gjithmonë e kanë kundërshtuar këtë duke u shprehur qartë se ndiqen procedura mjaft strikte për këtë. /Start/
2012-07-01 16:09