E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reflekse të Përdyvjetshme

Andis Gjoni 

Evokimi i hapur i kufizimit në mentalitetin e ngushtë të artit të cunguar duket se ka tërhequr jo  pak artistë në drejtim të një simbolike tronditëse të shfaqur në realitetin e së Përdyvjetshmes së Tiranës. Nuk di pse pata shtytjen që kur të hidhja këto rreshta të përdorja epitetin e përndershmja, si në rastin e Republikës së Venecias, kumtin e së cilës me siguri kishte kërkuar ta arrinte edhe aventura artistike shqiptare. Dhe për çudi me arritjen e këtij aktiviteti e pata ndjesinë se e Përdyvjetshmja do e kishte të drejtën të quhej e përndershmja, pasi me ndershmëri paraqitëse dhe me gjetje të goditura kuratoriale ia kishte arritur të krijonte një shfaqje interesante të arteve pamore. Dhe sa e vështirë është të realizosh një aktivitet këtu, të gjithë ata që merren me art e dinë. Jo vetëm ndeshet artisti me shurdhërinë e atyre që nuk kanë kokë në drejtim të punëve e të atyre pak fondeve që gjenden, por domosdo ndeshesh edhe me indiferentizmin, me përçimin e dobët në media, me injorancën dhe thatësinë në transmetimin e një lajmi. Nuk gjen asnjë analizë të gjithë asaj pune të krijuar e të realizuar nga gjithë ata artistë, a thua se e gjitha kjo zhvillohej në një shkretëtirë kulturore, një shkretëtirë shpirtërore, që ndoshta është e vërtetë. Arritjet e një aktiviteti veçanërisht në rang ndërkombëtar bazohen në shumë aspekte, që tek niveli i artistëve pjesëmarrës e deri te numri shikuesve, e pra interesimi ndjehej dhe përzgjedhja ishte bërë në mënyrë profesionale, ndonëse nuk kishte arritur t’i shpëtonte kthetrave të klaneve artistike që kanë krijuar monopole në art, ashtu si dhe në shumë fusha të tjera të jetës së vendit. Por mbi të gjitha në suksesin e këtij aktiviteti vulën e mban përzgjedhja e hotel «Dajtit» si një strehë ideale për një kërkim multidisiplinor, që synonte një impakt sa më të madh, me qëllim futjen e së Përdyvjetshmes dhe të pjesës së artit që përfaqëson në një kontekst ndërkombëtar që edhe konceptin e saj e përqendron te përkufizimi kornizor i një realiteti të thyer e të dërrmuar. Një gjetje e veçantë e shtyrë ndoshta nga rastësia fatlume, por që e ndihmoi padyshim objektivin e organizatorëve. Kam parë edhe edicionet e tjera të së Përdyvjetshmes, (ngatërrojeni me të përndershmen, nuk ka problem, termi përsëri qëndron), e pra edhe në vitet e tjera ka qenë organizuar në ambiente shumë më të mira, por jo me këtë efekt. Ndoshta edhe vetë e Përdyvjetshmja është “pjekur”, ndoshta edhe vetë kuratorët janë pjekur. Ndoshta… në këtë botë stereotipesh që jetojmë nuk është e lehtë të veçosh atë që është më e goditura, jemi gjithë kohës nën efektet e trysnisë mediatike që të imponon iluzionin e së paraprojektuarës, të cilën e ke të vështirë ta dyshosh. Në çfarëdo kushti tjetër që të ishte realizuar e Përdyvjetshmja e Tiranës nuk do kishte patur fatin të ishte në një situatë më të favorshme. Do duheshin miliona dollarë që të krijoheshin ndarjet e atilla në dhoma ekspozimi që të arrinin të jepnin efektin e duhur te shikuesi. Në hyrje një punim madhështor i Franc Akermanit titulluar “Platforma shqiptare”, ku harta e vendit luan rolin e një zemre të ngritur në lartësi, që duket sikur furnizon me lëngun e jetës të gjithë ata që janë larguar, apo ndoshta përpiqet të japë thithjen që vendi rrezaton në kontekstin e një makine gjithmonë të kufizuar në kufijtë e saj si në një bordurë të stërngritur? Zbulimi filloi të bëhej edhe më interesant teksa ndiqja rrugëtimin e errët të korridoreve të mykura të hotelit të vjetër, dhe përballesha me videon e Erik Olofsen “Udhëtime”, në të cilën magnituda e mendimit e tejkalonte atë të imazhit, me shpejtësinë e dritës arrije të futeshe në psikologjinë e drejtuesve të automjeteve që ishin në botën e tyre, duke mos patur as idenë më të vogël se në të qindtën e sekondës ishin bërë pjesë edhe e botës sonë. Detajet merrnin një dimension tjetër dhe siç e thoshte edhe përshkrimi i veprës, «sekondat ktheheshin në përjetësi». Pak më tutje shikova një projeksion të Adrian Pacit. Artisti shqiptar gjithmonë më ka befasuar me qetësinë e tij filozofike, dhe e konsideroj një nga më të mirët në aftësinë për të dhënë me thjeshtësi elementë nga jeta e emigrantit në tokë të huaj, reflektimin e një jete të kaluar, por edhe të një sakrifice iluzive të paraardhësit për një jetë më të mirë për pasardhësit. Një kërkim i pareshtur që të shpie në absurdin e një hapësire që nuk është jotja dhe nuk ka gjasa të bëhet e jotja sado që të kërkosh e të gjurmosh në të, por do jetë e fëmijëve të tu, e atyre që do kenë humbur identitetin për të fituar një të ri, që nuk do jetë më ai i prindit, por që në fund paradoksalisht kthehet në plotësim të ëndrrës si në një reflektim enigmatik. Përmes lojës së pasqyrave, transmetohej mesazhi i qenies, pohimi i ekzistencës si një kod i çuditshëm i padeshifrueshëm që pafajësia e lëshon në mënyrë të pavetëdijshme dhe që me këtë thyerje në mijëra copa të refleksit shpërndante në hapësirë imazhin e copëzuar të realitetit.
Pamje befasuese ndiqje edhe në videot e pjesëmarrësve të tjerë si në ato të Jan Fudongut, që paraqisnin luftën e përditshme të mbijetesës në atë shkretëtirë të krijuar nga urbanizimi i pashpirt i çdo hapësire.
Një nga punimet që më ka impresionuar veçanërisht ishte ai i Tomas Hirshorn titulluar “Ur - Kolazh”. Ishte një tronditje, ishte një thirrje, një ulërimë e artistit, që me imazhet e bashkuara në kolazh arrinte të krijonte me të vërtetë një imazh të ri, ndryshe, të botës që jetojmë, duke vënë pranë ato dy botë aq të paafrueshme, autori kërkon që ne të mbetemi të shokuar, por pamjet e tejkalonin qëllimin dhe e bënin të padurueshëm edhe vetë konceptin e mesazhit. Imazhi i femrës së bukur, asociuar me pamjen e një trupi të shpërfytyruar, e një fytyre të shpërthyer nga plasja e një bombe, nga shpërfaqja me tonet më të forta të dhunës. Perfeksioni vënë pranë shpërfytyrimit, bukuria më e plotë trupore me shpërfytyrimin më të madh të imagjinueshëm, e përbindshmja e krijuar në të dy rastet nga njerëzit në botën e çmendur nga lufta, nga ideologjitë. Punimi ishte një denoncim i fortë i asaj që qenia njerëzore ka krijuar, ishte një denoncim i fortë ndaj të gjithë llojit të ideologjive që ushqejnë shpërfytyrimin, që ushqejnë ekstremin e një shoqërie të denatyralizuar, aq larg asaj bote të çuditshme thuajse mbitokësore të modeleve që rrinë përkrah. Të lind nga thellësia e shpirtit pyetja se si ato nuk e ndjejnë fuqinë e imazhit që i ka vënë pranë artisti, në kolazhin e Hirshhornit vendosja pranë e pranë thekson tragjizmin, por në të njëjtën kohë duket sikur thekson boshësinë e atyre shëmbëlltyrave që asgjë nuk dinë e asgjë nuk kuptojnë, vetëm shfaqin.
Episodi i dytë kushtuar arkitekturës dhe urbanizmit të shfrenuar, të cilin e jetojmë përditë, e vinte theksin në këtë të fundit si një e keqe e domosdoshme, por me një ndryshim, kemi të bëjmë me rryma dhe filozofi të kundërta, por që të gjitha puqen në një pikë të përbashkët, në ekuivalentin e shkatërrimit të jetës së qytetit nën pretekstin e përmirësimit të saj, zhdukjes së qendrës urbane dhe kthimin e saj në një vend të pabanueshëm, ose të banueshëm vetëm prej qenieve automate, të cilat veprojnë dhe rriten në këtë realitet të ri të marrë si të mirëqenë dhe të përhershëm. Presioni i periferisë drejt qendrës duket se është i papërballueshëm dhe ka arritur të shfytyrojë pamjet e qyteteve dhe kjo nuk duket më mirë e shfaqur tjetërkund se sa në qytetet shqiptare, fusha të vërteta të kaosit urban. M’u kujtua makina që afrohej drejt qendrës së kryeqytetit, nga dritarja e taksisë shikoja në fund të rrugës së gjatë të Durrësit xhamia me sahatin, si një magnet që e tërhiqte makinën në atë drejtim. Më dukej sikur shoferi nuk e drejtonte më, ajo ecte vetë e tërhequr nga magneti i qendrës. Papritur një si përbindësh u shfaq në të majtë të Sahatit të Madh. Ç’të jetë thashë me vete? Nuk po arrija ta perceptoja siç duhet, dukej si një gjë e stërmadhe, një gjë e ekzagjeruar, jashtë vendit dhe kontekstit, madje jashtë çdo logjike. Mor i shkretë - i thashë vetes, - çfarë logjike pret nga urbanistika e krimit. Magneti vazhdoi të tërhiqte, por me më pak forcë dhe pak nga pak sikur filloi të dilte nga mjegulla një strukturë si skelet i një pallati të stërmadh të përbërë prej mijëra dhomash të vogla si gojë të zeza, të cilat sikur gëlltisnin me kafshime barngrënësish sahatin, xhaminë dhe tërë sheshin. Magjia ishte prishur dhe makina nuk po ecte më, kish ndeshur në një trafik që sikur kish mbirë nga dheu. Zhurmë borish, rrëmujë, kaos, e përditshmja e zakonshme e një kryeqyteti. Asgjë nuk mund të kufizohet në një kornizë, sepse gjithçka është jashtë çdo kornize. Simbolika është e qartë.
Në shkallët e ftohta të hotelit ndjeje ende aromën e grave që kishin kaluar në to, në dhomat e tij si kuvli priftërinjsh, në epshet e të cilëve ishin ndrydhur sa e sa histori të Tiranës së shkuar dhe të tashme. Ndoshta kjo ndjesi të krijohej edhe për faktin se vizitorët më të shumtë të së Përdyvjetshmes ishin gjinia femërore, kërkueset e përhershme, ndoshta shpresa e vërtetë e ndryshimit të një shoqërie të atrofizuar dhe të ngërthyer.
Largoheshe me ndjenjën e diçkaje të papërcaktuar si dhe vetë ndërtesa që e mbante mbushur me tema, por dhe me zbrazësi në të njëjtën kohë, në kërkim të diçkaje të humbur, në kërkim të diçkaje të gjetur, në pafundësinë e momentit të mbetur pezull, si në një cikël të Kafkës, të cilin ke frikë ta mendosh, por edhe ke frikë ta harrosh. Në lukuninë e kotësisë së përgjithshme ndoshta një e Përdyvjetshme është një rreze që të shfaqet në një dimension tjetër, të lidh me një pjesë sado të vogël të një bote më të madhe, është si një fije e hollë që të mban lidhur me pjesë të cilat nuk i ndjen të tuat, por që janë të domosdoshme.
Në dhomat e ftohta oshtinin ende ofshamat dhe videot vazhdonin kërkimin dhe zbërthimin e enigmës shqiptare.
Tiranë, Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›