Refleksione/Duke ndjekur evenimentet e ditëve të fundit, përmes mediave
1. Ndërsa ndiqja në televizor mitingun madhështor të 8 Dhjetorit në Tiranë, më shkoi mendja te paloprotesta e paradokohshme e opozitës përreth Kryeministrisë. Të them të vërtetën, kur pashë asohere planet e regjistruara nga kamera televizive, më ngriu gjaku. Bobo, sa shumë qenkan! - mendova me vete. Si do t’i përgjigjet shumica në pushtet këtij goxha mitingu?
Korrespondenti shqiptar nga Tirana i njërës prej mediave më të mëdha dhe më me reputacion në botë, në kronikën që e tij, kishte plot fraza të tilla si, “Dhjetëra mijëra përkrahës të opozitës u mblodhën përpara ndërtesës së Kryeministrisë në një protestë treditore...”. “Përkrahësit e opozitës kërkojnë hapjen e kutive dhe numërimin e votave te 28 qershorit...”. Pastaj vinin plane të tjera që të krijonin përshtypjen e një mizërie njerëzish. Më pastaj plane ku fokusohej një qenie e gjatë dymetroshe, duke shkuar në protestë. Ishte udhëheqësi i opozitës i ndjekur prej suitës së tij të përbërë nga ca politikanë liliputë gjithashtu opozitarë. Që të gjithë, safi opozitarë, sikurse edhe gjatovina. Disa të zgjedhur, që rrinë jashtë Parlamentit dhe bëjnë protesta me 200-300 mercenarë të paguar të quajtur “popull opozitar”; disa të pazgjedhur fare, sikurse edhe gjatovina. Pastaj, e pastaj e pastaj... Më i rëndë bishti se sqepari.
Ka të drejtë korrespondenti shqiptar nga Tirana i medias së nderuar. Kronikë bën dhe duhet të mbajë paanësi. Mirëpo ja që edhe kronikat u bëkan sipas midesë së kronikanit. Për këtë, sado që e dija pak a shumë nga përvoja, u binda plotësisht qysh mbrëmjen e hapjes së paloprotestës, pasi fola në telefon me një mikun tim veteriner në Shqipëri. More, po ç’bëhet kështu? – pyeta i shqetësuar. Tjetri qeshi. E shumta dhjetë mijë vetë më tha, me gjithë të ardhurit nga rrethet me autobusë, me gjithë të papunët që s’kanë si e shtyjnë kohën dhe duan gallatë, me gjithë kureshtarët si puna ime dhe e ndonjë tjetri. Edhe dhjetë mijë, shtoi ai, po t’i llogaritësh njerëzit si pula. Si njerëz, them se duhet të ishin nja pesë mijë.
Dhjetëra mijëra, sipas kronikanit. Dhjetë mijë, po t’i merrje njerëzit për pula. Pesë mijë, me gjithë mercenarët, të papunët, kureshtarët... Cilit t’i zija besë? Mbeta në mëdyshje, në mëtrishje... Sepse, sado që i merrja me mend hilet e kameramanëve dhe të fotografëve, nuk besoja që mashtrimi mund të shumëfishohej në atë farë feje.
Mirëpo, namëta, miku më sqaroi me përvojën e vet si veteriner. Kur ndërtoheshin stallat e pulave në kooperativat bujqësore, llogaritë u bëkëshin për metër katror. Pesë pula, për metër katror. Që nga Ura e Lanës, deri te foltorja e opozitës, ta zëmë, 200 metra. Herë dhjetë metra gjerësia e bulevardit, na u bënë 2000. Pesë pula për metër katror, sa pula na bëjnë? Po njerëz? Lëre pastaj si ishin shpërndarë: një këtu e një atje, po t’i shikoje nga fotoja e marrë prej lartësisë së kullës së Universitetit të Tiranës.
Nuk është nevoja, tashti, t’i kthehem mitingut të 8 dhjetorit. Komentet do të ishin të panevojshme. Fshati që duket, nuk do kallauz. Megjithatë, nuk më rrihet pa përmendur kronikën e të njëjtin kronikan shqiptar nga Tirana, i së njëjtës media të nderuar. Ndërsa folësja e përcaktoi “madhështor” mitingun e Partisë Demokratike, kronikani në fjalë e filloi kështu kronikën: “Dhjetëra mijëra qytetarë...” etj. etj.
Ua! - më mbeti pështyma në grykë. Dhjetëra mijëra njerëz në një copë bulevard prej 2000 metrash katror dhe po aq në gjithë atë shesh të madh që mban emrin e të madhit Skënderbe, me gjithë rrugët përreth!? Dhe jo me plane televizive hileqare horizontale, po me plane perpendikulare që nuk të lënë hapësirë për hile, nga të cilat, kur e shihje Sheshin, nuk e ndaje dot kokën e njeriut, nga koka e tjetrit përbri. M’u mbushën sytë me lot kur kujtova fillimin e viteve të paharruar ’90 dhe pamundësinë për të qenë në Tiranë 8 Dhjetorin e këtij viti.
Kronikani shqiptar nga Tirana i medias së nderuar, ndonëse u përpoq të përshkruante atmosferën festive të tubimit demokratik, nuk harroi të përmendtte se “shkollat e Tiranës e bënë mësimin me orar të reduktuar, që t’i çonin fëmijët në miting”.
Do të dëshiroja ta pyesja kronikanin e paanshëm: Si mund të mbaheshin fëmijët në shkollë kur rrugët e Tiranës do të bllokoheshin dhe autobusët nuk do të lëviznin dot? Po prindërit e tyre a kishin të drejtë të merrnin pjesë në atë festë të paprecedent?
Të flasësh katër e pesë është gjë e lehtë. Të thuash atë që duhet thënë dhe që nuk mund të fshihet, është edhe më e lehtë. Të thuash atë çka nuk është dhe ta paraqitësh sikur është, kjo jo vetëm që të sjell mundim, të konsumon para kohe, të bën të pabesueshëm, por një ditë të nxjerr fare jashtë loje. Është me të vërtetë për të ardhur keq që ndonjë kronikan shqiptar nga Tirana, u bën këtë lloj shërbimi proceseve në zhvillim të demokracisë në Shqipëri, në një kohë që opozita e sotme e papërgjegjshme përpiqet të frenojë reformat me politikën e konfrontimit dhe të destabilizimit.
2. Sot në televizionin frankofon RTBF 1, u dha lajmi se, sipas verifikimeve të bëra nga një grup kërkuesish të gazetës britanike “The Ekonomist”, Brukseli renditet i nënti në dhjetëshen e parë të qyteteve europiane me më pak ndotje. Qytetet janë renditur mbi bazën e performansës së tyre në shumë kategori, si: çlirimi i gazit karbonik CO2, efektshmëria energjitike e ndërtesave, transporti dhe përpunimi i mbeturinave etj. Në krye të listës qëndrojnë tri qytetet skandinave: Kopenhagen, Stokholm dhe Oslo. Në bisht: Bukureshti, Sofja dhe Kievi.
Po Tirana?
U futa në internet ta gjeja dhe ta konsultoja studimin në fjalë, por, të them të drejtën, nuk pata durim. Ç’më duhet të humbas kohë kot së koti? - thashë me vete. Sikur nuk e di Tiranën e qeverisur nga Edi Rama.
Plehra mbi të cilat nuk mund të hedhësh hap pa i shkelur. Qoftë edhe një bisht cigareje, qoftë edhe një qese plastike, qoftë edhe një copë gazete të shqyer, qoftë edhe një mbështjellëse çokollate, sepse edhe këto mbeturina, plehra janë. Kazanë plehrash nga të cilët nxirren si pa të keq thasë dhe qese me mbeturina që kutërbojnë erë të keqe, çahen, seleksionohen dhe flaken përtokë. Qen të zgjebosur dhe të uritur, pre e të cilëve mund të bjerë çdo qytetar, madje edhe vetë Kryetari i Bashkisë ose sejmenët e tij kur sillen rrugëve e rrugicave për të na bërë politikë...
Kjo është pak a shumë Tirana e ditëve tona, pa përmendur baltën, përmbytjet nga një vesë shi, smogun që i mbështjell njerëzit si vel qoftë ditën, qoftë natën; ndërtesa të përbindshme që të marrin frymën dhe duket sikur do të të zënë nën vete; lëvizjen kaotike të automjeteve...
Nuk ka defter ta mbajë “performansën” e Tiranës në të kundërtën e asaj që shpall “The Ekonomist”.
Tashti, sërishmi te kronikani shqiptar nga Tirana i medias së nderuar. E dha protestën e të zgjedhurve vendorë socialistë përpara ndërtesës së Kryeministrisë më 5 dhjetor dhe bëri mirë se na tregoi sa ishin e cilët ishin pjesëmarrësit në protestë. Por nuk tha asnjë fjalë për kamionët me plehra të ngarkuar në Sharrë për të “ushqyer” protestën me gjetje të reja. Asnjë fjalë për protestuesit me qese plehrash në duar. Asnjë fjalë, për be. U tha vetëm se pati konfrontime mes policisë dhe protestuesve. Pse? Duhet pyetur kronikani për këtë paanësi të kulluar.
Unë, megjithatë, do t’ua qaja hallin studiuesve të “The Ekonomist”, nëse do t’ia hynin punës t’i gjenin edhe Tiranës një vend në ndonjë dhjetëshe qytetesh nga çdo vrimë e humbur e botës.
...