Sekretari francez i shtetit, Lellouche: Opozita të respektojë parimet demokratike, politika bëhet vetëm në parlament
Pierre Lellouche- Topalli: “Franca në krahun tuaj për përshpejtimin e integrimit”
Përfaqësuesi i lartë i qeverisë franceze reagoi ashpër sot pasi u informua për situatën politike në vend, kryesisht lidhur me bojkotin e paprecedentë të opozitës. Ai u shpreh se opozita duhet t’i japë fund sa më parë bojkotit në mënyrë që jeta parlamentare të rifillojë, pasi siç theksoi ai, është në interes të Shqipërisë dhe proceseve të saj të integrimit. Zyrtari francez, Pierre Lellouche, nënvizoi se në një vend demokratik partitë politike duhet të respektojnë parimet bazë të demokracisë, siç janë njohja e vendimeve të institucioneve të pavarura si KQZ-ja dhe gjykatat.
“Opozita duhet të respektojë principet bazë të demokracisë. KQZ ka certifikuar zgjedhjet, rezultati duhet të pranohet gjërësisht nga të gjithë faktorët politikë. Edhe opozita në këtë vend duhet të jetë pjesë e këtij kompromisi”. Kështu u shpreh sot Sekretari francez i shtetit i ngarkuar me çështjet europiane, Pierre Lellouche, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, pas një takimi të zhvilluar në mesditë. Zyrtari i lartë francez i apeloi kështu palës opozitare që t’i japë fund bojkotit dhe të rifillojë jeta parlamentare në Shqipëri. “Opozita t’i japë fund bojkotit në mënyrë që jeta parlamentare t’i kthehet normalitetit. Më duhet të theksoj se prinicipi bazë i demokracisë është që kur procesi zgjedhor përfundon dhe KQZ certifikon zgjedhjet, rezultati duhet të pranohet. Kështu fituesi merr pushtetin dhe pala tjeter mbetet në opozitë. Tjetër parim bazë është edhe pranimi i ndryshimit të pushteteve, por nëse kjo nuk ndodh nuk mund të flitet më për demokraci, por për regjim totalitar. Sigurisht demokracia mund të mos jetë perfekte, por kur ka kundërshtime rregullohet nga drejtësia e dialogut politik. Apeli im vjen pasi është në interes të Shqipërisë e procesit të integrimit që pozita dhe opozita të bëjnë debat politik në sallën e kuvendit”, u shpreh Sekretari francez për çështjet evropiane, Lellouche. Zyrtari francez mbylli fjalën e tij duke u shprehur se do të ishte shumë i lumtur nëse shumë shpejt jeta parlamentare në Shqipëri do të jetë normale dhe t’i jepet fund situatës anormale të bojkotit të Kuvendit. Ndërsa nga ana e tij kryeministri Sali Berisha deklaroi se është i hapur për dialog me opozitën për të zgjidhur krizën. “Dua të garantoj ministrin Pierre Lellouche dhe qeverinë franceze se mbetem shumë i hapur për një bashkëpunim me opozitën në të gjitha reformat e mëdha. I kam ofruar të hartojë të gjithë amendamentet e sugjeruar nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme dhe se çdo problem, dokument, fakt që ka për zgjedhjet e shkuara le t’i paraqesë para Prokurororisë, organit të drejtësisë. Ajo çka unë nuk imagjinoj dot, dhe nuk imagjinon asnjë qytetar i lirë në Europë apo në botë është që një politikan të marrë në duart e tyre vendimet gjyqësore”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Apeli i ndërkombëtarë ndaj opozitës dhe kreut të saj Edi Rama po njeh gjithmonë e më shumë dimensione të reja, teksa në prag të zhvillimeve madhore të integrimit të vendit në BE, Partia Socialiste vazhdon të bojkotojë pa afat punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Përfaqësues të lartë të Brukselit dhe të politikës evropiane nuk pajtohen me qëndrimin e pajustifikueshëm të PS, përsa kohë zgjedhjet janë certifikuar nga KQZ dhe nga gjykatat, e në këtë rast palëve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të pranojnë rezultatin e njëra palë të qeverisë vendin, e tjera të luajë rolin e opozitës.
Pierre Lellouche- Topalli. “Franca në krahun tuaj për përshpejtimin e integrimit”
“Franca është në krahun tuaj dhe ju shpreh vullnetin e Qeverisë franceze për të përfunduar sa më shpejt procesin e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të ballkanit perëndimor”, tha sot Pierre Lellouche, sekretari francez i
shtetit për çështjet europiane në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke shpehur mirënjohjen për gjithë mbështetjen e shtetit dhe popullit francez, Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Lellouche për mesazhet e tij publike në vlerësim të progresit të Shqipërisë dhe për domosdoshmërinë e dhënies fund të bojkotit. Zoti Lellouche shprehu kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dy parlamenteve dhe uroi zonjën Jozefina Topalli për rizgjedhjen e saj, duke vlerësuar se politika jo vetëm shqiptare por edhe ajo europiane, ka nevojë
për gra në politikë. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si shumë inkurajuese dinamizimin e politikës së BE-së që synon integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2014. Shqipëria tha zonja Jozefina Topalli, ndodhet në momente të saj historike në proceset integruese. Pas anëtarësimit në NATO, ne morëm nga 27 qeveri të BE-së mbështetjen për statusin e vendit kandidat. Po ashtu para pak javësh, Parlamenti Europian miratoi rezolutën, ku pasi vlerësohen arritjet në zgjedhjet fundit, propozohet që Shqipëria të hyjë në listën shenjen menjëherë sapo të plotësojë detyrimet e mbetura, duke i hapur rrugë liberalizimit në korrik 2010. Duke i cilësuar këto vendime ndërkombëtare si një përgjigje e progresit të pandalshëm të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit theksoi angazhimin maksimal të parlamentit dhe institucioneve shqiptare për të përshpejtuar reformat. Shqiptarët tha ajo janë një ndër popujt më proeuropian dhe vokacioni i tyre
perëndimor është një dëshmi se askush s’mund të kthejë më prapa historinë tonë të pluralizmit.
Zoti Lellouche dhe zonja Jozefina Topalli biseduan gjithashtu edhe mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për rritjen e prezencës së investimeve
franceze në Shqipëri.