E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Zgjedhore, Meta kritika OSBE-së

Autori i Lajmit: Suela Topi
“OSBE ka një rekord negativ për sa i takon historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. OSBE gjithnjë rekomandimet pas zgjedhjeve, për zgjedhjet e ardhshme i ka pasur konstruktive, por nuk u ka qëndruar në mënyrë konsistente, duke marrë në një farë mënyre, dhe përgjegjësitë e saj për çështjet e zgjedhjeve në Shqipëri”

Lëvizja Socialiste për Integrim shton tonet e ashpra jo vetëm kundër Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për sa i përket Reformës Zgjedhore, por edhe kundër ndërkombëtarëve. Në një deklaratë publike të bërë dje, kreu i LSI-së, Ilir Meta, pohoi se OSBE ka një rekord negativ për sa i takon historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tij, OSBE ka bërë shumë pak për të parandaluar ato fenomene, të cilat kanë qenë tërësisht të pritshme dhe të paralajmëruara, jo vetëm nga LSI, por dhe nga opinioni ndërkombëtar. Edhe pse i ka konsideruar si konstruktive këshillat e OSBE-së, Meta tha se përfaqësia e saj në vendin tonë nuk u ka qëndruar në mënyrë konsekuente atyre. Sipas tij, fakti që tentohet të shmanget nga përfaqësimi forca e tretë politike në vend, e konfirmuar qartazi si në vitin 2005, dhe akoma më shumë në zgjedhjet vendore të vitit 2007, tregon se nuk kemi të bëjmë me një Reformë Zgjedhore, por me një komplot, që nuk është thjesht kundër LSI-së, por, sipas Metës, është kundër zgjedhjeve. Ai pohoi se prioriteti parësor i LSI-së është Kodi Zgjedhor dhe do të vazhdojë të luftojë për të.
Hapi tjetër
“Aksioni kryesor dhe madhor i Lëvizjes Socialiste për Integrim është kurorëzimi me sukses i një Kodi Zgjedhor që garanton integritetin e procesit zgjedhor, e në radhë të parë, të administrimit të votës në zgjedhjet e vitit 2009. Ky është prioriteti numër një, numër dy dhe numër tre i LSI-së, për arsye se vendi ndodhet në një situatë tepër kritike, kur tashmë jemi të njohur dhe me propozimet konkrete që janë paraqitur nga çifti Xhafa-Rusmali për ndryshimet në Kodin Zgjedhor”, - pohoi dje Meta, lidhur me hapin e ardhshëm të LSI-së pas Konventës së Jashtëzakonshme. Meta pohoi se i gjithë qëllimi i të dy palëve ka qenë dhe mbetet manipulimi i zgjedhjeve përmes manipulimit të administrimit të zgjedhjeve, që do të garantohet, sipas tyre, përmes shmangies dhe eliminimit të përfaqësimit të LSI-së në të gjitha nivelet e komisioneve, që nga KQZ e në të gjitha nivelet e tjera. Kreu i LSI-së sqaroi se Konventa ishte një reagim emergjent për sensibilizimin e anëtarëve dhe përfaqësuesve të LSI-së, në mënyrë që të vijojë edhe me aktivitete shumë më të mëdha dhe popullore në mbrojtje të votës së lirë.
Kritika OSBE-së
Kritikat e ashpra të LSI-së këtë herë janë drejtuar edhe mbi OSBE-në. Sipas Metës, LSI ka vite që përpiqet të punojë me përfaqësuesit e saj në mënyrë që Shqipëria të shënojë progres në zgjedhje dhe jo regres, sikurse ka ndodhur. “Njëkohësisht unë dua të them se OSBE ka një rekord negativ për sa i takon historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Ka bërë shumë pak për të parandaluar ato fenomene, të cilat kanë qenë tërësisht të pritshme dhe të paralajmëruara, jo vetëm nga ne, por dhe nga opinioni ndërkombëtar. OSBE gjithnjë rekomandimet pas zgjedhjeve, për zgjedhjet e ardhshme i ka pasur konstruktive, por nuk u ka qëndruar në mënyrë konsistente, duke marrë në një farë mënyre, dhe përgjegjësitë e saj për çështjet e zgjedhjeve në Shqipëri”, - tha ai, por shtoi më tej se në radhë të parë, përgjegjësia e problemeve të zgjedhjeve ka qenë dhe mbetet e klasës politike në vend. Sipas Metës, edhe rezultati i reformës Xhafa-Rusmali është pikërisht monopolizimi i procesit dhe jo gjithëpërfshirja. Ai pohoi se PS dhe PD synojnë të përjashtojnë LSI-në nga administrimi i zgjedhjeve, sepse e dinë që nuk mund ta kontrollojnë atë. Meta shtoi se LSI dëshiron që partnerët ndërkombëtarë të shprehen qartë për domosdoshmërinë e gjithëpërfshirjes reale dhe jo fiktive të gjithë aktorëve kryesorë politikë në vend. Lidhur me komentet e Gjinushit se partia e tij do të përfaqësohet në KQZ, ai pohoi se LSI kërkon proces gjithëpërfshirës, por ky proces nuk mund të jetë i tillë, nëse partia e tretë nuk përfshihet në të.

Ky lajm është publikuar: 05/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›