E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nuk tërhiqet, të largohet Berisha

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri nuk iu përgjigj opozitës në Kuvend, pasi “ai është i kompleksuar për çështjen Fazliç”. Ky koment është bërë dje nga kryetarja e grupit të deputeteve të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj lidhur me mocionin e zhvilluar për orë të tëra në Kuvend për këtë çështje. Edhe dje, Leskaj ashtu si në seancë, përsëriti kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit, edhe pse ajo bie në kundërshtim me pohimin e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, që thotë se zgjedhjet i presin vetëm në verën e vitit 2009. Numri një i deputetëve socialistë ritheksoi se Grupi i Partisë Socialiste thirri në një mocion me debat me Kryeministrin nisur nga një çështje që ka të bëjë me lidhjet e dyshimta të tij dhe Qeverisë, që ai drejton me një përfaqësues të botës së interesave të paligjshme, me besimin se edhe në Shqipëri duhet të funksionojë sistemi i kontrollit dhe balancave, sepse në një shtet demokratik duhet të funksionojë llogaridhënia e Qeverisë në Parlament. “Kryeministri është i kompleksuar nga çështja Fazliç ndaj nuk iu përgjigj pyetjeve duke fshehur të vërtetat që tashmë janë bërë domein publik. Ai nuk u përgjigj se cili është statusi i këtij njeriu, që siguria kombëtare është në duart e tij, për sa kohë që qeveritarë dhe funksionarë të lartë të sigurisë kombëtare raportojnë përpara tij, edhe pse dihej që kohë më parë BG&R që e solli këtu kishte lobuar kundër çështjes së Kosovës”, - tha ajo. Leskaj pohoi gjithashtu se Berisha nuk shpjegoi se çfarë përfaqëson ky njeri që ka në dorë shtetin, që duket hapur se i krijohen lehtësira e merret edhe në mbrojtje duke bërë presion mbi prokurorinë, por nuk shpjegoi as marrëdhëniet e Fazliçit me BG&R, me Qeverinë si dhe përfitimet e tij nga paratë publike të energjisë dhe mospagimi i taksave. Ajo theksoi se me fjalimin e tij, Kryeministri bëri dje një përpjekje të dëshpëruar për të spostuar vëmendjen nga skandali “Fazliç”, që e bën direkt përgjegjës dhe kjo është kapje e shtetit. Kjo sipas Leskajt, është mënyra e tij e të qeverisurit, që ngatërron shtetin me marrëdhëniet personale, ato të besës, një mënyrë tipike tribale në drejtimin e punëve të shtetit. “Kryeministri i vendit duhet të bëjë mirë ndarjen mes mikut personal dhe punëve të shtetit, mes interesave personale të tij, të familjes apo miqve të tij dhe punëve të shtetit. Ne kemi mbështetur dhe do vazhdojmë ta mbështesim prokurorinë për zbardhjen e skandaleve të kësaj qeverie nga krimi shtetëror në Gërdec deri te afera “Fazliç”. Ka kohë që vendi nuk po qeveriset më, ndaj ne kemi kërkuar dje e do vazhdojmë të kërkojmë largimin e Berishës nga qeverisja”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 05/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›