Politika e jashtme, në funksion të një vendi si anëtar i NATO-s dhe aspiruese BE-së”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
“Viti 2012-ë do jetë viti i sfidave diplomate të Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, i cili do të reflektojë stadin aktual, si një vend anëtar i NATO-s dhe perspektivën e saj si vend anëtar i Bashkimit Evropian”.
Kështu u shpreh kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto në një deklaratë për mediat, duke analizuar pritshmëritë diplomatike të Shqipërisë gjatë vitit që sapo ka hyrë.
Sipas tij, sot, politika e jashtme, orientohet nga interesat tona kombëtare, nga respekti për ligjin ndërkombëtar dhe parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve, të drejtat e njeriut dhe vlerat e detyrimet tona si anëtar dhe kontribuues në organizatat politike e të sigurisë si ato rajonale dhe ato të përbotshme.
“Arritja e këtyre objektivave duhet të jetë një ndërmarrje e gjithë politikës, dhe si rrjedhim, ato duhet të jenë objekt i kontributit dhe përgjegjësive gjithashtu gjithëpërfshirëse të politikës, përfshirë dhe opozitën. Realizimi i objektivave tona në politikën e jashtme kërkon gjithashtu një reformim të vazhdueshëm të një ndër mjeteve kryesore të realizimit të saj, diplomacisë shqiptare në përgjithësi dhe shërbimit të jashtëm në veçanti”, u shpreh ai.
“Arritjet e derisotme janë të prekshme”, thekson Haxhinasto, duke renditur disa prej tyre, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave me zonën “Schengen” dhe procesi i lehtësimit dhe liberalizimit me shumë vende të tjera të botës, së fundmi edhe me Brazilin, krijimi i një zone të lirë me karta identiteti në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si dhe progresi i vazhdueshëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Haxhinasto nënvizon edhe rritjen e ndjeshme të kontakteve dhe volumit të shkëmbimeve me shumë vende e rajone të botës, rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj shqiptarëve me banim jashtë vendit, forcimin e diplomacisë ekonomike, kontributin në rritje për paqen, stabilitetin, integrimin dhe prosperitetin e rajonit dhe përtej tij, kontributin konkret në njohjet për shtetin e ri të Kosovës, në luftën globale kundër terrorizmit, rolin aktiv në mjaft organizata rajonale e në OKB.
Sipas zëvendëskryeministrit, “mund të thuhet me bindje se Diplomacia shqiptare po realizon me rigorozitet objektivat e politikës sonë të jashtme. Pavarësisht se objektivat kryesore të veprimit diplomatik janë të konsoliduara, dinamika e lartë e zhvillimeve ndërkombëtare kërkon aftësi për t’u orientuar, për t’u adoptuar, dhe përballuar me sukses sfidat e reja”.
“Aktivitet gjithnjë e në rritje po realizojmë në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, në drejtim të gjeneralisimit të qëndrimeve të saj në përputhje me Kartën e OKB, por edhe në avancimin e njohjes së Kosovës, siç ishte rezoluta e OBI-t për Kosovën më 30 qershor të këtij viti. Rritje e angazhimit tonë shihet qartë në OSBE”, tha Ministri.
“Gjatë vizitës time të fundit në Këshillin e përhershëm, por edhe në Ministerialin e Vilniusit, pashë qartë pritshmërinë dhe mbështetjen për marrjen nga Shqipëria të kryesimit të saj të ardhshëm, shprehet Haxhinasto, duke shtuar se, po kështu, drejtimi i Komitetit të Ministrave të KiE në Maj të 2012 deri nëntor 2012, është gjithashtu një mundësi e afirmimit të mëtejshëm të diplomacisë sonë, ku kontributi i opozitës është gjithashtu i mirëpritur”.
Sipas ministrit Haxhinasto, “njohjet e reja të Kosovës mbeten sfidë e politikës sonë të jashtme. Ato janë pjesë e axhendës dypalëshe të diplomacisë. Përfshirja e saj në iniciativat rajonale, dhe ecja më tej e integrimit euro-atlantik janë gjithashtu një objektiv madhor”, thekson Haxhinasto.