Paketa e PS për gjyqësorin, gjyqtarët 3 vjet në provë
Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj bën publike pikat kryesore të paketës për gjyqësorin
TIRANË- Partia Socialiste avancon në qëndrimin e saj për të vënë në jetë konsensusin për realizimin e reformës në drejtësi. Selia rozë ka hedhur dje një hap tjetër në këtë drejtim, duke bërë propozime konkrete në lidhje me këtë reformë. Megjithëse jo në mënyrë të detajuar, kryetarja e grupit parlamentar e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj ka paraqitur planin e veprimit ku përfshihen dhe pikat kryesore të paketës së propozimeve, për çështjet kryesore që duhet të përfshijë debati për këtë reformë. "Ne ofrojmë sot (dje) një plan veprimi, i cili sipas optikës tonë duhet të ndjek disa hapa konkretë, natyrisht duke qenë të hapur ndaj çdo sugjerimi apo kontributi që vjen nga mazhoranca apo forca të tjera politike",- u shpreh Leskaj, në një dalje të posaçme për mediat.
Propozimet
Oferta e socialistëve mbart një sërë propozimesh lidhur me ndryshime ligjore që lidhen me temat më të debatueshme siç janë gjyqësori, Prokuroria, KLD, Konferenca e Gjyqtarëve apo dhe Policia Gjyqësore. Ndër çështjet kryesore të kësaj pakete përfshihet propozimi për mos kufizimin në kohë i ushtrimit të mandatit të gjyqtarit në të gjitha shkallët e hierarkisë gjyqësore. Gjithashtu socialistët propozojnë paprekshmëri dhe rritje konstante në mënyrë adekuate të pagës dhe përfitimeve të tjera të posaçme për kategorinë e gjyqtarëve, si një hap i duhur për ta shkëputur gjyqësorin nga korrupsioni. PS kërkon që reforma të parashikojë ofrimin e alternativave dhe stimujve në funksion të integrimit, qëndrueshmërisë dhe rritjes në karrierën gjyqësore. Ushtrimi i së drejtës së gjyqtarit për të kërkuar dhe fituar transferime, ngritje në detyrë dhe funksione drejtuese e administrative, mbështetur në parimin objektiv të vjetërsisë në detyrë, të kombinuar me meritën individuale në ushtrimin e mandatit, është një tjetër pikë e paketës së socialistëve. Sipas socialistëve gjyqtari duhet të jetë i nënshtruar vetëm ndaj një skeme për procedimin disiplinor, skemë që ofron garanci për parandalimin dhe eliminimin e presioneve e ndikimeve të papërshtatshme, direkte ose jo, të pushteteve ose individëve që kanë interes mbi gjyqtarin. Gjithashtu PS kërkon vendosjen e një afati 3-vjeçar si provë për të gjithë gjyqtarët e rinj, si dhe të procedurave, mekanizmave dhe kritereve sa më objektive të detajuar në ligj, për konfirmimin e tyre në karrierën gjyqësore. Reforma duhet të sigurojë edhe garancinë e qëndrueshme nga ana e ekzekutivit, për të përmirësuar infrastrukturën gjyqësore, në mënyrë që të mundësohet efektivisht zhvillimi i seancave publike të gjykimit në salla me kushte dhe kapacitete të nevojshme.
KLD
Gjyqësori nuk është i vetmi problem për socialistët, ndaj ata në paketën e propozimeve të tyre kanë parashikuar dhe një sërë ndërhyrjesh të domosdoshme në ato organe të tjera, që në tërësinë e tyre përbëjnë atë që quhet Sistemi i Drejtësisë. Për këtë qëllim PS propozon që reforma të konsistojë në konsolidimin e rolit dhe përgjegjësive të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të forcuar autoritetin, kapacitetet, besueshmërinë dhe vetëveprimin e këtij institucioni. Ndërhyrje propozojnë socialistët edhe për konsolidimin e rolit dhe përgjegjësive të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, përmirësimin e përbërjes dhe organizmit të strukturave të saj. Një nga fushat ku duhet ndërhyrë, për PS-në, është edhe ajo e Prokurorisë, për të cilën propozojnë forcimin e autonomisë së saj, vendosjen dhe forcimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë në emërimin, vlerësimin dhe ngritjen në detyrë dhe procedimin disiplinor të prokurorëve.
Propozimet e socialistëve
Patundshmëri dhe mos kufizim në kohë i ushtrimit të mandatit të gjyqtarit në të gjitha shkallët e hierarkisë gjyqësore.
Paprekshmëri dhe rritje konstante, adekuate e prioritare e pagës dhe përfitimeve të tjera të posaçme të gjyqtarit.
Ushtrimi i së drejtës së gjyqtarit, për të kërkuar dhe fituar transferime, ngritje në detyrë dhe funksione drejtuese e administrative.
Kufizimi i hapësirës për pezullim, transferim, ndëshkim disiplinor dhe largim nga detyra të gjyqtarit vetëm në raste të parashikuara qartë dhe shprehimisht në Kushtetutë.
Nënshtrim të gjyqtarit vetëm ndaj një skeme për procedimin disiplinor.
Vendosje të një afati 3-vjeçar prove për të gjithë gjyqtarët e rinj, si dhe të procedurave, mekanizmave dhe kritereve sa më objektive, transparente e të detajuar në ligj, për konfirmimin e tyre në karrierën gjyqësore.
Plotësim të vendeve vakante në gjyqësor duke respektuar kriteret objektive të ngritjes dhe hierarkisë në karrierë, të kombinuar me meritën në ushtrimin e detyrës.
Konsolidimin e rolit dhe përgjegjësive të KLD-së për të forcuar autoritetin, kapacitetet, besueshmërinë dhe vetëveprimin e këtij institucioni.
Konsolidim të rolit dhe përgjegjësive të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, përmirësimi i përbërjes dhe organizmi i strukturave të Konferencës.
Forcim të autonomisë së institucion të Prokurorisë.
Vendosjen dhe forcimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë në emërimin, vlerësimin dhe ngritjen në detyrë dhe procedimin disiplinor të prokurorëve.
Reforma duhet të forcojë e përmirësojë rrënjësisht procesin e edukimit ligjor dhe formimi profesional juridik, sistemin e shkollave të larta juridike, formimin profesional në Shkollën e Magjistraturës.
Riorganizim të Shkollës së Magjistraturës.