Reforma e Gjykatës Administrative mban peng vjeljen e gjobave nga Autoriteti i Konkurrencës
Reforma për Gjykatat Administrative është kthyer në një pengesë edhe për punën e Autoritetit të Konkurrencës. Megjithëse ky institucion ka dhënë nëntë vendime gjobash për bizneset që ka shkelur ligjin e konkurrencës, vetëm një prej këtyre gjobave është arritur të vilet. Autoriteti i Konkurrencës ka vënë rreth tetë milion dollarë gjoba për hetime të
ndërmarra në tregje të ndryshme. Nga nëntë vendime gjobitje 8 janë në procese gjyqësore që po zgjasin me vite. Sipas kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, për të bërë të mundur një gjë të tillë duhet një bashkëpunim i gjerë më Gjykatën Administrative. Ajo ka propozuar edhe disa ndryshime ligjore, mënyrë që Autoriteti i Konkurrencës, të funksionojë më mirë dhe vendimet e tij, të zbatohen deri në fund. Gjatë raportimit në komisionin parlamentar të ekonomisë, Lindita Lati, ka pasqyruar punën e bërë nga Autoriteti i Konkurrencës në vitin 2009 dhe prioritet e tij në vitin 2010. Ajo bëri të ditur se Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim të thelluar edhe në fushën e prokurimeve. Marrëveshjet mes firmave para garave të tenderimeve me fondet publike do të hetohen në bashkëpunim me institucionet e tjera, ndërkohë që rasti i parë i hetimit është prokurimi i makinave të reja nga administrata shtetërore. Periudha e hetimit përfshin tre vitet e fundit dhe në sitë janë 4 koncensionarë, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar për të fiksuar çmimet e shitjes. Kreu i Autoritetit, Lindita Lati, shprehet se së shpejti institucioni që ajo drejton do të dalë me një vendim për ndëshkimet që do të jepen ndaj shkelësve të ligjit, në rast se verifikohen dyshimet. Ne kemi hapur hetimin e thelluar dhe jemi në përfundim të procedurave të hetimit në tregun e prokurimeve të makinave të reja. Por autoriteti i konkurrencës do të shkojë përtej kësaj. Së bashku me entet përkatëse do të ndërtojë një plan veprimi për trajnimin e stafeve të cilët merren në mënyrë të drejt për drejtë me prokurimet publike për të evidentuar elementët e marrëveshjeve brenda për brenda këtyre proceseve, tha Lindita Lati, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës. Në raportimin vjetor të Autoritetit para komisionit parlamentar të ekonomisë, nga ku varet, problemi më i madh i identifikuar është pamundësia për të vjelë gjobat e vëna. Ky vit tregoi se vendimet e komisionit për caktimin e gjobave ishte vendime të cilat u aprovuan tërësisht nga sistemi gjyqësor dhe duhet të arkëtoheshin dhe u vu re që ekzistonte një problem i koordinimit ligjor midis institucioneve, në zbatim të ligjeve respektive, tha Lati. Kështu, monitorimi i tregut të shërbimeve bankare me pakicë, hetim i thelluar në tregun e prokurimit te makinave, hetimi i thelluar në tregun e prodhimit në vend dhe të shitjes së hidrokarbureve për ndërmarrjen ARMO do të jenë disa nga prioritet e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2010. Aktualisht është hapur hetimi paraprak në tregun e gazit të lëngshëm, për shkak të ndryshimeve strukturore në segmentin e tregut të shkarkimit dhe depozitimit. Në tregjet me pozitë dominuese do të vazhdojë monitorimi, si në sektorin e energjisë elektrike edhe tregu i komunikimeve elektronike. Gjithashtu, krahas përfundimit të monitorimeve që janë në proces, transporti dhe shërbimet aeroportuale të TIA, transporti publik, transporti ajror, do të jenë nën monitorim për të parë kushtet e funksionimit të tregut, si dhe monitorimin e tregjeve të tjera sipas dyshimeve për shkelje të mundshme të ligjit Për mbrojtjen e konkurrencës. Autoriteti i Konkurrencës në vitin 2010 do të synojë të forcojë kapacitetet institucionale në drejtim të konsolidimit dhe përsosjes së teknikave investigative dhe rritjen e shkallës së ekspertizës me qëllim uljen e kohës së realizimit të hetimeve. Në këtë funksion do të ndihmojë ndjeshëm financimi që do të mundësohet nga IPA-2008, e cila pritet të fillojë si ne nivel të asistencës teknike ashtu edhe nëpërmjet projektit të binjakëzimit, nëpërmjet të cilit është kërkuar që të organizohen intershipet të stafit teknik të Autoritetit në mjediset e punës së autoriteteve homologe partnere në këtë projekt.
FMN, në komisionin e ekonomisë: Të ulen shpenzimet publike, por jo investimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër në parim ndaj nismës së qeverisë për një amnisti fiskale në vend. Sipas përfaqësuesit Geruin Bell, i cili pati takim me deputetët e komisionit parlamentar të ekonomisë, një politikë e tillë nuk pritet të ketë impakte të qëndrueshme, në mbledhjen e taksave. Duke iu referuar burimeve pjesëmarrës në ketë mbledhje, FMN-ja është shprehur pro idesë për legalizim të aseteve të padeklaruara, por jo për amnisti të evazionit fiskal. Prej disa javësh biznesi ka bere një propozim për amnisti, e cila është pranuar në parim nga qeveria, por ende nuk është konkretizuar skema që do të aplikohet. Një tjetër shqetësim i FMN-së ka qenë edhe rritja ekonomike e Shqipërisë, e cila për këtë vit do të jetë e ulët. FMN-ja ka deklaruar se hartimi i buxhetit të shtetit shoqërohet gjithnjë me shifra të larta, të cilët zor se arrihen të zbatohen. Njëkohësisht institucioni i cili mbaroi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare pak ditë para se te zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka sugjeruar se qeveria duhet të ulë më tej shpenzimet operative dhe jo investimet, sikundër ka vepruar, për të konsoliduar buxhetin aktual. Geruin Bell ka ripërsëritur qëndrimin e FMN-së se Shqipëria duhet të ulë sa me shpejt borxhin publik, për të ruajtur treguesit fiskal.
Denisa PLAKA