E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperi-Kine diskutohet per rritjen e bashkepunimit ne sistemin bankar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, Zhou Xiaochuan, zhvilloi të martën në Tiranë një vizitë pranë Bankës së Shqipërisë, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Zyra e shtypit në Bankën e Shqipërisë bëri të ditur se, gjatë takimit, dypalësh diskutimet u fokusuan në zhvillimet ekonomike, ku Guvernatori Fullani e njohu Guvernatorin Zhou me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht me atë të sistemit bankar. Guvernatori Fullani paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për një mbikëqyrje të kujdesshme të sistemit bankar, si dhe bëri një përshkrim të kuadrit të politikës monetare në Shqipëri. Gjithashtu, ai vuri dukje politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Ndërmjet të tjerave, Guvernatori Fullani theksoi se klima e favorshme e biznesit, stabiliteti makroekonomik, pozicioni i përshtatshëm gjeografik, legjislacioni liberal e bëjnë Shqipërinë një vend interesant për investitorët e huaj.

Nga ky këndvështrim ka hapësira që interesimi dhe prania e kapitalit kinez në Shqipëri të jetë më e lartë. Nga ana e tij, Zhou vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Ai u shpreh i hapur për të rritur bashkëpunimin bilateral.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, Zhou Xiaochuan, falënderoi Guvernatorin Fullani për ftesën e bërë. Kjo është vizita e parë zyrtare e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z.Zhou Xiaochuan, në Shqipëri.

Kjo vizitë është një tregues që Banka e Shqipërisë ka rritur profilin e saj ndërkombëtar, duke patur një bashkëpunim aktiv me një institucion të tillë si Banka Popullore e Kinës, vendimmarrja e së cilës ka peshë të rëndësishme në ekonominë botërore.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›