E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyra kundër vjedhjeve në të gjitha komisariatet

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Ristrukturimi i policisë

Rekord vjedhjesh në Tiranë. Në 24 orë shënohen mesatarisht 10 vjedhje. Grabitjet me armë, vjedhjet e bizneseve, shtëpive dhe deri të vjedhjet e sendeve personale në rrugë e në urbanë, kanë alarmuar uniformat blu të Tiranës. Për të vënë në pranga autorët e për të parandaluar vrullin e vjedhjeve, Policia e Tiranës do të shpërndajë në të gjitha komisariatet efektivë të sektorit kundër vjedhjeve, të cilët deri tani kanë qenë të përqendruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burime nga policia bëjnë të ditur se ditët e fundit është rritur ndjeshëm numri i vjedhjeve të banesave dhe, për t u ardhur në ndihmë kryeqytetasve, policia ka nxjerrë disa udhëzime dhe fton qytetarët të njoftojnë në numrin e policisë pa pagesë për të sinjalizuar në kohë policinë.
Vjedhjet
Çdo ditë në Tiranë kallëzohen mesatarisht 10 vjedhje, kryesisht biznesesh, shtëpish, automjetesh deri tek rrëmbimet në rrugë të çantave, portofoleve apo bizhuterive. Për parandalimin e kësaj situate Policia e Tiranës ndryshon funksionimin e zyrës së vjedhjeve duke e përhapur në të gjithë Tiranën. Por përveç kësaj rutine muajt e fundit policia e kryeqytetit është vënë nën alarm për numrin në rritje të vjedhjeve kundër pronës dhe pasurisë.
Zyrat qendrore të grabitjeve me dhunë, vjedhjes kundër pasurisë dhe vjedhje të tjera prej katër ditësh janë shpërndarë duke krijuar struktura në të gjitha komisariatet. Burimet nga policia bëjnë të ditur se tre deri në katër vjedhje banesash regjistrohen në ditë të zakonshme, ndërsa shpesh edhe 10 krime të tilla ne ditë.
Bizneset
Vjedhjet e pasurisë së bizneseve në zonat tregtare janë dyfishuar ditët e fundit. Kështu shënohen mesatarisht 2-4 vjedhje në ditë në biznese të mëdha e në kioska të vogla. Burime nga policia pohojnë se automjetet renditen me 2-3 vjedhje kryesisht “bena” deri edhe pasqyra makinash apo edhe portofole dhe bizhuteri. Për këto të fundit policia shton se vjedhjet kryhen ndaj grave dhe të moshuarave, zakonisht në prag mbrëmje apo vendet pa ndriçim.
Zonat e rrezikuara
Burimet raportojnë si zonat më problematike janë 21 Dhjetori, Kombinati, Kinostudio, zona e Selvisë, Tiranës së Re, blloku “Vasil Shanto”, Lapraka dhe Alliasi. Përveç ndryshimit të strukturës në faqen zyrtare të policisë së Tiranës jepen këshilla se si qytetarët të ruajnë banesat nga hajdutët.

Vjedh bizhutë, pranga 31-vjeçarit
Një 31-vjeçar nga Divjaka ka rënë dje në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi i ka vjedhur buzhutë një gruaje. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Xhorxh Bush” dje, rreh orës 22.00. Autori është vënë më pas në pranga në kushtet e flagrancës. Burime nga policia pohojnë se është arrestuar Altin Ndini, 31 vjeç, banues në Divjakë, Lushnjë, me arsim 8 klasë, i dënuar dy herë më parë për vjedhje. Denoncimi për vjedhjen është kryer nga e dëmtuara me inicialet B. M, 36 vjeçe, banuese në Tiranë.

Vjedh furrën e bukës, shpallet në kërkim
Shpallet në kërkim autori i vjedhjes së një furre buke. Burime nga policia bëjnë të ditur se dje gjatë natës, në rrugën “M. Peza”, është tentuar të vidhet me thyerje furra e bukës, pronë e Elez Ramës, 48 vjeç, banues në Domje. Pronari i furrës që ka bërë dhe denoncimin në policia, ka përshkruar për uniformat blu skemën e vjedhjes, madje dhe dyshimin për autorin e mundshëm. Uniformat blu kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, pasi kanë mbledhur provat, kanë identifikuar autorin, i cili më pas është shpallur në kërkim nga policia.

Ky lajm është publikuar: 19/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›