E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta e “Albpetrol”-it nis shitjen sipas bursës së Londrës



Nafta bruto e kompanisë së vetme shtetërore “Albpetrol” e mbetur prej kohësh në magazinim, është gati për t’u hedhur në tregun ndërkombëtar. Shitja e saj sipas çmimit në bursë, do të kryhet sipas një procedure të re, me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Për shitjen e çdo sasie nafte do të ngrihet një komision i posaçëm, i cili do të vlerësojë çmimet në tregjet e huaja, duke iu referuar bursës së naftës “Brent” (Detit të Veriut), e cila tregtohet në Londër. Pika e parë e urdhrit të Priftit lidhet me burimin e tregut të huaj, nga ku do të merret në konsideratë çmimi. Çmimi minimal fillestar i shitjes për njësi përcaktohet nga kompania, nëpërmjet çmimit të produktit të publikuar në bursë për Brentin, në momentin e përllogaritjes, duke marrë në konsideratë koeficientin e konvertimit të këtij çmimi, sipas cilësisë së produktit të prodhuar dhe përcaktohet gjithnjë përpara fillimit të procedurës së shitjes. Ministri ka përcaktuar edhe rregulloren për funksionimin e komisionit që do të kryejë ankandin për shitjen e naftës. Ofertat e kompanive private duhet të vijnë me faks, i cili qëndron në një zyrë të mbyllur dhe ku përgjegjës direkt është kryetari i komisionit të ankandit. Përpara fillimit të ankandit, komisioni duhet të njohë ministrin me çmimin e naftës “Albpetrol” krahasuar me atë që ofrohet në bursën “Brent”, referuar formulave për llogaritjen e kostos dhe karakteristikave fiziko-kimike të produktit (cilësia). Pas këtij veprimi dhe përcaktimit të sasisë, komisioni hap ankandin, duke i bërë ftesë për ofertë shoqërive private në fushën e hidrokarbureve. Kritere të forta janë vendosur për lëvrimin e shumave nga ana e kompanive private. Në kushtet financiare ku ndodhet sot ndërmarrja shtetërore e prodhimit të naftës, ministria i ka kushtuar shumë vëmendje formës për shlyerjen e faturave për sasitë që do të blejnë subjektet private. Shoqëria private që shpallet fituese duhet të lidhë kontratën brenda 5 ditëve nga data e njoftimit dhe të paguajë 10 për qind të vlerës së ofruar. “Pagesa nga shoqëria fituese për sasinë e kontraktuar do të bëhet me transfertë bankare, në cash (para në dorë) me letër krediti të parevokueshme jo më vonë se 15 ditë nga data e firmosjes së kontratës”,- thuhet në pikën 14 të urdhrit. Vendimi me akt-normativ për liberalizimin e çmimit të shitjes për produktet e “Albpetrol”-it erdhi pas ngërçit të krijuar me disa kompani që kishin vështirësi për blerjen e naftës vendase, duke shkaktuar probleme financiare për ndërmarrjen shtetërore. Urdhri i ministrit është lëshuar më 5 korrik dhe përmban të gjithë procedurën për shitjen e naftës së kompanisë shtetërore, e mbetur stok prej 60 mijë tonësh, si pasojë e mosfunksionimit të rafinerisë.

Parashikimet e FMN-së rrisin naftën në bursat e Azisë

Në rritje me afro 76 dollarëve për fuçi lëvizi çmimet e naftës në transaksionet elektronike në Azi pas parashikimeve të reja optimiste të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen ekonomike botërore dhe rritjen e kërkesës nga Shtetet e Bashkuara. Sipas portalit “karburant.com”, FMN-ja i rishikoi parashikimet e saj në rritje për ekonominë botërore në vitin 2010, me gjithë problemet që ka shkaktuar kriza e borxhit publik në Europë. Sipas parashikimeve të reja të Fondit, ritmi i rritjes botërore do të arrijë në 4.6 për qind nga 4.2 për qind që ishte vlerësuar në prill. Fondi nuk i lëvizi parashikimet e tij për vitin 2011, duke vlerësuar se rritja do të jetë në 4.3 për qind. Tregu i karburanteve u forcua gjithashtu nga raporti javor i Ministrisë amerikane të Energjisë, e cila tregoi ulje të rezervave strategjike të naftës bruto në Amerikë.

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›