Braçe: PS-ja, dakord me hapjen e dosjeve
TIRANË - Partia Socialiste rikonfirmon edhe një herë vullnetin e saj për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Numri dy i grupit socialist, Erion Braçe, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë ka shprehur qëndrimin e selisë rozë pro hapjes së dosjeve, si mundësia e vetme për të zbardhur krimet e sistemit komunist, por duke këmbëngulur tek propozimi për të krijuar mundësitë ligjore që çdo qytetar të ketë mundësi të njihet me to në arkivën e shtetit. “Ne kemi qenë të qartë dhe seriozë në trajtimin e kësaj çështjeje, kemi thënë hapur se ne jemi për hapjen e dosjeve. Jo vetëm të dosjeve të sigurimit të shtetit, por edhe të atyre të zbulimit dhe të kundërzbulimit, natyrisht dhe të dosjeve që ndodhen në arkivën e shtetit, duke i dhënë një të drejtë të gjithë shqiptarëve, viktima ose jo, të kenë të drejtën, akses mbi këto dosje”, - tha Braçe. Krijimi i hapësirë ligjore për t’i parë dosjet çdo qytetar në arkiva, për socialistët nuk mbetet kushti i vetëm, pasi, siç ka bërë të ditur dje nënkryetari i grupit socialist, një domosdoshmëri për situatën politike dhe shoqërore në vend mbetet që ky proces të nisë me dosjet e kundërzbulimit të agjenturës ish-Jugosllave, UDB-së. Sipas tij, ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Shqipëri, siç ishte dhe rasti “Fazlliç”, kanë treguar lidhjet e forta midis politikës shqiptare dhe punonjësve të kësaj ish-agjenture, që, për Braçen, ka kapur degët kryesore të ekonomisë shqiptare. “Ditët e fundit ka dalë në vëmendjen e gjithë opinionit publik se vërtet flitet për hapje dosjesh, por, a janë ato dosje, a ekzistojnë ato? Sepse njerëz jo dosido, por që kanë pasur akses mbi ato dosje, njerëz që kanë pasur akses mbi administrimin e atyre dosjeve, natyrisht kanë hedhur dëshmi të qarta se një pjesë e dosjeve, veçanërisht të kundërzbulimit dhe veçanërisht atyre të UDB-së janë zhdukur gjatë periudhës 1992-1995”, - tha ai. Nisur pikërisht nga këto fakte, ai nuk ka nguruar të bëjë një lidhje të shkurtër logjike midis këtyre ngjarjeve që kanë për protagonistë qytetarë me origjinë serbe dhe zhdukjes së dosjeve të agjentëve të kundërzbulimit që, si fushë të tyre të veprimit, kishin pikërisht UDB-në.