E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton, Metës: SHBA, bashkëpunim të ngushtë me qeverinë “Berisha”



Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin vendosmërinë e plotë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me qeverinë “Berisha 2” përgjatë mandatit të ri 4-vjeçar. Ky mesazh iu përcoll mbrëmë ministrit tonë të Jashtëm, Ilir Meta, nga Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, znj. Hillary Clinton gjatë takimit që zhvilluan në Nju Jork. Në darkën transatlantike e cila u shtrua nga znj. Hillary Clinton, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, zhvilloi një bisedë të ngrohtë me Sekretaren e Shtetit, Clinton, e cila e përshëndeti z. Meta për marrjen e funksioneve dhe i uroi atij suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të rëndësishme politike për Shqipërinë. Znj. Clinton i konfirmoi z. Meta vullnetin e SHBA-së për një bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve në të gjitha nivelet dhe i theksoi atij besimin e plotë tek roli tepër konstruktiv dhe i rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe do të luajë si një partnere e afërt e SHBA-së për mbarëvajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal. Z. Meta, në emër të qeverisë shqiptare e siguroi znj. Clinton për angazhimin maksimal të Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e NATO-s dhe përkushtimin e qeverisë për t’iu afruar sa më shpejt integrimit të plotë evropian. Darka transatlantike u organizua gjatë Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën ishin ftuar ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së dhe NATO-s. Gjatë kësaj darke ministrat e jashtëm të Aleancës së Atlantikut diskutuan për një sërë çështjesh të një rëndësie të veçantë për paqen dhe sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Vizat dhe integrimi në BE, Meta merr mbështetjen e Perëndimit

Shqipëria merr mbështetjen e diplomacisë botërore për heqjen sa më të shpejtë të vizave dhe integrimin në BE. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku po merr pjesë në samitin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua personalitete të larta botërore prej të cilëve mori mbështetjen për integrimin e Shqipërisë. Z. Meta zhvilloi takime të veçanta me ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, z. Yves Leterne, atë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohammed Bin Rashed Al Maktoum dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Panamasë, Meliton Arrocha. Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm belg, z. Yves Leterne, u diskutuan çështje që lidhen me integrimin evropian të vendit, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe. Zv.kryeministri Meta vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe njëkohësisht i kërkoi bashkëbiseduesit mbështetjen e Belgjikës për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e rajonit. Pasi vlerësoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri dhe raportin pozitiv të OSBE/ODIHR-it për to, ministri i Jashtëm belg konfirmoi mbështetjen e plotë të vendit të tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Për sa i përket liberalizimit të vizave, z. Leterne u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit të Komisionit Evropian dhe shprehu besimin në përmbushjen e shpejtë të tyre nga pala shqiptare, çka do të sillte një reagim pozitiv për këtë qëllim. Në takimet me homologët e tij të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Panamasë, biseda u përqendrua kryesisht në zhvillimet në rajonet respektive dhe në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në bashkëpunimin në kuadrin e organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu, zëvendëskryeministri Meta i falënderoi bashkëbiseduesit për mbështetjen që këto vende i kanë dhënë shtetit të pavarur të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›