E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në Albpetrol, naftëtarët në protestë

Patos Kërkojnë rishikimin e listës me emrat e atyre që humbasin punën

Reforma më e fundit që ka prekur sektorin e naftës ka nxjerrë në protestë naftëtarët e mbetur pa punë. Dje ata janë grumbulluar përpara godinës së Uzinës Mekanike në Patos dhe kanë kërkuar rishqyrtim të listës. Në këtë protestë njëorëshe kanë qenë të pranishëm jo vetëm naftëtarë të prekur nga reforma në Uzinën Mekanike Patos, apo “Albpetrol”, por dhe nga Uzina Mekanike e Naftës, Kuçovë. Protestuesit të irrituar kanë tentuar të hyjnë me forcë në godinë. Ata kanë deklaruar se nuk do t’i ndalin protestat, deri në zgjidhje të kërkesës së tyre për rishqyrtim të listave të të prekurve nga reforma. Pritet që të shkurtohen rreth 1000 punonjës, të cilët do të dalin nga puna si pasojë e shkrirjes në një të vetme të kompanisë “Albpetrol” dhe dy uzinave mekanike në Patos dhe Kuçovë. Gjithçka sipas përfaqësuesve të kompanisë naftënxjerrëse bëhet në kuadër të ristrukturimit dhe marrëveshjes që kjo kompani ka bërë me kompani të huaja të prodhimit të naftës për dhënien me koncesion të një numri të madh pusesh. Reforma u bë publike me daljen e vendimit të Këshillit të Ministrave në fund të muajit prill që përcaktonte ristrukturimin e ndërmarrjeve tregtare me kapital shtetëror. “Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.275, datë 26.4.2010, në kuadër të ristrukturimit të ndërmarrjeve tregtare me kapital shtetëror, “Albpetrol” Patos, Uzina Mekanike e Naftës Kuçovë dhe Uzina Mekanike e Naftës Patos, do të bashkohen me anë të shkrirjes së këtyre shoqërive. Kjo shkrirje ka bërë që pjesa më e madhe e burimeve të naftës të shfrytëzohet nga kompani koncensionare. Si rezultat është domosdoshmëri shkurtimi i fuqisë punëtore në këto kompani”, kanë deklaruar përfaqësuesit e “Albpetrol”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›