Sheshi “Skënderbej” po merr pamje – nis asfaltimi dhe mbledhja e pemëve dekorative
Mund të thuhet se punimet në sheshin qendror të kryeqytetit, “Skënderbej”, po shkojnë drejt fazës përfundimtare, për të mundësuar kështu qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në të, brenda javës së parë të muajit nëntor.
Dje ka përfunduar shtrimi me pllaka i trotuareve rreth lulishtes pas monumentit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ndërsa falë punës intensive ka përfunduar korsia e parë në shesh që do të shpërbejë për kalimin e biçikletave, duke i dhënë për herë të parë kryeqytetit një pamje ambientale. Korsia e biçikletave është shtruar me pllaka të kuqërremta për t’u dalluar lehtësisht nga qytetarët.
Bashkia e Tiranës i ka kërkuar firmës që po kryen punimet në shesh të vijojë intensivisht punimet për rehabilitimin e qendrës së kryeqytetit, e cila do të jetë e kalueshme nga kalimtarët dhe mjetet, brenda fillimit të nëntorit. Mbarimi i punimeve do të lejojë automjetet të lëvizin sipas një skeme të hartuar nga ekspertë, e cila i jep zgjidhje trafikut të rënduar në kryeqytet. Punimet për pjesën estetike të sheshit po kryhen paralelisht me procesin e asfaltimit të shtresës së fundit të akseve rrugore për qarkullimin e makinave. Përfundimi i punimeve do e rikthejë kryeqendrën e shqiptarëve të shfrytëzueshme si vend çlodhësh, përmes lulishteve që janë parashikuar të ndërtohen në të.
Ndërkohë që pjesa ku ka qenë shatërvani po kthehet në një hapësirë të gjelbër të shfrytëzueshme për qytetarët. Pjesa para dhe pas monumentit të heroit tonë kombëtar “Skënderbeu” po merr pamjen e një kuote pasqyrë, e gjelbëruar me ngritje minimale prej 1.5 metrash. Kjo hapësirë po merr formën e saj falë mbjelljeve të pemëve. Ndërkohë ka përfunduar faza e parë e rehabilitimit në pjesën para Pallatit të Kulturës, ku ndodhet aktualisht Teatri i Operas dhe Baletit. Në pjesën ku ndodheshin shkallët e Pallatit të Kulturës është duke u punuar për një modifikim estetik me gjelbërim, i cili do të vijë i pjerrët në pjesën ballore të sheshit.
Gjithashtu po punohet për një rivendosje të shkallëve jo në formatin e mëparshëm, por një format të mjaftueshëm për të lejuar një akses komod në institucionin e Operas dhe Baletit.
Në rikonceptimin e projektit, sheshi “Skënderbej” shihet si një ansambël historik, i cili përfshin të gjithë aksin Veri-Jug në Bulevardin e Tiranës, që aktualisht është i papërfunduar. Pjesa, e cila përmbyll këtë aks historik i jep qytetit frymëmarrjen për zhvillim në një zonë të Tiranës, që nuk ka përjetuar zhvillim apo ka përjetuar zhvillim shumë të pakët dhe të parregullt, si rezultat i mungesës së infrastrukturës. Pjesa e ndryshuar e projektit e ruan financimin e deritanishëm dhe asnjë euro e hedhur deri tani nuk shkon dëm, sepse punimet e deritanishme janë punime nëntokësore, kryesisht ripërtëritje e infrastrukturës nëntokësore, e cila për herë të fundit ishte ndërtuar në vitet 1988 - 1989 dhe punime të tjera nuk shkojnë dëm.
Bashkia e Tiranës ka parashikuar ndërtimin e 4 parkingjeve nëntokësore me dy ose më shumë nivele, që do të kryhen në zonë, që i shërbejnë lehtësimit të trafikut të rënduar, ndërsa aty ku sot parkohen makina do të ketë zona të gjelbëruara. Parkingjet do të jenë poshtë Parkut “Rinia” dhe poshtë Sheshit “Italia” dhe po shikohet një hapësirë tjetër prapa Muzeut Kombëtar, që do të ndërtohej në planin fillestar të rigjallërimit të sheshit, por që u anashkalua. Parkingjet poshtë Sheshit “Italia” pritet të prezantohen në një nga mbledhjet e ardhshme të Këshillit Bashkiak, gjithashtu edhe kushtet koncesionare për t’i miratuar. Kapaciteti i këtyre parkingjeve do të jetë mbi 4 mijë automjete, pra shfryrja e trafikut do të jetë e konsiderueshme dhe impakti te qytetarët, shumë i madh edhe si kursim parash, edhe si kursim stresi.
Me projektin e ri, pjesa midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë po i nënshtrohet një gjelbërimi me pemë me lartësi jo më të vogël se 3 metra. E gjithë pjesa mes Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë po merr një pamje të gjelbër falë ndërtimit të një hapësire me pemë dekorative, duke ruajtur një pamje uniformë.
Sipas projektit të Ramës pjesa midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë ku ndodhej busti i diktatorit, do të bëhej në formën e një piramide prej betoni, e cila do të ngrihej mbi themelet e bustit të diktatorit. Ky veprim nuk duket i rastësishëm, pasi Rama ka shprehur hapur simpatinë e tij për diktatorin Hoxha.
Trafiku merr zgjidhjen përfundimtare
Projekti i sheshit siç ishte konceptuar nga ish-kryebashkiaku Rama, jo vetëm nuk e zgjidhte, por e rëndonte problemin e trafikut për kryeqytetin. Kjo situatë erdhi pasi ishte injoruar tërësisht radha e punës në projektin fillestar të hartuar nga i njëjti grup inxhinierësh, që po drejtojnë aktualisht punimet në shesh.
Me një të rënë të lapsit, administrata e mëparshme e Bashkisë eliminoi edhe zgjidhje të zgjuara të projektit aktual, siç ishte një tunel nëntokësor në aksin Veri-Jug apo një parkim nëntokësor pranë Muzeut Kombëtar me kapacitet 1200 makina. Projekti siç ishte nisur, përveç shkeljeve të tjera ligjore, sepse shkelte vetë parimin e dekretuar nga Rama kur ishte ministër Kulture të ndërhyrjes monumentale të sheshit, sillte një ngërç të madh të trafikut.
Prej disa javësh Bashkia e Tiranës ka intensifikuar punimet për rehabilitimin e Sheshit “Skënderbej”, për të çliruar trafikun e rënduar që krijohet në qendër të kryeqytetit. Kjo është zgjidhja emergjente për situatën e krijuar dhe Bashkia është konsultuar me specialistët e fushës për kryerjen e këtyre punimeve.
Bashkia e Tiranës e konsideron problemin e trafikut një problem shumë të madh, që i kushton qytetarëve të Tiranës një problem ekonomik, pasi çdo njësi kohore shtesë, çdo orë, çdo minutë që një qytetar kalon në trafik, është një kosto ekonomike për qytetin. Trafiku vazhdon të mbetet një problem i madh ambiental për mbarë qytetin dhe qytetarët e Tiranës.