“Rama po e trajton PS-në si çiflig privat, ose të marrë me qira”

Deputeti socialist, Arben Malaj jep alarmin në prag të punimeve të Kongresit
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste dhe njëherazi deputet i kësaj force politike, Arben Malaj, vazhdon ta cilësojë si kaotike situatën e brendshme në PS, ndërsa jep alarmin në prag të punimeve të Kongresit se partia më e madhe e opozitës, po trajtohet si pronë private. Reagimi i deputetit Malaj vjen pas deklaratës së Edi Ramës, sipas të cilit PS ka program të mirëfilltë politik si dhe koherencë të plotë me zhvillimet e brendshme të PS, pavarësisht politikës së përjashtimit dhe përndjekjes. Për Malaj, ajo që po gjen vend në PS është klientelizmi dhe fryma e përçarjes. Sipas tij, Rama po e trajton Partinë Socialiste si çiflig privat, apo të marrë me qira. “E drejta për të drejtuar një qeveri apo një force politike nuk është element pronësie apo qiramarrje, por një mundësi e veçantë në jetën e gjithsecilit për t’i shërbyer vendit të vet. Ngecja në çdo reformë politike dhe ekonomike, përkeqësimi i qeverisjes së vendit dhe dështimi i përsëritur në integrimin e tij, janë të mjaftueshëm për të zgjuar sado pak ndërgjegjen e gjithsecilit për daljen sa më parë nga kjo situatë. Problemi nuk qëndron se disa janë të padisiplinuar në partitë politike, por se disiplina, uniteti dhe besnikëria partiake keqpërdoret për ambicie apo mbijetesë individuale duke dëmtuar rëndë demokracinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Krizat politike dhe ekonomike favorizojnë radikalët dhe populistët. Ne s’kemi mundësi tjetër për ta reduktuar këtë risk, veç duke modernizuar politiken shqiptare, duke modernizuar partitë politike, duke rritur transparencën ndaj opinionit publik, duke guxuar për të ndryshuar”, u shpreh Malaj. Anëtari i kryesisë së PS i drejtohet mbarë socialistëve se mungesa e demokracisë së brendshme, vë në rrezik vetë Partinë Socialiste, ndërsa përmes formulës së klientelizmit, shton risqet për një tjetër penalizim elektoral në të ardhmen. “Duhet të shqetësohemi më shumë për mungesën e demokracisë së brendshme edhe të partive politike si dhe për klientelizmin e rritur që dëmton inspirimin për të mësuar, për t’u përkushtuar dhe për të krijuar meritën e promovimit. Në qoftë se në qeveri shkalla më e lartë e korrupsionit është kapja e shtetit, sot rrezikohemi seriozisht nga kapja e partive politike, një risk i rritur dhe i lartë për zhvillimet e ardhshme politike”, thotë më tej, deputeti Malaj.
...