E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në drejtësiKLD apel politikës:Duhet konsensus

TIRANE- Reforma në drejtësi po has vështirësi për shkak të mosmiratimit të ligjeve kryesore. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtesisë, Kreshnik Spahiu gjatë një konference të organizuar nga USAID është shprehur i shqetësuar në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi. Sipas Spahiut, reforma po pengohet për shkak të mungesës së vullnetit politik të partive parlamentare të cilave u ka bërë apel të japin konsensus.

“Për momentin jemi të ndërgjegjshëm për të pranuar vështirësitë që po kalon vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë por edhe reforma në gjyqësor. Për mëse 2 vjet KLD e ka të pamundur ngritjen e Gjykatave Administrative për shkak të pamundësisë së miratimit të projekt/ligjit në Kuvendin e Shqipërisë. Shfrytëzoj nga rasti ëpr të përmendur jo vetëm projekt/ligjin për Gjykatën Administrative por një sërë ligjesh të tjera organike të rëndësishme po pengojnë thellësisht reformën në drejtësi. Shfrytëzoj nga rasti për të apeluar në cdo parti mundësinë e dhënies së konsensusit për të miratuar në kuvend në mënyrë që të mund të realizohet reforma gjyqësore.” theksoi Spahiu.

Ndërkaq Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani tha se reforma në sistemin e drejtësisë është prioritet i ministrisë që ai drejton dhe i qeverisë shqiptare.

“Reforma në drejtësi dhe forcimi i pushtetit gjyqësor është prioritet i veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, në materializimin e politikës së qeverisë shqiptare për mbrojtjen e vendosur të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, rikthimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia, rritjen e transparencës dhe luftën pa kompromis kundër shfaqeve korruptive.” theksoi Nishani.

Ndërkohë në këtë takim përfaqësuesi i USAID tha se perceptimi i qytetarëve shqiptarë për sistemin e drejtësisë është në rënie. Ai tha se duhet të ecet përpara me reformat dhe nëse nuk ndiqet kjo rrugë, Shqipëria do të jetë larg Bashkimit Europian.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›