E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në inxhinierinë mekanike

10/06/2009  Bashkëpunim ndërmjet Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universitetit të Siegenit në Gjermani

Viti 2000 shënon fillimin e një bashkëpunimi të suksesshëm ndërmjet FIM të UPT dhe Institutit të Fluideve dhe Termodinamikës (IFT) të Universitetit të Siegenit në Gjermani, kur u organizua seminari dyditor me temë: “Ditët e dyerve të hapura”.

Iniciator të këtij bashkëpunimi janë: për palën shqiptare prof. dr. Andonaq Londo, aktualisht dekan i FIM, dhe prof. dr. Pirro Cipo, dekan i FIE të UPT; për palën gjermane prof. dr. Thomas Carolus (IFT) dhe prof. Ulrich Eberhard, bashkëpunim i mundësuar në saje të financimit të qeverisë Gjermane dhe fondacionit “DAAD”. Në kuadër të këtij bashkëpunimi rreth 10 studentë të dalluar të FIM kanë përgatitur diplomat pranë IFT të Universitetit të Siegenit.

Këtë vit bashkëpunimi është shtrirë edhe më tej në fushën e mësimdhënies. Kështu, në kuadër të realizimit të procesit të Bolonjës është krijuar mundësia që profesorë të Universiteti të Siegenit dhe të Politeknikut të Barit të vijnë e të zhvillojnë një modul leksionesh në kurset e DND, viti i parë.

Prof. Thomas Carolus dhe prof. Andonaq Londo së bashku me studentë shqiptarë të inxhinierisë mekanike në H/C-in e Tiranës.

Në këto dy javë të fundit prof. Thomas Carolus (IFD) po zhvillon një cikël leksionesh me studentë të vitit të parë të sistemit DND të degës mekanike të FIM në lëndën “Makinat me fluid”, 2, dhe “Sistemet e energjisë”. Gjatë kësaj periudhe së bashku me studentët shqiptarë dhe profesorët gjermanë janë zhvilluar edhe praktika mësimore si ajo në hidrocentralin e Tiranës me një fuqi 5 MW, në të cilën studentët u njohën si me anën hidroteknike të veprës, ashtu dhe me pajisjet mekanike. Më pas, nën drejtimin e profesorit Th. Carolus u zhvillua një seminar i hapur lidhur me sistemet energjetike shqiptare. Po kështu prof. dr. Hartmut Gembries i Universitetit të Siegenit zhvilloi leksione në vitet e para të DND (Master i nivelit të dytë) të degës tekstil dhe modë të FIM në lëndën “Teknikat e komunikimit interkulturor”. Studentët shqiptarë morën leksione lidhur me teknikat e komunikimit interkulturor, shkëmbimet e studentëve midis universiteteve evropiane, institucionet e Evropës së bashkuar etj.

Prof. dr. Hartmut Gembries duke zhvilluar një orë leksioni me studentë të inxhinierisë tekstile.

Profesorët e mësipërm, të ftuar si pedagogë të jashtëm për një periudhë dyjavore, zhvillojnë leksionet në gjuhën angleze, të shoqëruar dhe nga pedagogë shqiptarë, të lëndëve përkatëse.

Zhvillimi i leksioneve bëhet duke përdorur teknikat audiovizive bashkëkohore. Fakti që leksionet zhvillohen në gjuhë të huaj dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë, shtron detyrë imperative përpara studentëve për një përgatitje më cilësore të gjuhëve të huaja e veçanërisht asaj angleze.

Më tej ky bashkëpunim do të vazhdojë me profesorë të Politeknikut të Barit dhe konkretisht me profesorët Sergio Campareale, Bernardo Fortunato, Antonio Lippalis, Francesco Ruggiero etj., të cilët janë parashikuar të zhvillojnë cikle leksionesh në disa lëndë.

Futja e Shqipërisë në NATO do të krijojë mundësi për zgjerim të këtyre formave të bashkëpunimit. Natyrisht, ky bashkëpunim do të kërkojë një angazhim më të plotë të strukturave akademike universitare, por dhe një përgatitje e angazhim serioz të masës së studentëve për një përgatitje më cilësore në të gjitha drejtimet e procesit mësimor.

Prof. dr. ing. Angjelin Shtjefni

Departamenti i energjetikës UPT

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›