Shqiptarët, 13% të lumtur, 67% në luftë për mbijetesë
nertila maho
Rreth 67 për qind e shqiptarëve janë në luftë të përditshme për të siguruar jetesën, 13 për qind janë të lumtur, ndërsa 20 për qind vuajnë. Këto janë rezultatet e anketës së fundit të Gallup World Poll, mbi Indeksin e Lumturisë, ku Shqipëria renditet në vendin e 103-të nga 155 vende. Rezultatet dhe renditja që i bën vendeve anketa, hedhin poshtë pohimet se paraja nuk e blen lumturinë, kjo pasi pesë vendet e para në këtë indeks kanë një nivel të ardhurash për frymë në shkallë të lartë. Njerëzit më të lumtur në botë janë në vendet Skandinave. E para në botë renditet Danimarka, me një përqindje të njerëzve të lumtur në masën 82 për qind, e dyta renditet Finlanda, me një përqindje 75 për qind, e treta Norvegjia, me një përqindje 69 për qind, e katërta Suedia me 68 për qind, dhe e pesta Holanda me po 68 për qind. Ndërkohë, që vendet e fundit nga lumturia janë vendet afrikane, të cilët shënojnë një përqindje të ulët të njerëzve të lumtur me shifra 1 apo 2 për qind, si Komorros, Burundi dhe Togo, që renditet si vendi i fundit. Anketa e Gallupit është zhvilluar përgjatë katër viteve, nga 2005 deri në vitit 2009. Ndërkohë që për çdo vend janë intervistuar rreth 136 mijë njerëz.
Llogaritja e Indeksit të Lumturisë
çdo të intervistuari të anketës iu bë pyetja lidhur me kënaqësinë e përgjithshme, pra sa i kënaqur ishte ai me jetën që bënte. Vlerësimi mund të bëhej me një renditje nga 1-shi tek 10-ta, si rezultati më i lartë. Po kështu njerëzve u është kërkuar që të japin përgjigje lidhur me një sërë emocionesh pozitive dhe negative të përjetuara. Pjesa e dytë e anketës ka në thelb vlerësimin ditor. Anketuesit e Gallup kanë kërkuar të dinë nga të intervistuarit, se si ka qenë dita e tyre një ditë më parë.
Këto përgjigje lejuan anketuesit që të vlerësonin "eksperiencat ditore"(gjëra që lidheshin me faktin nëse ishin ndjerë të qetë, të respektuar, të lehtësuar nga dhimbjet dhe të kënaqur nga realizmi i tyre intelektual). Njerëzit që grumbulluan pikët maksimale u konsideruan si "të lumtur", ndërsa përqindja në total e këtyre njerëzve luajti rol përfundimtar në renditjen e vendeve në Indeksin e Lumturisë.
Indeksi i Lumturisë
(Renditja e vendeve)
(Një pjesë e vendeve kanë të njëjtin numër në renditje, për shkak se kanë grumbulluar të njëjtat pikë).
1. Danimarka
2. Finlanda
3. Norvegjia
4. Suedia
5. Hollanda
6. Kosta Rika
7. Zelanda e Re
8. Kanada
9. Izrael
10. Australia
103. Azerbajxhani
103. Hungaria
103. Shqipëria
148. Kamboxhia
153. Komorros
153. Burundi
155. Togo
Shqipëria
Përqindja e të lumturve
13 për qind e shqiptarëve ndjehen të lumtur nga jeta që bëjnë, sipas anketës së Gallup.
Përqindja e "luftës" për mbijetesë
67 për qind e shqiptarëve janë në luftë të përditshme për të siguruar jetesën.
Përqindja e atyre që vuajnë
20 për qind e shqiptarëve pranojnë për anketën e Gallup se vuajnë dhe nuk janë të kënaqur me jetesën që bëjnë.
Vlerësimi i eksperiencës ditore
5.6 është mesatarja që shënon Shqipëria sa i përket eksperiencës ditore, pra se sa të lumtur ndjehen gjatë një dite njerëzit. Vlerësimi maksimal për eksperiencën ditore është 10.
Rajoni
50. Greqia
54. Kosova
61. Mali i Zi
61. Kroacia
73. Rumania
79. Bosnja dhe Hercegovina
91. Serbia
96. Maqedonia
103. Shqipëria
137. Bullgaria