E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillohet takimi i nivelit të lartë "Përgatitjet e Pyetësorit të KE-së", ku u fol për eksperiencën kroate në plotësimin e pyetësorit

Bregu: Administrata gati për plotësimin e pyetësorit të KE-së


U zhvillua sot në Durrës takimi i nivelit të lartë "Përgatitjet e Pyetësorit të KE-së", i organizuar nga ministria e Integrimit, me fokus eksperiencën kroate në plotësimin e pyetësorit që pritet të mbërrijë së shpejti në Shqipëri. Përveç ministres së Integrimit znj.Majlinda Bregu në këtë takim merrnin pjesë zv/kryeministri Ilir Meta, disa ministra të kabinetit qeveritar, kryenegociatori kroat, z. Vladimir Drobnjak, përfaqësues të institucioneve të pavarura në vend, ekspertë dhe koordinatorë të grupeve ndër-institucionale. Në fjalën e saj në këtë takim, znj.Bregu falënderoi z.Drobnjak për gadishmërinë e tij për të ndarë eksperiencën kroate në plotësimin e pyetësorit dhe njohu të pranishmit me përgatitjet që ka bërë Ministria e Integrimit, si institucioni drejtues dhe koordinues i procesit, për përfshirjen e personave përgjegjës dhe përcaktimin e afateve kohore për përmbushjen e çdo detyre të veçantë që lidhet me pyetësorin. Ministrja veçoi si element të rëndësishëm përcaktimin e strukturës organizative për plotësimin e Pyetësorit, duke marrë parasysh se në këtë proces do të përfshihen 45 ministri dhe institucione në varësi të tyre, institucione të tjera qendrore dhe të pavarura duke përfshirë mbi 400 nëpunës civilë. Ministrja informoi pjesëmarrësit edhe mbi parapërgatitjet për procesin e përkthimit. “Është përgatitur glosari i MSA-së, është në proces publikimi glosarii institucioneve dhe programeve të Bashkimit Europian ; është finalizuar manuali i përkthimit të legjislacionit shqiptar në gjuhën angleze. Ky manual publikohet javën që vjen ; kanë përfunduar procedurat për përzgjedhjen e përkthyesve dhe po zhvillohen trajnimet e tyre », informoi ministrja. E pyetur nga gazetarët për afatin e plotësimit të pyetësorit, ministrja tha se më i rëndësishëm se afati është marrja me seriozitet e përgatitjeve për këtë proces. « Kryefjala e fjalisë është cilësia, pastaj shpejtësia. Cdo nëpunës që do të merret me plotësimin e pyetësorit, duhet të kuptojë se është shumë i rëndësishëm kontributi personal, përveçse ai politik në mënyrë që të hedhim hapa cilësorë dhe të shpejtë. Synimi ynë është të bëhemi anëtarë dinjitozë të BE-së”, tha znj.Bregu. E pyetur lidhur me protestat e opozitës ministrja tha se ato nuk kanë ndryshuar asgjë në vendimarrjen politike të BE, pasi kanë qenë pikërisht institucionet ndërkombëtare që kanë çertifikuar procesin zgjedhor në Shqipëri . “Dalja në rrugë nuk mund të ngadhënjejë kurrësesi mbi procesin e integrimit që ecën pikërisht këtu, në tryezat e punës”, përfundoi ministrja deklaratën për mediat. Në pjesën e dytë të takimit diskutimi u përqëndrua tek fushat kryesore të plotësimit të pyetësorit, kriterin politik për të cilin referoi z.Drobjak, dhe pyetjet drejtuar përfaqësuesve të grupeve të punës: ekspertit kroat për kriterin ekonomik, Z. Siniša Petrović, lidhur me përvojën kroate për plotësimin e pyetjeve të fushës së tregut të brendshëm, konkurrencës, etj., si dhe znj. Ružica Gelo, ekspertes për fushën e detyrimeve të anëtarësimit që solli përvojën kroate në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore, mbrojtjes së konsumatorit, etj. Duke iu referuar edhe përvojës kroate në plotësimin e pyetësorit, z.Drobnjak e vlerësoi si shumë të vështirë këtë proces, pasi kërkon shumë angazhim, përgatitje dhe ekspertizë. “Plotësimi i pyetësorit është një proces më i vështirë nga sa mund ta mendoni, megjithatë, duke parë përgatitjet tuaja, mund të them se i keni të gjitha mundësitë t’ia dilni mbanë në kohën e duhur. Ju duhet përgatitje e mirë në nivel ekspertësh sepse ky proces është logjistik, diplomatik, teknik dhe politik”, tha z.Drobnjak duke ofruar gjithë ndihmën e Kroacisë nëse do të jetë e nevojshme, për këtë fazë të procesit të integrimit të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›