Rama këshillohet me Agollin, gati thirrja e Kryesisë për Kuvendin
Shaban Sulçe
Pas rikonfirmimit në krye të Partisë Socialiste, Edi Rama fillon zyrtarisht projektin e tij për drejtimin e partisë më të madhe opozitare. Dje, kryesocialisti, i shoqëruar nga deputetët Vasilika Hysi dhe Eduard Shalsi, ka zhvilluar një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit të njohur dhe ish-themeluesit të PS-së, Dritëro Agolli. Rama ka zhvilluar një bisedë rreth aktualitetit politik me Agollin, ku ndër të tjera ka diskutuar në lidhje edhe me bojkotin e Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste. Mësohet se kryesocialisti pritet të thërrasë gjatë kësaj jave Kryesinë e Partisë Socialiste në një mbledhje ku do të diskutohet dhe do të vendoset për raportet që do të ketë Partia Socialiste me Kuvendin. Vendimi për vazhdimin e bojkotit ose ndërprerjen e tij do t’i propozohet më pas Grupit Parlamentar socialist, i cili do të vendosë përfundimisht për hyrjen në Kuvend, ose vazhdimin e bojkotit.
Rama
Pas takimit me Agollin, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka konfirmuar pandryshueshmërinë e qëndrimit të PS-së në lidhje me procesin zgjedhor dhe raportet e kushtëzuara me Kuvendin. Kreu i selisë rozë tha se PS-ja është e gatshme që të hyjë menjëherë në Kuvend në rast se do të bihet dakord që të hetohen zgjedhjet dhe të hapen kutitë e votimit. Sipas Ramës, komisioni hetimor dhe hapja e kutive është kushti thelbësor i vendosur nga Partia Socialiste. “Kushti thelbësor, është një, është që të bëjmë komisionin hetimor me shumicë të opozitës. Jemi gati të hyjmë në Kuvend që nesër n.q.s. ata bien dakord që ne të hetojmë dhe të bëjmë transparencë për procesin zgjedhor dhe brenda hetimit është hapja e kutive për të parë realisht se çfarë kanë brenda ato, qoftë vota, qoftë lista. Hapen kutitë dhe gjithë populli e shikon çfarë kanë kutitë brenda, sepse këtë e ka ligji. Hapja e kutive i jep fund një historie 20-vjeçare; bëj procesverbale false, fut vota në kuti, bëji listat sipas qejfit, hap tjetër listë në kuti, tjetër listë e shpallur, votojnë pesë herë, voto si emigrant dhe në fund fare e pëson një popull i tërë, se nuk merr dot vendim. Ky është thelbi i çështjes”, - deklaroi dje kryetari i PS-së, Edi Rama.
Ftesa
Maxhoranca ka përsëritur edhe dje ftesën në drejtim të Partisë Socialiste për të qenë e pranishme në Kuvend. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se PS-ja duhet të hyjë menjëherë në Kuvend, pasi vijimi i bojkotit do të dëmtojë rëndë imazhin e vendit. “Përsa i përket imazhit të një maturimi politik të klasës politike shqiptare, nuk përcjell pozitivitet fakti që opozita sot nuk është në Parlament. Në çdo diskutim me të huajt, por edhe së brendshmi, pika kryesore dhe pika më e nxehtë sot është se kur opozita do të rikthehet në Parlament. Unë besoj që opozita dhe pjesëtarët e PS-së kanë përgjegjësinë politike dhe qytetare për të ardhur dhe për të përfaqësuar elektoratin dhe veten e tyre në Parlament. Besoj që mungesa e një personaliteti të mirëkonstruktuar në lidershipin e PS-së nuk do t’i pengojë gjatë përfaqësuesit e tjerë të Partisë Socialiste për t’u rikthyer në sallën e Parlamentit”, - u shpreh Bregu gjatë një interviste televizive.
Edhe kryeministri Sali Berisha, nga Nju Jorku, përsëriti dy ditë më parë ftesën në drejtim të Partisë Socialiste për të qenë e pranishme në Kuvend, për të diskutuar rreth pretendimeve të saj për zgjedhjet. “Për këto zgjedhje ka një vlerësim të arbitrit, i cili thotë për herë të parë se zgjedhjet në Shqipëri plotësuan angazhimet kryesore të organizatës së OSBE/ODIHR-it dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitiv. Zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të pasur, dhe janë të pakta vendet që i kanë zgjedhjet të përsosura. Arbitri ndërkombëtar ka bërë një seri sugjerimesh. Opozita është e ftuar nga unë të ulet, dhe unë do t'i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por, zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në Parlament, dhe jo jashtë tij. Në rast se opozita përcakton kushte, të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndërkombëtar, zgjedhjet janë sa kombëtare, aq dhe ndërkombëtare, ne nuk mund t'i ngatërrojmë gjërat”, - tha Berisha.
29 Shtator 2009