PS: Buxheti dhe qeveria, të paafta të nxjerrin vendin nga kriza
Partia Socialiste ripërsërit edhe njëherë shqetësimin për situatën e vështirë në të cilën gjendet ekonomia e vendit. Deputeti socialist, Ilir Beqja, tha se situata e vështirë ekonomike po pasqyrohet edhe në realizimin e të ardhurave fiskale për 8 muajt e parë të këtij viti. Sipas tij, administrata tatimore dhe doganore nuk janë në gjendje që të mbledhin të ardhurat e programuara. Beqja theksoi se deficiti i krijuar nga mosmbledhja e këtyre të ardhurave është 185 milionë dollarë, ndërsa deficiti i krijuar nga mosmbledhja e të ardhurave në tatime e dogana është 155 milionë dollarë. “Realizimi i planit të tatim-fitimit vetëm me 84% dëshmon qartë për vështirësitë që kalojnë sipërmarrjet shqiptare. Realizimi i planit të kontributeve të detyrueshme vetëm me 94% dëshmon përsëri qartë se nuk kemi rritje të punësimit, siç është premtuar nga qeveria. Në 8 muajt e parë të 2009-s është mbledhur si tatim mbi vlerën e shtuar vetëm 4.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2008. Në kushtet kur 70% e TVSH-së mblidhet në dogana dhe në kushtet e zhvlerësimit të monedhës vendase me të paktën 6% krahasuar me një vit më parë, rezulton se ekonomia shqiptare nuk është rritur në 8 muajt e parë të vitit 2009. Kjo është e dhëna më e saktë, e dalë nga raportimet zyrtare të vetë Ministrisë së Financave, që dëshmon se deklarimet e kryeministrit dhe të ministrit të Financave për rritje ekonomike janë të gënjeshtërta”, - tha ai. Deputeti socialist kritikoi gjithashtu edhe buxhetin e qeverisë për vitin 2009, të votuar pak ditë më parë. Sipas deputetit të Partisë Socialiste, ky buxhet nuk do të jetë në gjendje që ta nxjerrë vendin nga kriza. “Situatën e vështirë ekonomike të vendit dhe situatën e vështirë fiskalë të buxhetit të shtetit, për fat të keq të të gjithë shqiptarëve, nuk do ta përmirësojë as ndryshimi i buxhetit të vitit 2009 i miratuar të enjten e kaluar”, - deklaroi deputeti i PS-së, Ilir Beqja.
29 Shtator 2009