Raporti i KLSH: Abuzime në miliona euro nga bashkitë me projektet e ujit
Ervin KOÇI
Furnizimi i popullatës së vendit me ujë të pijshëm, ose me saktë abuzimet me fondet për ndërtimin e ujësjellësve në disa rrethe të vendit kanë qenë kohët e fundit objekt hetimi nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky institucion ka ushtruar kontroll në projektet bashkiake të furnizimit me ujë për qytet Durrës, Fier, Lezhë dhe Sarandë, me objekt kontrolli “mbi zbatimin e ligjshmërisë, rregullshmërisë financiare dhe vlerësimi i zbatimit të projektit”. Nën hetimin e specializuar të KLSH-së ka qenë edhe Porti Detar i Vlorës, në të cilin gjithashtu janë konstatuar shkelje dhe abuzime me fondet e shtetit. Nga kontrollet e ushtruara nga KLSH-ja ndaj subjekteve të mësipërme, janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore. Në projektet bashkiake të furnizimit me ujë për qytet Durrës, Fier, Lezhë dhe Sarandë, të financuara me anë të një kredie prej 15 milionë dollarësh nga Banka Botërore, investimi ishte parashikuar që të realizohej nga një operator privat. Kjo do të synonte rritjen e performancës së ndërmarrjeve, si dhe transformimin e tyre në njësi vetë-financuese që të sigurojnë vazhdimisht ujë të mjaftueshëm me kosto të përballueshme dhe me cilësi të mirë për konsumatorët. Por pas kontrollit të ushtruar në këtë kompani që duhet të mbulonte të njëjtin projekt në disa rrethe, KLSH-ja zbuloi shkelje që arrinin në disa milionë euro.
Abuzimi
Operatori privat “Berlinwasser International” që sipas raportit të KLSH-së, ishte kompani që do të realizonte investimin në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm në disa qytete (bashki) të vendit, ka përfituar padrejtësisht shpërblim nxitës në shumën 471.5 mijë USD, pasi ky shpërblim nuk është bazuar në rishikimin e treguesve të llogaritjes. Subjekti i ka paguar konsulentit, një shtesë të kontratës bazë në vlerën 455 mijë euro, të cilat janë konsideruar si dëm ekonomik, pasi këto punime konsulenti duhej ti kryente në fazën e parë të kontratës bazë, për të cilat dhe është paguar. Subjekti ka lidhur kontratë me konsulentin në kundërshtim me ligjet, duke shkaktuar kështu një dëm ekonomik prej 140 mijë eurosh, si dhe një dëm tjetër prej 112 mijë USD si rezultat i mosmbajtjes së tatimit në burim dhe afër 273 mijë euro nga shmangja e detyrimit të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Ky subjekt ka lejuar dhe tejkalimin e shumës së kredisë në vlerën 1.3 milionë USD kryesisht në shpenzime për shërbimet e konsulencës. Subjekti as nuk ka mbajtur dhe as nuk ka dorëzuar dokumentin e duhur ligjor lidhur me veprimtarinë për zbatimin e projektit.
Përgjegjësit
Komisioni Ekzekutiv i projektit i përbërë nga 6 anëtarë nuk ka ushtruar kompetencat dhe detyrat si përfaqësues i Organit Shtetëror të Autorizuar në mbikëqyrjen e kontratës së menaxhimit. Sipas raportit të KLSH-së, “ai (Komisioni) ka lejuar që operatori privat të mos realizojë objektivat e projektit, të keqpërdorë fondet e kredisë me dëme ekonomike, të paguhet me të pa drejtë për një shpërblim nxitës që në fakt nuk i ka takuar. Kjo ka bërë që ai të bëjë edhe largimin pa u regjistruar në asetet e ndërmarrjeve vlerat e investimit”. Po kështu komisioni nuk ka ushtruar në proces analizat dhe kontrollet që lidhen me dokumentet ligjore të ndërmarrjeve për vlerat e investimeve që kanë përfituar nga projekti. Për përmirësimin e gjendjes në këtë projekt pas shkeljeve të konstatuara, KLSH-ja ka rekomanduar marrjen e 9 masave disiplinore dhe administrative. Prej KLSH-së është kërkuar që nga të gjitha institucionet shtetërore shqiptare të nisin procedurat pranë Bankës Botërore, për klasifikimin e kompanisë “Berlinwasser International” në “listën e zezë” të kompanive që skualifikohen nga projektet e BB-së. Kjo bëhet me qëllim që kjo kompani të mos ketë më të drejtën e pjesëmarrjes në tenderë kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe të lidhë kontrata me fonde të buxhetit të shtetit dhe të donatorëve në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, nga KLSH-ja është kërkuar që të fillojnë edhe procedurat për dhënien e masës disiplinore “vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” për Drejtorin e Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Shkurt///////////////////////////////////
KLSH kontroll portit detar të Vlorës
Nga kontrolli i zhvilluar kohët e fundit nga ana e KLSH-së në Portin Detar të Vlorës, me objekt kontrolli “zbatimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”, janë konstatuar shkelje në dispozitat ligjore. Shkeljet më të mëdha rezultojnë në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik në 5 raste të shoqëruara me dëme financiare në shumën 579 mijë lekë. Nga ana tjetër Drejtoria dhe Këshilli Mbikëqyrës i këtij porti nuk ka marrë në analizë dhe nuk ka nxjerrë përgjegjësitë për mosrealizimin e investimeve për vitet 2007-2008. Institucionet drejtuese nuk kanë bërë as mobilizimin e depozitave me afat dhe mjeteve monetare të lira në bono thesari ose duke vëzhguar tregun bankar, në funksion të rritjes së të ardhurave të shoqërisë. Nuk është afishuar as lista e të gjitha objekteve, si dhe dokumentacioni përkatës për dhënien me qira të tyre, në kundërshtim me VKM-në mbi procedurat e dhënies me qira. Ka pasur gjithashtu edhe mangësi në drejtim të zbatimit të dispozitave ligjore në lidhjen e kontratave me subjektet që operojnë në procesin e ngarkim-shkarkimit në këtë Port. Autoritet nuk kanë analizuar as shkaqet e anulimeve për tenderët në vitet 2007-08 dhe nuk është nxjerrë përgjegjësia përkatëse për këto anulime. Për përmirësimin e situatës KLSH-a ka rekomanduar 22 masa organizative dhe disiplinore, si dhe largimin nga detyra për projektin e Portit Detar Vlorë. Gjithashtu është bërë edhe kallëzim penal për ish-Kryetarin e Këshillit Mbikëqyrës pasi ka miratuar privatizimin e aktivitet të shërbimit të sektorit të ngarkim- shkarkimit duke shkaktuar humbje të ardhurash në vlerën 458.5 milionë lekë.
29 Shtator 2009