MSH apel pacientëve për denoncimin e korrupsionit në sistemin shëndetësor
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë dënoi aktin e mjekëve të arrestuar pranë maternitetit “Koço Glozheni”, nën akuzën e mitmarrjes. MSH, deklaroi se një fushatë e tillë do të vazhdojë deri në eliminimin e korrupsionit në shëndetësi. Kjo është një ndër reformat që Ministria synon të çojë deri në fund për shmangien e korrupsionit, duke u bërë apel të gjithë qytetarëve që të denoncojnë të gjitha rastet korruptive me të cilat përballen në spitale. “Ministria e Shëndetësisë dënon aktin e mjekëve në maternitetin “Koço Gliozheni”, nën akuzën për korrupsion dhe gjendet në krahë të të gjithë pacientëve që kanë kurajën qytetare për të denoncuar fenomene të korrupsionit në sistemin tonë shëndetësor”,- deklaroi zëdhënësja e MSH-së.
Situata
Pavarësisht deklaratës së Ministrisë së Shëndetësisë, mjekët në maternitetin “Koço Glozheni” ndihen të terrorizuar nga ngjarja e ndodhur dy ditë më parë. Ata shprehen se nuk kanë qenë në dijeni të asaj që ka ndodhur dhe se është e rëndë që të arrestohen tre mjekë dhe dy infermiere nga stafi i tyre. Megjithatë, ata shprehen se kjo është një çështje që duhet zgjidhur me përgjegjshmëri nga organet përkatëse. Pranë këtij spitali, tema e diskutimit dhe më e përfolur ka qenë ngjarja e ndodhur, e cila duket se i ka vënë në përgjegjshmëri të plotë. Por, ata që flasin me zë të qartë dhe shfaqen më entuziast janë pacientët që këtë herë shteti u ka dhënë krahë për të denoncuar aktet korruptive dhe dhënien e detyruar të rrushfeteve. Specialistë të shëndetësisë theksojnë se kjo ngjarje është e rëndë për etikën e bluzave të bardha dhe dëmton imazhin e tyre.
Deklaratat
Specialistë të shëndetësisë si Presidenti i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, Din Abazaj, theksoi se raste të tilla duhen dënuar edhe nga komuniteti i mjekëve, duke e trajtuar si një turp për organizimin e tij. Sipas Abazajt, një nga masat që merr Urdhri i Mjekut për mjekët, të cilët abuzojnë me detyrën është heqja e së drejtës së ushtrimit të profesionit. Ai e konsideron këtë akt si mungesë përgjegjshmërie ndaj punës së kryer nga ana e mjekëve. Kjo është edhe një nga arsyet që qytetarët nuk denoncojnë rastet e korrupsionit dhe për krijimin e një krizë besimi ndaj sistemit shëndetësor në tërësi.
29 Shtator 2009