Rritja e komisioneve bankare, nis hetimi anti-monopol për institucionet monetare
Ervin KOÇI
Pas ankesave të përsëritura të komunitetit të biznesit mbi rritjen e komisioneve për disa shërbime bankare, në mënyrë jo transparente, Autoriteti i Konkurrencës do të gjykojë sjelljen e bankave përballë konsumatorit. Bankat e nivelit të dytë pritet t’i nënshtrohen hetimit jo vetëm nga Autoriteti por edhe nga Banka e Shqipërisë si institucioni qendror financiar i vendit, që me sa duket këtë herë do të bashkojë forcat me një tjetër institucion kushtetues. Vendimi është marrë në kushtet e ndryshimeve të shumta brenda një periudhe të shkurtër në shërbimet bankare që ka shkaktuar ankesa nga ana e qytetarëve, por edhe biznesit. Në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesit e AK-së, shprehen se bankat në Shqipëri duhet të kujdesen më shumë për klientët e tyre. Kjo për arsyen se ky treg e ka kaluar fazën e fillestare të ngritjes së biznesit. Komuniteti i biznesit dhe individët ankohen në mënyrë të vazhdueshme për kostot e larta, me të cilat përballen ndaj shërbimeve që ofrojnë bankat. Në shumë raste këto kosto nuk bëhen transparente, çka detyroi Bankën Qendrore të hartonte një rregullore të posaçme për mënyrën se si bankat e nivelit të dytë duhet të informojnë publikun.
Ankesat
Komuniteti i biznesit ka ngritur kohët e fundit shqetësimin se disa prej bankave të nivelit të dytë, kanë rritur komisionet bankare për transaksionet. Ky ndryshim është vënë re edhe për individët, që kanë një kartë debiti dhe tërheqin me të pagën mujore. Në kushtet kur qeveria ka vendosur detyrim ligjor që 90 për qind e pagesave vjetore të biznesit duhet të kalojnë nëpërmjet bankave, rritja e komisioneve është një kosto shtesë për ta. Në lidhje me këtë situatë, bankierët janë të mendimit se “çdo bankë ka politikat e saj dhe se çdo shërbim ka kosto”. Sipas tyre, “tarifat aktuale të komisioneve në Shqipëri mund të konsiderohen të ulëta, në krahasim me bankat në rajon”. Por, ekonomistët e vlerësojnë këtë situatë si të papranueshme, jo për rritjen e komisioneve, por për mënyrën se si bankat po reagojnë ndaj klientëve pa i njoftuar më parë ata për ndryshimet e tarifave. Kostot financiare shtesë që bizneset dhe qytetarët paguajnë për shërbimet bankare shkojnë për të përmirësuar bilancet e bankave, të cilat duhet thënë se janë tkurrur, për shkak të mungesës së kredidhënies dhe sidomos rrezikut që kërcënon sistemin bankar, nga kreditë e këqija.
Komisionet
Rënia e sasisë së kredive që bankat kanë dhënë, si edhe rritja relative e numrit të kredive të këqija ka bërë që ato të kenë bilance më të rënduara dhe fitime më të ulëta. Prej pak ditësh në të gjitha bankat e nivelit të dytë ka nisur të rriten komisionet bankare që ato marrin për çdo transaksion që bën biznesi. Kjo është bërë vetëm që fitimet të mund të kthehen në nivelin e mëhershëm. Në bazë të ligjeve shqiptare çdo subjekt biznesi duhet të kalojë nëpërmjet bankave 90% të gjithë parave të tij, të cilat i përdor për shitje-blerje mallrash, pagesa pagash apo detyrimesh etj. Të gjitha këto transaksione janë të detyruara të paguajnë një komision ose e thënë ndryshe një taksë që e mban banka për shërbimin që ofron. Vlera e saj është rritur dhe mesatarisht ka shkuar në mbi 2,5%, gjë që do të thotë se për 90% të parave të biznesit bankat janë duke marrë fitime të mëdha. Ndërkaq, komuniteti i bizneseve vendase ka deklaruar se do t’i kërkojë qeverisë që të ndryshojë ligjin dhe të mos detyrojë biznesin të kalojë nëpërmjet bankave 90% të parave, pasi kostoja është shumë e lartë dhe ai nuk ka mundësi të paguajë pará në këtë mënyrë.
Kriza, tatimi mbi fitimin mblidhet 17 milionë euro më pak
Buxheti i shtetit ka shënuar një deficit në planin e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin prej rreth 2.2 miliardë lekësh (17 milionë euro) për periudhën janar-gusht të këtij viti, gjë që tregon për uljen e përgjithshme të fitimit të biznesit të madh në Shqipëri me rreth 170 milionë euro. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se qeveria pati programuar rritjen e të ardhurave nga kjo taksë, kryesisht duke supozuar se përgjysmimi i tatimit mbi fitimit në 10 për qind, që u krye në vitin 2008, do të nxiste më shumë biznese të deklaronin fitime më të larta. Por ky aludim doli tërësisht i pasaktë. Të ardhurat nga kjo taksë u realizuan vetëm sa 84 për qind e planit ose 11.5 miliardë lekë dhe janë aktualisht edhe më të ulëta se sa në vitin e kaluar kur qenë 12.3 miliardë lekë. Fitimet e dobëta të sistemit bankar gjatë këtij viti duket se kanë dhënë edhe ndikimin më të madh në rënien e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin. Qeveria vendosi uljen drastike të tatimit mbi fitimin në vitin 2007, duke aluduar se në këtë mënyrë do të nxitej transferimi i aktiviteteve prodhuese nga vendet perëndimore, ku tatimi mbi fitimin është 30-50 për qind. Që nga 1 janari 2008, tatimfitimi në Shqipëri u caktua 10 për qind. Qeveria i kompensoi humbjet nga ulja e tatimfitimit, duke rritur taksën e ndotjes për makinat e përdorura që importohen në vend. Skema e re ndihmoi disa biznese të konsoliduara të shtojnë fitimet e realizuara në Shqipëri dhe që transferohen në vendet e origjinës së investimeve. Tatimi mbi fitimin është një taksë që përgjithësisht paguhet nga bizneset e konsoliduara dhe ndërkombëtare, për shkak se bizneset vendëse raportojnë zakonisht fitime të ulëta ose humbje financiare.
Përdorimi i fondeve, Financat kontroll ministrive për shpenzimet
Ministria e Financave ka kontrolluar të gjitha institucionet që ushtrojnë veprimtarinë me fondet e buxhetit të shtetit, për realizimin e shpenzimeve. Drejtoria e Monitorimit të Shpenzimeve Publike, një sektori i ri në Ministrinë e Financave, ka zhvilluar kontrollin mbi përdorimin dhe realizimin e fondeve publike konform planifikimeve në buxhet. Kontrolli i ekspertëve të financave për çdo ministri dhe institucion tjetër, shoqërohet me një relacion përkatës. Inspektimi i shpenzimeve publike ka si detyrim nga ligji i ri organik i buxhetit, i cili parasheh një transparencë të madhe në drejtim të shpenzimeve publike. Në rastin e Ministrisë së Turizmit, raporti i ekspertëve të financave vë në dukje realizimin e shpenzimeve korrente dhe një mosrealizim në planin e parashikuar të shpenzimeve kapitale. Në ministri të tjera, vihen re transferta fondesh nga një projekt në një tjetër, të pa shoqëruara me relacionet përkatëse. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit në fund të muajit korrik 2009, kanë arritur në rreth 211.4 miliardë lekë, nga rreth 225.1 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar në rreth 94 për qind të parashikimit të periudhës, ose me një mosrealizim prej rreth 13 miliardë lekësh. Krahasuar me planin vjetor, këto shpenzime janë realizuar në rreth 54.3 për qind, ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, shpenzimet buxhetore rezultojnë rreth 42 miliardë lekë më shumë ose rreth 25 për qind më të larta. Shpenzimet kapitale deri në fund të 7-mujorit 2009, janë realizuar në nivelin 97 për qind të parashikimit të periudhës, ose rreth 57 për qind të planit vjetor. Investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 99.92 për qind, ndërkohë që ato me financim të huaj, janë realizuar në masën 83.36 për qind të parashikimit, ose me një mosrealizim prej 1.7 miliardë lekësh.
29 Shtator 2009